Pikat Fokale Rome në bashki si instrumenta të angazhimit të komuniteteve rome në qeverisjen vendore: Drejt vendimmarrjes me pjesëmarrje

Në kuadër të programit të saj për Gjithëpërfshirjen Shoqërore dhe Të Drejtat e Njeriut, Qendra UET organizoi tryezën përmbyllëse të projektit “Të punojmë së bashku për përfshirjen e të rinjve romë përmes politikave të targetuara dhe praktikave të mira – Vendosja e Pikave Fokale Rome në bashkitë Tiranë, Durrës e Fier”. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni Konrad Adenauer – Programi “Shteti i së Drejtës”  për Europën Juglindore.

Qendra UET në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri si dhe me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer – Programi “Shteti i së Drejtës” për Europën Juglindore, organizoi më 24 tetor 2016 në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, tryezën përmbyllëse të projektit “Të punojmë së bashku për përfshirjen e të rinjve romë përmes politikave të targetuara dhe praktikave të mira – Vendosja e Pikave Fokale Rome në bashkitë Tiranë, Durrës e Fier”.  Kjo tryezë solli së bashku përfaqësues të komuniteteve Rome, të rinj dhe aktivistë, organizata të shoqërisë civile Rome dhe/apo që punojnë për gjithëpërfshirjen shoqërore, përfaqësues të pushtetit vendor si edhe studentë, lektorë e të tjerë të interesuar. Diskutimet e tryezës u përqendruan tek ndarja e praktikave të mira nisur nga pilotimi i Pikave Fokale Rome ose mediatorëve në bashkitë Fier, Durrës dhe Tiranë në kuadër të projektit si edhe tek parashtrimi i rekomandimeve rreth shtrirjes së këtyre pikave në të gjitha bashkitë ku ka përqendrim të komuniteteve rome.

Znj. Kebjana Haka, Koordinatore e projektit në Qendrën UET, prezantoi aktivitetet dhe rezultatet e projektit. Qëllimi kryesor i këtij projekti është nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve romë në vendimmarrjen e qeverisjes vendore përmes vendosjes së Pikave Fokale Rome në bashkitë ku përqendrimi i komuniteteve rome është edhe më i lartë. Përmes pilotimit të Pikave Fokale Rome në Bashkitë Fier, Durrës dhe Tiranë, u bë e mundur nga njëra anë përfshirja e të rinjve romë në vendimmarrjen dhe politikat vendore me rëndësi për jetën e komuniteteve rome dhe nga ana tjetër, u krijua mundësia për zyrat përkatëse të bashktive për të qenë më të kujdesshme dhe të ndjeshme në zhvillimin e politikave strategjike vendore për komunitetet rome. Znj. Haka u shpreh se: “ndërkohë që qeveria shqiptare, edhe me presionin e agjendës së integrimit europian, ka ndërmarrë hapa për hartimin e strategjive kombëtare për gjithëpërfshirjen shoqërore dhe integrimin e komuniteteve rome, zbatimi, monitorimi dhe vlerësimi i tyre në praktikë dhe ndërlidhja me qeverisjen vendore janë ende procese që ka nevojë për përmirësim”. Megjithatë pilotimi në tre bashki në kuadër të këtij projekti tregoi se Pikat Fokale Rome mund të jenë një instrument drejt përmirësimit të kësaj situate.

Për një perspektivë rajonale, Z. Adem Ademi, përfaqësues i Rrjetit Europian të komuniteteve rome SIMURGH, ndau me pjesëmarrësit përvojat e ngjashme në Serbi dhe Maqedoni. Kështu psh në Serbi janë vendosur koordinator për çështjet rome të cilët punojnë jo vetëm me qeverisjen vendore, por edhe me aktorë të tjerë lokalë si organizatat jo qeveritare, aktivistë dhe anëtarë të komuniteteve, biznese etj., në mënyrë që të integrohen agjendat e politikëbërjes me fokus komunitetet rome. Ndërkohë edhe Maqedonia, nisur nga një projekt, tashmë ka në shtatë bashki nga 2 koordinator për çështjet rome. Në këtë mënyrë Z. Ademi theksoi se “është e rëndësishme të ketë një vullnet të qartë si nga qeveria qendrore dhe ajo vendore për përfshirjen e zërit të komuniteteve rome në agjendën e politikave që i prekin ata”. Megjithatë mbetet ende sfiduese arritja e pjesëmarrjes reale të komuniteteve rome në qeverisjen vendore edhe në rastet kur koordinatorët apo pikat fokale janë vendosur.

Aurora Koçi si një ndër ndërmjetësuesit apo Pikat Fokale Rome në Bashkinë e Tiranës nënvizoi se kjo përvojë i shërbeu  së pari për të rritur aftësitë e  saj duke marrë përvojë në qeverisje. Së dyti, këto pika apo ndërmjetës shërbejnë për të shpërndarë informacion të vlefshëm për anëtarë të komuniteteve rome që përndryshe nuk do të mund ta aksesonin atë. Së treti, këta ndërmjetës shërbejnë për të zgjidhur probleme dhe për të adresuar çështjet problematike brenda institucionit  sa i takon zbatimit të planit të gjithëpërfshirjes shoqërore.

Në përfundim, Z. Bledar Taho, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kulturës Rome, parashtroi edhe disa rekomandime lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të Pikave Fokale Rome apo ndërmjetësuesit rom në bashki ku buxhetimi i ndërmjetësve është pikë thelbësore si dhe asistimi i ndërmjetësit në planifikimin dhe zbatimin e planit të veprimit lokal për romët. Gjithashtu Z. Taho theksoi se ndërmjetësuesi rom asiston drejtëpërdrejtë në institucion apo në terren me problemet reale të komuniteteteve rome duke i adresuar për zgjidhje dhe mban lidhje të vazhdueshme me organizatat dhe aktivistët romë. Gjithashtu, Znj. Enerida Isufi, përfaqësuese e Bashkisë Tiranë, konfirmoi angazhimin drejt punës së përbashkët me komunitetet rome për një vendimmarrje të hapur e me pjesëmarrje.

Rezultatet e plota të projektit dhe të pilotimit të Pikave Fokale Rome në bashkitë Fier, Durrës dhe Tiranë janë publikuar nga Qendra UET në formën e një policy paper me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer – Programi “Shteti i së Drejtës”  për Europën Juglindore, material i cili iu është shpërndarë aktorëve kryesorë si edhe është i disponueshëm online që faqen e Qendrës UET dhe IRCA, organizata këto që kanë një historik të bashkëpunimit konstruktiv për gjithëpërfshirjen e komuniteteve rome e sidomos të rinjeve. Kështu në vitin 2015, Qendra UET e IRCA punuan për trajnimin e të rinjve romë për ndërtimin e një media alternative si Radio Kanxura, gjithashtu i mbështetur nga KAS./Autori i artikullit: Blerjana Bino

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *