Mund të jetë vjeshtë tani në Tiranë, por në sytë e artistit Petrit Halilaj, Tirana është gjithmonë pranverë. Në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, artisti tha se Tirana është një qytet që e do shumë dhe se në planet e tij të afërta, është realizimi i një projekti në kryeqytetin shqiptar.
“Është vjeshtë tani, por për mua në Tiranë do të jetë gjithmonë pranverë. E dua shumë këtë qytet. Shpresoj që shumë që shpejt të vij në Tiranë. Kam dëshirë të prezantoj projekte të reja. Ndër to për abetaren. Kam nisur para disa kohësh kërkimet për abetaren. Ka mjaft rëndësi edukimi dhe mënyra se si edukohen brezat, jo vetëm mësimi i alfabetit.
Ka rëndësi se si ne e shikojmë njëri-tjetrin dhe e mësojmë historinë tonë. Ka rëndësi edhe respekti që kemi për të ndryshmit dhe për tjetrin. Kisha dëshirë të vija dhe të punoja për këtë projekt në Tiranë”, u shpreh Halilaj në Shqip në Dritare TV./L.F-dritare.net