Këtë mirënjohje artisti Petrit Halilaj ia dedikoi nënës së tij.
Arbër Selmani
Janë ndarë çmimet për ekspoziten Viva Arte Viva në Bienalen e Venecias. Artisti Petrit Halilaj, emër tashmë i njohur i artit shqiptar dhe jo vetëm i arrirë brenda kufijve, ka fituar mirënjohje speciale në Bienalen e Venecias me motivimin: lidhja mes Kosoves dhe kujtimeve në fëmijëri.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, kam ardhur këtu për herë të parë katër vite më parë ku kam prezantuar Kosovën dhe tani jam këtu përsëri falë miqve të mi”, u shpreh ai duke falënderuar të gjithë ata që kanë punuar me të dhe duke ia dedikuar cmimin nënës së tij Shkurte Halilaj.
Që nga instalacionet e tij sensacionale të paraqitura në Bienalen 2010 të Berlinit, dhe në Art Basel të vitit 2011, Petrit Halilaj numërohet si njëri ndër artistët më të respektuar në nivel ndërkombëtar. Ai jeton dhe punon në Kosovë, Itali dhe në Gjermani, Berlin. Halilaj ka lindur në Kostërrc, ndërsa është përfaqësuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Venecias në Itali, në vitin 2013-të. Para dy vitesh ka nisur Hajde Foundation, një fondacion për të ndihmuar artistët e rinj nga Kosova.
Artisti ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano të Italisë, ndërsa ka ekspozuar në Prishtinë, Bon, Koln, Cologne, Paris etj. Disa nga ekspozitat personale të Petrit Halilaj janë “Who does the earth belong to while painting the wind?” (2012), “Kunstraum Innsbruck” (2011), “Beck to the Future” (2009), ndërsa nga ato grupore mund te veçohen “Temoranea”, “Ernste Tiere”, “Ostalgia”, e të tjera. /KultPlus.com