Në datën 6 maj përkujtojmë Profesor Fehmi Aganin
Akademik Fehmi Agani ishte studiues i shquar i fushës së sociologjisë, njëkohësisht një veprimtar i shquar politik i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Gjakovë dhe u diplomua për filozofi në Universitetin e Beogradit. Në vitin 1965 kreu studimet pasuniversitare për shkenca politike në po këtë universitet. F. Agani ka qenë lektor dhe dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja” dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Nga viti 1968 ishte një nga ideatorët e projektit për pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi deri në fund të jetës së tij. Pas demonstratave studentore të vitit 1981, F. Agani u largua nga autoritetet serbe nga mësimdhënia në universitet. Ai u zgjodh nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte një nga negociatorët kryesorë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet partive politike të Kosovës për forcimin e qëndresës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Në Konferencën e mbajtur në Rambuje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai nxiti frymën e konsensusit ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë. Pas fillimit të fushatës së bombardimit të NATO-s kundër Serbisë, më 6 maj 1999, akademik Fehmi Agani u vra nga forcat serbe gjatë një përpjekje për të kaluar në Maqedoni. Ai është Hero i Kosovës.