Përurohet muzeu “Marubi” në Shkodër, Rama: Një thesar tragjikisht i injoruar

Është përuruar të hënën pasdite Muzeu i fotografisë “Marubi” në Shkodër. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet tha se, ky është një thesar deri më tani i injoruar, duke u shprehur se me përurimin e muzeut, “mbyllet një rrugëtim i gjatë”.

Kreu i Qeverisë u ndal tek historiku i familjes Marubi, duke treguar disa nga momentet më kyçe. “Sot këtu mbyllet një rrugëtim i gjatë, që nisi në brigjet e Italisë 160 vite më parë, kur një burrë me emrin Pjetro Marubi ngjiti shkallët e anijes për të kapërcyer Adriatikun dhe për të emigruar në brigjet përballë këtu në Shkodër. Nuk ka asnjë të dhënë që emigranti nga Italia të ketë hasur ndonjë vështirë për të bërë letrat anëve tona dhe për t’u kthyer në Pjetër. Mblodhi si thesar fotot e shoqërisë shqiptare të atyre viteve. Virtuozi Kel Marubi nuk është djali në gjak, por biri në dritë i Pjetër Marubit. Në 1937, Zogu e ftoi Gegën bashkë me një grup fotografësh për 25-vjetorin e Pavarësisë. Gega ishte i pari shqiptar fotograf që kishte një medalje ari në panairin e Selanikut. Atë vit çeli ekspozitën e parë fotografike në historinë e vendit tonë. Më pas studio e famshme u shtetëzua. Atë vit i përket një foto e Nenshatit që fotografoi kolegët e tij, në një foto që është ngrirja përfundimtare të Geg Marubit, i cili mbylli aparatin dhe nuk filmoi më”, tha kryeministri Rama.

“Ja ku erdhëm në momentin kur kemi kryer një inventar të plotë në një hambar prej gati 500 mijë negativësh, pa folur për objekte, dokumente, regjistra, telegrame, aparate fotografikë, dëshmi fantastike të historisë së fotografisë në vendin tonë. Kemi dixhitalizuar më shumë se 100 mijë fotografi”, tha Rama.

“E nisëm me muzeun virtual, para se të vinim tek ky muze real. Me muzeun në rrjet, si një hapësirë pa kufi për t’i krijuar mundësi të gjithë bashkëkombësve të hedhin sytë në këtë mrekulli të panjohur. Ndërsa këtë godinë e gjetëm bina bosh, të djegur, me një dry të madh e të ndryshkur në derë dhe me një oborr pas që ishe i mbushur me ferra. Ndërkohë një pjesë e oborrit, siç ndodh rëndom, ishte “tokë e zanun” mu në mes të Shkodrës dhe nën hundën e të gjithëve, në një godinë të blerë nga shteti. Dhamë fjalën që do të riktheheshim, kur të kishim ndërtuar një shtëpi të denjë për thesarin që vazhdonte të përpëlitej dhe që në fakt, sot është i shpëtuar falë një grushti njerëzish. Një grushti njerëzish, emrat e të cilëve mund të mos merren vesh kurrë, por që janë po kaq të rëndësishëm, sa të gjithë personazhet e botës së Marubëve, sepse janë nga ky qytet, gra, burra, vajza e djem, që pavarësisht se nuk kishin asnjë mbështetje dhe asnjë mundësi reale, e shpëtuan thesarin nga lagështira, pluhurat, nga asgjësimi”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ndërsa Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se ky është një premtim i mbajtur nga qeveria. Duke u shprehur se në vendin tonë nuk është vlerësuar sa duhet pasuria kulturore, ministrja Kumbaro tha se ka shumë thesare për të rijetëzuar.

“Ky muze duhet të ishte hapur vite më parë. Nuk është vlerësuar sa duhet pasuria kulturore. Kemi shumë thesare për të rijetëzuar”, tha ministrja Kumbaro.

Arti i fotografisë në Shqipëri zë fill rreth mesit të shekullit XIX. Ateljeja e parë u ngrit më 1858, nga Pjetër Marubi, në Shkodër, në atë kohë një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë.

Pjetër Marubi(1834-1903) ishte mjeshtër i vërtetë i artit fotografik.Ndryshe nga shumë atelje të tjera fotografike që u ngritën më vonë në Shqipëri, ateljeja e Marubit, qysh në hapat e para të saj,u bë një laborator krijues i fotografisë artistike.

Studio fotografike “Marubi” nuk prodhoi vetëm për nevojat personale apo familjare të qytetarëve.Qysh gjatë viteve ’70 të shek.XIX, Marubi u bë fotoreporter i revistës “Illustrazione Italiana” për vilajetin e Shkodrës. Fotografitë me interes etnografik, historik apo gjeografik ilustruan me dhjetra vepra të autorëve të huaj për Shqipërinë, ose u botuan në trajtën e kartolinave.

Më 1970 Gegë Marubi ia dhuroi fototekën e studios, me një pasuri prej 500.000 negativash, shtetit shqiptar.Sot ajo përbën një qendër të rëndësishme arkivore-shkencore. Fotografitë e saj përbëjnë një pasuri të rradhë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët, etj./ATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *