Përtej njerëzve që flijuat, asgjë nuk keni bërë, asgjë të vlefshme nuk fituat

“Nuk më keni bërë asgjë ”
(Non mi avete fatto niente) – Shqipëroi Edlira Dedja

Në Kajro nuk dinë se ç’orë mund të jetë,
Dhe dielli në Rambla shkëlqim s’mund të ketë,
Në France është koncerti ku njerëzit zbaviten,
Dikush këndon fort, të tjerë duan të vriten.
Në Londër bie shi, por sot nuk pengon,
Edhe mbi funeral nga qielli vërshon ;
Në Nice skuqet deti, nga turpi, nga zjarri,
nga njerëzit mbi asfalt, nga gjaku tek kanali..

Dhe mbi këtë trup të tejmadh që quhet Tokë,
Plagosur në zemër nga Azia në Europë,
galaktika njerëzish shpërndahen në hapësirë,
e mbi çdo gjë kërkojnë një përqafim të dlirë,
nga nënat pa fëmijë e nga fëmijët krejt jetimë,
fytyra të tejzbehura, si mure krejt të nxirë..
Por mbas minutash heshtje një zë qetësinë përçon,
Asgjë s’më keni bërë,
Jeta ime përsëri vazhdon !

E mbi të gjitha, e përtej njerëzve që flijove,
asgjë nuk munde të më bësh,
asgjë të vlefshme nuk fitove.
Mbasi ka diçka që i tejkalon të padobishmet luftime,
Ka pritërinj në kisha që bëjnë kryqin,
dhe imamë në xhami që falen mbi qilime.

Janë hyrje të ndara të së njëjtës derë,
Janë miliarda njerëz me shpresa përherë,
Krahë që s’kanë duar,
fytyra pa emër,
Ta shkëmbejmë lëkurën
së fundi jemi njerëz.
Sepse jeta jonë nuk është një pikësynim
dhe s’mund të ketë bomba që sjellin qytetërim.
E mbi të gjitha, e përtej njerëzve që flijuat,
asgjë nuk mundët të na bëni,
asgjë të vlefshme nuk fituat.

Sepse gjithçka shkon përtej luftrave të kota,
përtej urrejtjes tuaj të pavlerë.
Ajo mund të fundosë metropolitana,
Ose të rrëzojë përtokë rrokaqiej.

Kufijtë e lartë, ngritur për urinë,
Do thyhen njësoj si terrori që pengon lirinë,
bota do të ngrihet, e qeshur si fëmija,
E ju asgjë s’do bëni, e kotë është egërsia.

E mbi të gjitha,
e përtej njerëzve që flijuat,
asgjë nuk keni bërë,
asgjë të vlefshme nuk fituat.

Edhe pse bota s’mund të jetë e njëjtë,
as lumturia që zhdukët si një flluskë sapuni,
Jam i vetëdijshëm se edhe pse pa të,
Luftës suaj të kotë do t’i vijë fundi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *