PËRHERË E KAM DASHTË

Alisa Velaj

E kam dashtë përherë një diell të bulëzuar
tek endet pikëlave të dritës mbi lëkurën tënde,
rrezitur në ag, rrezitur në muzg,
në det e në rërë rrezitur tërë ëndje.

Përherë një diell të bulëzuar e kam pirë
prej sumbullave të djersës nëpër kurme
që shtegtojnë të etur perëndimeve të përrallta
brigjeve tanë të ujtë, nën shira të murrme.

Një perëndim si asnjë tjetër para tij e kam dashtë
në avuj mendimesh e duarsh tmerr të zjarrta,
kur humbim e humbim të marrë dashurie
si hijet e mbrëmjes shtatit flakë të palmave…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *