Nga Andreas Dushi
Lidhja ndërmjet Perëndive ka ekzistuar që me ekzistencën e tyre. Mitet janë bërë të pavdekshme duke na dhuruar edhe ne sot një koncept për botën greke e atë romake. Koncept i cili na mungon për vendet e tjera. Ne si shqiptarë (jam i bindur) njohim më shumë kulturat e lashta Greke dhe Romake se ato shqiptare, nese kemi pasur të tilla. Jemi të detyruar të besojmë se edhe ne kemi besuar te hyjnitë greke dhe këtë detyrim e kemi të faktuar. Edhe sikur mos ta kishim, ne sërish do të kishim vazhduar me deshirë të qëndronim nën detyrim, do ta kishim pranuar dhe do t’i ishim nënshtruar pa bëzajtur.
Kjo na ndodhi me 50 vite nënshtrim. 50 vite ku 3 milion shqiptarë jetonin në kushte të papranueshme sepse donin 300 syresh. Nëse pjesa tjetër, pa ato 300 do të bëhej bashkë, ato 300 do të kishin rënë dhe interesat e përbashkëta të 2999700 të tjerëve do të formonin realitetin e jetës së përbashkët.
Në të tillë ndrydhje, të bërë për plotësimin e interesave së 300-shes, bënte pjesë edhe ndrydhja e dëshirës seksuale. Në çdo aspekt, madje edhe në të menduarit për të. Nuk mund të mendoje për të, sepse nuk kishe se si. Nuk kishe asnjë informacion rreth saj. Nuk dije asgjë. Nxënësve nuk u mësohej se si lindin. Lum e lum se misioni i nxënësve është të “nxënë” dije. E kështu për shumë kohë në Shqipëri ndenjën të papërmendura tre prej perëndive më të përmendura në botë. Ato përmendin Kupidin si atë që bashkon zemrat, ne përmendim Apollonin si atë që lufton. Ato përmendin Erosin si atë që krijoi mrekullinë e kënaqësisë seksuale, ne përmendnim Zeusin si atë njeriun e fortë. Ato përmendnin Dionisin si perëndinë e dehjes dhe të sensualitetit, ne përmendnim Detalin dhe Ikarin që vendosën sipas mendjes së tyre dhe vdiqën.
Sigurisht, si mund të flisnim ne për dashurinë? Pse, çfarë ishim ne, revizionistët amerikanë që të flisnim për dashurinë? Ç’është Kupidi? Ç’na duhej ai? Shqipëria s’kishte nevojë për të. Shqipëria e cila “në çdo njërin prej 28 mijë kilometrave katrorë ka nga një dëshmor” kishte nevojë për Apollonin, që sëbashku me të, të mbroheshin nga revizionistët amerikanë, ndërsa ai personalisht të luftonte atë “të denigruarin” që duhet të vinte nga një familje e deklasuar, Kupidin. Ah, këto të deklasuarit, gjithnjë nga këto pritet më e keqja.
Imagjino pak për Erosin. Ç’nevojë kishte Shqipëria për të? Pse, edhe fanari ndriçues Shqipëri do të fikej njëlloj si ato të Evropës? Ç’na duhej ne kënaqësia në seks? Budallenj jemi ne të bëjmë seks për kënaqësi? Le të shumohemi me djem për partinë. Kjo ishte kënaqësia më e madhe. “Djemtë për partinë” janë djemtë e fortë, të cilët “nuk i binden të keqes”, njëlloj si Zeusi i cili nuk iu bind babait të vet që donte ta hante, por me ndihmën e së ëmës që e zhduku atë njëlloj si zhduku partia okupatorin fashist. Eh ore Eros. Shyqyr që nuk e vizitove Shqipërinë atë kohë. Tani që po e viziton nisu nga ultësirat drejt maleve të lutem. Por bëj kujdes në detë t’keqen se të vjen ndonjë motor uji që padashje ta hap kafkën dhe ta copëton fytyrën e fëmijës e më pas të thotë “Ma bo hallallë plako!”.
Mendoni pak sikur Dionissi, perëndia e papranuar nga Shqipëria e asaj kohe të kryente edhe mbi Shqipëri dëmet kolektive që kryente në vendet që nuk e adhuronin. Për shembull njëlloj siç dehu Likurgun që nuk e pranoi duke e bërë të copëtojë të birin, të dehte edhe Enverin. Enveri nuk është treguar i zgjuar duke e mospranuar sepse me kanosjen e një rreziku të tillë nuk ia vlen barra qeranë. Por gjithsesi ai ishte kundër partisë. Nëse njerëzit do të ndiqnin kultin e tij, edhe flatrat e tyre do të digjeshin nga dielli, njëlloj siç i ndodhi Ikarit, por vetëm se ai nuk pati fatin të digjej nga dielli parti, fat i lakmueshëm, por që vetëm shqiptarët e kishin.
As sot nuk e pranojnë këtë Perëndi, sepse ka një gotë verë në dorë. “Haram” do të thonë për të. “Allahu nuk e pranon këtë” e më pas ndonjë klerik do të mbërrijë deri të quajë “prostitutë” kush e shikon. Po për burrat? Po vetë Dionisi ç’është? Është një antikrisht si perëndi e sensualitetit, një antiallah si e pijes, por në të vërtetë është një Zot. Një Zot që mori autorësinë e një prej dhuratave të Krishtit. Vera e bekuar nga prifti kthehet në “Gjak të Krishtit”. Kisha duhet t’i jetë sado pak mirënjohës Dionisit. Ose të paktën mos ta luftojë.
Këto tri perëndi përbëjnë Trekëndëshin e Bermudave të shoqërisë shqiptare të para 90’, ku po të kaloje mbi të do të futeshe në gojën e atyre që lëshonin me duart e tyre plot kallo nga kazmat që mbanin për të bërë malin pjellor sa fushën nga një gur injorance mbi ty.