Për pastërtinë e gjuhës shqipe

Titulli i librit (“Urgjenca gjuhësore”) është është disi kryengritës, por thelbi është i shtruar dhe i njëjtë me atë që kërkonte prof. dr. Aleksandër Xhuvani me librin e tij “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Lexojmë e dëgjojmë çka thonë shtetarët, çka shkruajnë gazetarët, çka botojnë studiuesit dhe njerëzit me grada e tituj shkencorë shumë të lartë. Gati të gjithë jemi pushtuar nga dëshira për të qenë modernë. Kjo nuk është e pamirë, por e pamirë është, madje, sa nuk ka ku të vejë më e tillë, dëshira e disave për ta shfaqur “modernitetin” me fjalë të huaja. Të tmerron trumbeta e drafteve, bordeve, implementimeve, fizibiliteteve, bi- e multilateraleve, kurriku-lumeve, konsensuseve, gjenerimeve dhe e kushedi sa anglo-italianizmave të panevojshme! Po përdoren shumë fjalë të huaja, po edhe mënyra të huaja të thëni, të panevojshme po se po, por shpesh edhe të pahijshme e të pamoralshme, siç janë, ndër të tjera, fjalët e thjeshtligjërimit (të ashtuquajturat “fjalët të pista”) në emisionet e mjaft shfaqjeve të humorit dhe në emisione televizive, që meritojnë të quhen “pornoligjërime”. Po të ishte gjallë i ndjeri Atë Anton Harapi do të thoshte me të drejtë “na hypi hordheku”.

Dhe kjo situatë, që nuk është vetëm e gjuhës shqipe, por edhe e krejt kulturës së sotme shqiptare “në tranzicion”, natyrisht, na trishton dhe na bën të  trembemi se e ardhshmja e shqipes, e gjuhës sonë të bukur, nuk do të jetë e mirë, në qoftë se nuk punojmë me gjithë shpirt, me përkushtimin dhe devotshmërinë më të madhe, për ta mbrojtur e lartësuar atë.

Sot, në kushtet e takimit e marrëdhënieve të shqiptarëve me popujt e tjerë, fqinjë ose të largët, edhe gjuha shqipe nuk mund të mos jetë në “tushtin” e erës evropianizuese dhe botërorizuese, që fryn furishëm dhe po ndikon përditë e më dukshëm. Për t’i bërë ballë kësaj trysnie, për të mbetur edhe më tej shqiptarë në gjuhë e në zakone, na bie detyra të dimë edhe si të ruhemi, si të mbetemi edhe më tej të tillë: shqiptarë dhe ta shfaqim shqiptarinë në radhë të parë në mbajtjen gjallë të gjuhës sonë të bukur, e cila është në fakt vetë “palca” e kombit tonë.

Jam i bindur se të gjithë shqiptarët e kanë ndier dhe e përjetojmë, jo pa shqetësim, rënien e kujdesit të shtetit e të institucioneve zyrtare e publike ndaj gjuhës shqipe dhe po e shohin plojën e prurjeve të pamira e të pafalshme të fjalëve të papërshtatshme, jo vetëm të huaja, kur janë edhe të panevojshme, por sidomos të një fryme të pakrehur, shpesh edhe dukshëm të pagdhendur e të pahijshme, që nuk po na ndahet as në të shkruar, as në të folur.

Nëpërmjet librit “Urgjenca gjuhësore”, ashtu si edhe më parë me librat “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”(2004) dhe “Si të shkruajmë shqip-Baza të shkrimit akademik” (2008 dhe ribotimet më 2012, 2013), synojmë që, brezi i ri i studiuesve dhe i lëvruesve të shqipes, në të gjitha fushat e dijes, të jetë i përgatitur dhe të lakmojë jo vetëm qartësinë, por edhe rreptësinë dhe saktësinë terminologjike, si tregues të vlerave shkencore të çdo studimi bashkëkohor.

Ka ardhur koha (dhe janë të gjitha mundësitë) të tregojmë më shumë kujdes për gjuhën shqipe si tipar themelor i njësisë dhe i njësimit  kulturor e kombëtar, për gjuhën zyrtare të shtetit e të shkollës, natyrisht edhe të veprimtarisë së shkruar e të kumtueshme nga të gjitha institucionet që varen ose lejohen nga shteti. Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është shenjë e tregues kulture. Kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që shtrohet për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmendim  edhe një herë se, vetëm pak muaj mbas shpalljes së Pavarësisë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:  “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a  lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare… Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë, në qoftë se  kanë dëshirë të mbeten në shërbim”.

Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë  të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit” si dhe në librin më të ri “Urgjenca gjuhësore”. Ai synim i mbarë na ka shtyrë e na nxit edhe  në të gjitha qëndrimet, vlerësimet e shkrimet tona për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe nga shteti dhe nga krejt shoqëria shqiptare.

Gjovalin Shkurtaj, Akademik

(Marrë me shkurtime nga pasthënia e librit e librit “Urgjenca gjuhësore” i prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, botimet “Naimi”, Tiranë 2017).

Skeda e librit:

Autori: Gjovalin Shkurtaj

Titulli: Urgjenca gjuhësore (Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe-Fjalorth)

Botim i dytë i përmirësuar

Recensues: Prof. dr. Ali Jashari

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu

Redaktor: Naim Zoto

Botues: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare

www.botimenaimi.com

ISBN: 978-9928-234-04-9

Copyright ©: Autor & Artjon Shkurtaj

Numri i faqeve: 208

Çmimi: 1000 lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *