Shkrimtari Zija Cela ka kujtuar të birin me një mesazh prekës. I ndarë nga jeta vite më parë, Dritan Çela lindi më 11 janar 1970 dhe mbylli sytë më 4 mars 2006, në moshën 36 vjeçare. “Kjo foto është autoportret. Përveç letërsisë, ai ishte i dhënë pas fotografimit, filmimit dhe muzikës. Kaq shumë u shkrua për Përkthyesin me Flatra, siç nisi të mbiquhej Dritani, sa libri im ‘Për dashurinë shkruhet pas vdekjes’, u pasua me vëllimin ‘Përgjigje për dashurinë’, tashmë homazh nga shkrimtarë, poetë, përkthyes, publicistë, gazetarë e miq të Tanit. Madje edhe sot e kësaj dite vazhdon të shkruhet”, shkruan Zija Çela. Duke vënë në dukje se për familjarët e lexuesit e tij sot nuk shkojnë fjalët “festojnë” ai nuk përjashton as ndjesinë e gëzimit. “Ne gëzojmë për sa kohë e patëm dhe për gjithë sa na la. Prandaj e filloj përkujtimin me këtë tregim të vockël të Dino Buzzati-t, që Tani e shqipëroi ende student. Le të shpresojmë se, ndoshta vetiu, na lëviz cepi i gojës për një buzëqeshje. Është ironia e hollë ndaj paradokseve të jetës”, shënon Zija Çela.
Zija Çela vëren se Dritani nuk u mor me amanete, nuk tha as më kujtoni, as mos më harroni, la vetëm të nënkuptohej: Për sa kohë që ju nuk mund të jeni me mua, do të jem unë me ju. Dhe ka shumë gjasa për dyvendësinë e Shpirtit… “Por a ka gjasa për mua në betejën e pabarabartë, përleshjen shkallmuese me kohën? Është lufta e senseve të kundërta. Dritani do të mbetet i ri, ashtu përgjithmonë, ndërsa mua më duhet të plakem duke mbetur i ri, në mënyrë që ditën kur të bëhemi prapë bashkë, unë të jem i denjë për Miqësinë e djalit”, shkruan i ati.
Ai shton “e këtu mjaft, po mbyllen këto shënime. Sa ishte gjallë, s’e patëm zakon t’i flisnim gjindjes për Dritanin. Mund të thotë ndokush se tash është vonë. Por ç’të bëjmë pra, në këtë mënyrë na habiti jeta, gjithë jeta na shkoi duke u dashur. Në fillim ne deshëm ta jetonim dashurinë, pas vdekjes u kujtuam se hidhet edhe në letër”.
SHTEPIA IDEALE
Po të isha shumë i pasur, do të ndërtoja një shtëpi kështu: një paradhomë shumë të vogël, një korridor të ngushtë, një dhomë ndenjeje të mjerueshme, një dhomë gjumi të shkretë, mobilje të varfra e të zhveshura, ca tablo, qilima asnjë, perde hiç fare, llamba të zbehta e të bezdisshme, atmosferë e përgjithshme parehatie. Përsa i përket banjës, ama, banjën do ta bëja të paktën dyzet metra katrorë, dhe aty mermerë, majolika, çezma të shndritshme e shumë të fuqishme në vermeil, llambadarë ngadhënjyes, pasqyra pa mbarim e të lëmuara, tapetë të butë prej sfungjeri me ngjyra delikate, sërë e sërë parfumesh të rralla e tepër të shtrenjta, letra higjienike të buta si një psherëtimë, shishka e spërkatës të çdo lloji, gramafonë stereofonikë me disqe madhështore, me një fjalë, luks i shfrenuar, hapësirë e tepërt, ëndje për t’u vërtitur lart e poshtë lakuriq, mbase edhe me vrap. Përse arkitektët e ditur nuk ndërtojnë shtëpi të tilla? Është lehtë të durohet mjerimi, kur mund të dhjesësh si zotëri.
LIBRA TËR PËRKTHYER
Dino Buzzati – Gruaja me flatra
Dino Buzzati – Shkretëtira e tartarëve
Dino Buzzati – Një dashuri
Carmine Abate – Shtegtimi i unazës
Susanna Tamaro – Thuaji zemrës Po
Luciano De Crescenzo – Dyshimi
Italo Calvino – Komikat kozmike
Luigi Pirandello – Një, asnjë dhe njëqindmijë
Alessandro Bariço – Mëndafsh
V. Sciascia – Libellangellus, përralla e lirisë
Virgjil Muçi – Fiabe albanesi (Nga shqipja në italisht)
Si dhe ese e proza të shkurtra nga A. Moravia, D. Maraini, U. Eco, G. Parise, etj.