Pasqyrat, plazh i bukur por jo vendi për të pushuar!

Evis Nasto
Më kishin sugjeruar që tek Pasqyrat duhet të shkoje herët për të gjetur një shezllon dhe ashtu bëmë. Në 8:40 min ishim aty pasi përshkruam një monopat të ngushtë plot me tatëpjeta, gropa dhe gunga që na mori më shumë kohë sesa 24 min që na morën 14 km nga Saranda deri në pikën ku futej makina për në shtegun që të çonte në plazh. Edhe pse herët në 4 rreshtat e parë shikoje peshqira të varur dhe tek tuk njerëz. Në rreshtin e parafundit, qëndronte 1 djalë në këmbë me 1 menu në dorë. Me pantallona plazhi portokolli, bluze dhe atlete, ai nuk ia ndante shikimin shezllonave. Bëmë të uleshim në një prej tyre dhe ai na tha:
-Scusa italiani?
-No-iu gjegjëm ne-albanesi.
-Shqiptar jam dhe unë. Jam nga Kruja, po kam 11 vjet në Itali-tha krutani (e pagëzova kështu direkt meqë nuk ia mësova dot emrin)
-Këto 5 shezllona deri në mes të rreshtit i kam zënë unë. Shikoni përreth ku nuk kanë vënë peshqira ose cose sopra dhe uluni.
-Sa kushtojnë?
-Unë nuk punoj këtu. Kam zënë shezllonat se pres familjarë, pres baxhanakun me gruan e fëmijët. Po ai i djali që punonte më tha që ruaji vetë se nuk më garantonte dot vendet sa të vijnë familja. Ai djali më tha që shezlloni kushton 12 mijë lekë.
-Po menunë pse e mban në dorë?- i thashë
-Eh po duhet dhënë porosia përpara se të ulesh në lokal se ndryshe vonojnë ta sjellin. Të paktën kështu më thanë.
Ora 9:40. Plot 60 min dhe plazhi ishte thuajse plot me shqiptarë, serbë pa fund, maqedonas, rusë polak..dhe shqiptarë Italie. Krutani i palodhur i shpjegonte të gjithëve shqip, italisht dhe kur vinte puna tek anglishtje kalonte në “shenjisht” për të shpjeguar që ato 5 shezllone ishin të zënë dhe që duhet të shikonin për shezllona pa peshqirë sipër për t’u ulur.
Ora 10e30.
– Do dorëzohesh-i tha njëri- Kështu si po mësyjnë këtu nuk ke shans t’i mbash.
Një turist serb i ofroi madje nga 10 euro, 20 për një shezllon, meqë vend nuk kishte. Krutani prapë jo. Familjarët e tij mesa duket po vononin nga trafiku. Kur befas zbret një djalë me bluzë të bardhë dhe kapele. Ishte ai që mblidhte lekët e çadrave.
-Më jep menunë – i tha – se më duhet.
-Ore unë vdiqa duke shpjeguar njerëzit – ia kthen krutani.
-Pse budalla jam unë që të thashë se nuk bëhet. Këtu ikën ti direkt vijnë të tjerë.
-Vijnë nga rruga e shtruar si duket dhe nga çmimi ekonomik i shezllonit – ia ktheva unë jo pa ironi.
– Pse mos doni dhe gjethe palme? – Ia ktheu punëtori i lokalit që kishte marrë pozicionin duarkryq pompoz të beut të fshatit.
– Po po mirë e ke. Gjynah të ankohemi.
Pas 2 orë e 10 min familja e krutanit erdhi. Pagoi 50 euro të 5 shezllonet dhe nuk e di nëse vendosi apo jo të hante drekë në të vetmin lokal gumëzhitës ku gjëja më e lirë ishin makaronat e thjeshta me gjalpë, 5 euro.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *