Mëshirë dhe integrim: ky është thelbi i Nxitjes Apostolike pas sinodale “Amoris Laetitia – Hareja e dashurisë”, nënshkruar nga Papa Françesku më 19 mars dhe paraqitur sot në Romë. Në 200 faqet e shkruara thjeshtë, në mënyrë që të gjithë të mund ta lexojnë pa probleme, Ati i Shenjtë flet për “dashurinë në familje” konkretisht, me fjalë që ngrohin zemrën e që të bëjnë t’i shfletosh me dëshirë e shpejt faqet, pavarësisht nga gjatësia e tekstit. I ndarë në nëntë kapituj, dokumenti është rezultat i dy Sinodeve mbi familjen, të cilët u mbajtën në vitin 2014 dhe në vitin 2015.
Sipas “Peregrinues.al”, nxitja Apostolike e shmang vendosjen e martesës e të familjes në dy binarë: nga njëra anë, familjet e rregullta, ku gjithçka shkon mirë e, nga ana tjetër, gjendjet “e parregullta”, që përbëjnë problem. Papa Françesku i konsideron këto dy realitete gjithnjë në ecje. Edhe familja e ashtuquajtur “e rregullt” dhe një martesë ku gjithçka “shkon mirë” duhet të mësojë gjëra të reja, të kapërcejë etapa të caktuara, mund të haset me mëkatin e dështimin, të ketë nevojë të pajtohet e t’ia fillojë edhe një herë nga e para.
“Respekt për homoseksualët, por asnjë analogji ndërmjet martesës dhe bashkimit gay. Përsa u përket njerëzve me prirje homoseksuale, theksohet nevoja për respektimin e dinjitetit të tyre, pa i diskriminuar padrejtësisht. Por, nënvizohet në Nxitjen Apostolike, “nuk ekziston asnjë bazë” për të vendosur analogji “as të largëta” ndërmjet bashkimit homoseksual dhe martesës sipas planit të Zotit. E në këtë pikë, është “e papranueshme” që Kisha të vuajë nga “presione” të çdo lloji”.
Në gjysmën e dokumentit për dashurinë familjare, Papa rithekson temat sinodale dhe vë në pah nevojën për t’i shoqëruar të fejuarit në udhën e përgatitjes për martesë. Gjithashtu, nënvizon se bashkëshortët duhen ndjekur, sidomos në vitet e para të martesës. Kisha duhet të formojë njerëz të aftë për një baritori familjare misionare, që kujdeset për çiftet e nuk është thjesht një “fabrikë kursesh” për elita të vogla. Natyrisht, në kohën tonë është rritur shumë numri i divorceve, gjë që Papa e konsideron shqetësuese, prandaj bën thirrje të parandalohen fenomene të tilla, sidomos për të mbrojtur fëmijët, të cilët nuk duhet të bëhen “pengje” të njërit apo të bashkëshortit tjetër. Pa harruar se, para dhunës, shfrytëzimit dhe prepotencës, ndarja është e pashmangshme dhe “moralisht e nevojshme”.