Pallatet te Diga e Liqenit nuk do të ndërtohen, leja ende në gjyq

Gjykata Administrative e Apelit ka marrë një tjetër vendim abuziv, të padrejtë dhe të shëmtuar, duke konfirmuar shqetësimet e vazhdueshme të Bashkisë së Tiranës se gjyqi për çështjen e ndërtimit të kompleksit me 5 pallate 17-katëshe nën Digën e Liqenit Artificial të Tiranës është një gjyq i montuar dhe i paracaktuar.

Edhe pse ky vendim lidhet me padinë e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe jo me lejen e bashkisë e cila gjykohet më vete, Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për vendimin e marrë më 1 korrik dhe të shpallur me dy javë vonesë. Por, mbi të gjitha, për faktin se pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, edhe pranë Prokurorit të Përgjithshëm, me fakte e argumenta, qoftë për konfliktin e hapur të interesit që dy gjyqtarë të trupës gjykuese kanë me çështjen në fjalë, qoftë për shpërdorimin e detyrës nga ana e tyre, nuk ka ende asnjë reflektim nga ana e Gjykatës Administrative të Apelit.

Fatkeqësisht, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Enkelejda Metaliaj (Softa), Kastriot Selita dhe Alkelina Gazidede, e cila më 1 korrik mori në shqyrtim çështjen e pezullimit të punimeve për ndërtimin e pallateve 17-katëshe nën Digë, legjitimoi faktin se e ka humbur besimin e një trupe gjykuese të paanshme dhe është e paaftë të japë drejtësi, duke vijuar të qëndrojë kokëfortë në konflikt të plotë interesi me palën e paditur, kompaninë e ndërtimit “Gener 2”.

Prej kohësh, Bashkia e Tiranës e ka denoncuar konfliktin e hapur të interesit që, gjyqtarë të caktuar për të gjykuar çështjen në fjalë kanë me kompaninë Gener 2. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë hapash ligjorë, të cilat argumentojnë katërcipërisht ekzistencën e një konflikti të pastër interesi, por edhe nevojën për të patur një trup gjykues të paanshëm, i cili duhet të japë drejtësi, përndryshe rrezikon të shkatërrojë Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Gjatë kësaj kohe, Bashkia e Tiranës ka kërkuar vazhdimisht përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Enkelejda Metaliaj (Softa) dhe Arjan Qafa, për të cilët ekzistojnë fakte të qarta që, jo vetëm janë në konflikt interesi me kompaninë “Gener 2”, por janë edhe të pakualifikuar për ta gjykuar këtë çështje.

Është FAKT se në listën e 33 gjyqtarëve, të cilët në bazë të testimit të vitit 2013 përmbushnin kriteret për konkurim në Gjykatën Administrative të Apelit, gjyqtari Arjan Qafa është renditur me 80 pikë në vendin e 30 nga 33 në testimin seleksionues, por kjo nuk i pengoi anëtarët e KLD-së asokohe t’i jepnin 7 vota pro nga 10. Ndërsa, gjyqtarja Enkelejda Metaliaj (Softa), edhe pse kishte marrë pikët më të ulëta në testim, arriti të sigurojë 9 nga 10 vota në KLD për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit.

Kështu, Bashkia e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës Administrative të Apelit:

– Përjashtimin e dy gjyqtarëve Enkelejda Metaliaj (Softa) dhe Arjan Qafa nga gjykimi i çёshtjes, në bazë të nenit 72, pika 3 dhe pika 6 të K. Pr. Civile, me arsyetimin se për të dy këta gjyqtarë janë të vërtetuara rrethana konkrete e shumë serioze njëanshmërie.

– Nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve Arjan Qafa dhe Enkelejda Metaliaj (Softa), për shkak të kryerjes prej tyre të shkeljeve shumë të rënda, akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Për të dy këta gjyqtarë, është vërtetuar më shumë se një herë konflikti i pastër i interesit me kompaninë “Gener 2”.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë:

– Fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasve Arjan Qafa dhe Enkelejda Metaliaj (Softa), me detyrë Gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, për shkak të kryerjes prej tyre të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

E ndodhur përpara vendimit të marrë më 1 korrik nga kjo trupë e korruptuar gjyqtarësh, Bashkia e Tiranës siguron qytetarët e Tiranës se ky vendim, ndryshe nga çfarë kanë thënë mediat pranë Partisë Demokratike, nuk lejon aspak nisjen e punimeve në gropën e shkatërrimit të Parkut të Liqenit. Paralelisht me këtë çështje, në padinë që IKMT-ja ka ngritur kundër Gener 2, në një proces tjetër gjyqësor për mosvlefshmërinë e lejes së ndërtimit, masa e bllokimit të punimeve mbetet në fuqi.

Bashkia e Tiranës do të vijojë betejën gjyqësore, ku tashmë vendimi i datës 1 korrik është ankimuar, si dhe do të denoncojë para opinionit publik gjithë këtë aferë të shëmtuar, se gjyqi për çështjen e kompleksit të 5 pallateve 17 katëshe nën Digën e Liqenit, është i montuar sepse dy kushërinj dhe partnerë të kompanisë “Gener 2” nuk mund të vendosin për shkatërrimin e Liqenit të Tiranës.

Bashkia e Tiranës shpreh bindjen se vendimi i 1 korrikut, i dhënë nga një trupë e blerë gjyqësore me miliona euro, vjen si një kambanë alarmi për nevojën e jashtëzakonshme dhe domosdoshmërinë jetike që ka vendi për miratimin sa më shpejt të Reformës në Drejtësi. Është kjo Reformë, e cila do të pastrojë një herë e mirë gjykatat nga njerëzit e korruptuar, që ua shesin çdo ditë shqiptarëve të zezën për të bardhë, në këmbim të qindra mijëra eurove me të cilat blejnë vila, makina e orë të shtrenjta.

Bashkia e Tiranës siguron qytetarët e saj se kompleksi me 5 pallate 17 katëshe nën Digën e Liqenit NUK do të ndërtohet, pavarësisht turpit të përmasave të këtij skandali të pashoq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *