Overdoza e shthurjes

Ka nisur një vajtim i madh. Janë ngritur në këmbë e po “çjerrin” rroba, flokë e trup nga turpi i mallit që hidhet për konsum në mediat tona, sidomos ato online, njerëz që janë pjesë e kësaj industrie por jo vetëm. Pas Xhesikës, Gugusë, Kallashit  dhe ca të tjerave e të tjerëve, u dëgjua shpërthimi i zërave kritikues. Kaq fortë, ndoshta për herë të parë  në historinë e gazetarisë shqiptare. Por kjo ditë e “zezë vlerash” nuk mbiu krejt papritur. Faqet rozë të suplementeve të fundjavës nga intervistat e lajmet për jetën private, shpejt nisën të mbipopullohen nga banalitete, nga femra që nisën të shiten për nuditetin apo injorancinë e tyre, apo dhe silikonin e tmerrshëm veç për t’i blerë dikush( në kësi rastesh tirazhi qe goxha i lartë). Si për ta adresuar diku fajin, shumë i sheh tek sulmojnë mediat e disa personazhet e tyre. Por, problemi nuk është pse ka gazetari rozë dhe as skandaliteti me të cilin ajo shfaqet herë pas here. Problemi është tjetërkund. Agresiviteti dhe irritimi që ajo ka shkaktuar është  i lidhur me faktorë të tjerë social, politikë, kulturorë, mediatik dhe marketingu. Personazhe si ato që shohim sot të qarkullojnë si anti-vlera kanë qenë përherë dhe shpesh “luks” i politikës apo biznesit, veçse kanë qenë në hije. Më parë këtyre femrave që përdoreshin sipas dëshirave të më të fortëve, nuk u jepej zë; ose nga frika e të qenit të margjinalizuara strukeshin e nuk dilnin nëpër ekrane. Klientët e tyre, ndoshta sot janë të njëjtët me ata të paemërtit që përshkruajnë fizikisht këto vajza. Në hije, shumë nga ata që i sheh të neveritur prej këtyre modeleve, dikur vet mësonin pikërisht shitjen poshtë çarçafëve. Sot të gjithë i tregojnë me gisht këto krijesa, u dalin kundër pse janë ashtu siç janë, por askush nuk merret me klientët e tyre deputetë. Duke anashkaluar dhe faktin që në ekonominë e tregut ajo që cakton rregullat është përherë raporti mes kërkesës dhe ofertës. Ky shpërthim i tanishëm, thjesht  tregon shthurjen e madhe të 25 viteve, e cila ishte në rregull sa kohë nuk na i kishte marrë vesh bota. Ndërsa tani që mbretin  e shohin të gjithë lakuriq, ka nisur kuja e turpit. Tani të gjithë ndjejnë se po i bën pis llumi që kujtonin se nuk do t’i prekte kurrë. Tani shkruajnë pikërisht kundër modelit të vlerave që në heshtje e cepave dhe duke shkelur njërin sy,  lejuan të rritej. Nuk janë aspak ndryshe nga çfarë ndodh në pjesën tjetër të shoqërisë, as këto vajza jo. Ashtu, të fryra nga silikoni, të mbytura nga analfabetizmi, flase deri në krupë, qënie me neurone të vdekura, ato janë fytyra e farës që është mbjellë përgjatë viteve. Tani overdoza ka prekur qelizat e fundit, ndaj po lëngohet pafund dhe fajtoret e vetme janë shpallur ato. Nga ana tjetër, fakti që pak emra seriozë në media kanë mbetur pa shkruar për këtë fenomen, vërteton një aksiomë të vjetër të gazetarisë, seksi dhe gjaku shet. Ndaj loja vazhdon. Është me fitim të merresh me diçka që është në modë!/ Shkrimi nuk ka autor pasi  një shënim redaksional i Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *