ORNITOLOGJIA POETIKE NË VARGJET E FATOS ARAPIT (Mes gjuhës së zogjve dhe gjuhës së hijeve)

Poeti Fatos Arapi, u largua nga jeta tre vjet më parë, më 10 tetor 2018. Gazeta GazetaPasqyre.al e përkujton sot me anë të këtij shkrimi.

Alisa Velaj

Në vjeshtën e jetës tokësore, në vëllimin më të mbramë “Një buzëqeshje e pabesueshme”, krahas shumë perlave të tjera poetike, Arapi do të na dhuronte edhe poezinë minimaliste Armiku, ku gjejmë vargjet: “Ti e njeh gjuhën e zogjve, -/bisedo me ‘ta://njeh gjuhën e hijeve, -/folë me hijet”. Gjuha e hijeve është mëma e shpirtrave të pashpirt dhe tiranive, është vetja jonë armike, ndërsa gjuha e zogjve, apo shpirtrave qiellorë[1], në një pjesë të begatë të krijimtarisë së poetit, shndërrohet në një simfoni të bukur të gjuhës së lirisë dhe tingujve të dritës. Ka aq shumë lloje zogjsh të pranishëm me këngët dhe flatrimet e tyre nëpër vargje, sa mund të themi se ornitologjia poetike ngjiz imazhe të fuqishme simbolike dhe alegorike në lirikat e Arapit. Kjo ornitologji poetike përmban tri lloje zogjsh: zogj malli prej gëzimi dhe trishtimi të dhembshur njerëzor, zogj të bukur prej trishtimi hyjnor dhe ca pak, fare pak  zogj të murrmë, pa kurrfarë drite trishtimi në sy. Shumë zogj i ndjejmë kur cijasin hapësirave të gjera cicërimat blu në fortunë.[2] Përmendim pulëbardhat, zgalemin, pelikanin, korbin, pëllumbat, guguftutë, shpendin e tetorit, harabelin etj., etj.
Fluturakët mund të jenë simbol i një stine, p.sh.: vjeshtës dhe pranverës, si në vargjet “Me vete lexoj vargjet qiellorë,/të poetit prej bryme -zogut vjeshtor” (Nëntor), ose “Për ku shpejton ti, shpend i Tetorit?/Intrigant i purport/çfarë kurthesh të reja zemrës m’i ngre?” (Tetori), apo “Ëndërron zambakun e majit/Pikëllim i kaltër/harabeli i Tiranës” (Harabeli i Tiranës) etj, etj.
Në të tjera krijime, pulëbardha dhe zgalemi ngjizin imazhet tragjike të unit lirik, të pakuptuar prej të tjerëve në misionin e tij drejt dritës dhe lirisë.

Në poezinë “Pulëbardha e ngjeshi gjurmën”, vetë natyra, duke iu kënduar himne ujërave (përflakja e diellit: tymon e nuk shuhet), ofron imazhe të dritës së zgjuar pambarimit. Ardhja e pulëbardhës, flatrimi i saj, përndrit dritën. Proces shenjtërimi i ardhur, falë derdhjes së këngës së saj mbi zërat e bardhë të kaltërsive shkumbuese. Shpendi feniks i rilindur shkrihet në një me pavdekësinë e këngëve të tij dhe të natyrës. Më tepër se mitin e krijimit, këto lirika të Arapit gjenerojnë mitin e rikrijimit, pas rikthimit të Natyrës në gjendjen rrënuese të kaosit. Aty ku kaosi është sundues absolut, det-vdekja s’ka si të mundet ndryshe veçse me det-jetë dhe det-dashuri. Mirëpo ndodh që det-dashuria të ngjizë shpendë, më këngë të pakuptuara prej detit që i ka sjellë në jetë.

Tani zgalemi tek unë godet,
rreh sqepin e fortë në shkëmb,
fjalë për fjalë rrokjezon
shpirtin e tij.

Qenia e pakuptuar në alegorinë e zgalemit, e rrokjezon fjalë për fjalë misionin e tij shpirtëror. Përpara se të kuptojmë, duhet së pari të mësojmë të lexojmë. Është e vetmja mënyrë për të shterur deri në fund kumtet e testamentit të dritës. Vargjet përmbyllëse “Nuk është i bindur zogu,/a e kupton deti/dhe unë…” në lirikën E sajoi reja zogun e shpalosin moskuptimin në dy optika vështrimi; uni kundrejt moskuptimit të tjetrit dhe uni kundrejt moskuptimit të të tjerëve. Tragjikja shumëfishohet nga njëri moskuptim në tjetrin prej qenieve të paditura, apo drejt detit të qenieve të paditura. E njëjta qenie e pakuptuar është ishulluar fare në lirikën “Në ishull”. Dhimbja universalizohet në trajektoren rrethore prej shpirtit të shpendit në shpirtin e poetit. Është klithma e robëruar e lirisë ngujuar në një zog nate, duke hedhur farëra dhe në shpirtin e poetit.

Poeti lexon gjurmët e zogut të natës, alteregos së tij vetmitare, e cila gdhihet befas ishull vetmie, duke u shndërruar kështu në një ishull brenda ishullit (Tek vetja kthehem dhe e gjej më të madhe).

Sipas studiuesi Ilia Lëngu, zogu i bukur i trishtimit është shndërruar tashmë në një imazh tmerrësisht tragjik të zhgënjimit jo vetëm të poetit, por të njeriut shqiptar në përgjithsi.[3] Zogu i guguftusë ngjiz imazhe të trishtimeve të dhimbsura njerëzore në poezinë Gaboi guguftu e Vjenësku vargjet – Gaboi gugufru e Vjenës, gaboi./ Shpupuritëse, mbi plagën e hapur u ul./Aty i derdhi gugutë e dhimbshme, aty”-, janë jehona e pikëlluar e këngës së përvajshme të poetit. Elegjia e pambarimtë e qenies së trishtuar që duket se e ndjek pas si hije rigjenerimi i një dhimbje pa cak e zanafillë. Një elegji që nuk del dot kurrsesi nga kufijtë e saj, për shkak se pikëllimi thellë saj ujitet nga gjithfarë trysnish të jashtme dhe të brendshme. Por guguftuja është shpesh elegjia e poetit për Tiranën e tiranive dhe atdheun që gdhihet e ngryset vetëm nën këngë vaji, prej gjuhës së hijeve dhe vdekjeve të harruara fenikse. Vaji i pashoq i guguftusë degëve të pemës shndërrohet në klithmën e Arapit për shkëputjen e shqiptarëve nga pema e jetës dhe rendjen drejt ca oazave ku ndjehen tragjikisht mirë.[4] Zogjtë e murrmë dhe të largët, ata që kanë humbur kuptimin e dashurisë së kulluar, dashurisë që dashuron pa kërkuar të sajat janë shkaktarët e rrënimit të shoqërisë tonë.

Në poezinë Papagajtë, prania e më tepër se një papagalli në degët e skeletit të poetit, tregon se ky i fundit është një shumësi klithmash, jo thjesht një klithmë e vetme. Shumësi klithmash dhe jehonash klithme. Kthimi te njeriu është kaq i vështirë, përderisa tani nuk jemi më trupa, por skelete (Në degët e skeletit tim/ulen papagajt). Nuk jemi më mendim i kthjelluar, por njësoj si papagajtë, përsërisim fjalë të pakuptueshme. Ka humbur udhën fjala, ka humbur udhën e vërteta dhe idealet që ndërtojnë një shoqëri.

Si çelën kështu në këtë Shqipërizezë,
të më plasin shpirtin, të më nxijnë jetën…
 
Në poezinë Korbi poeti e sheh simbolikën e këtij shpendi në mënyrë shumë të ndryshme prej perceptimit që mbart ka në traditën folklorike shqiptare si simbol i së keqes. Michael Ferber jep këtë shpjegim për simbolikën e korbit në librin e tij “Fjalori i simboleve letrare”: “I pari korb në Bibël është i pari ndër katër zogjtë që Noeu dërgoi të shikonin nëse dukej tokë. Korbi “shkoi tutje-tëhu, gjer kur toka u lirua nga ujrat e përmbytjes” (Zanafilla. 8.7). Si kërmë-ngrënës, mbase korbi gjeti diçka të ngrënshme që pluskonte mbi ujë dhe nuk u kthye më në arkë: çka është shenjë e mirë.[5] Me sa duket poeti shqiptar i mëshon më tepër simbolikës biblike, duke e parë korbin si një alterego të unit lirik. Dialogimi me korbin është për të një kumt i mirë. Një lloj shprese se tragjedia e përmbytjes së njeriut shqiptar dhe më gjerë në ujërat e së keqes, do ta ketë shpëtimin e saj në një tokë të re dashurie, vetëm falë kthjellimit për të njohur shenjat e vërteta të klimës së duhur ku duhet të lulëzojnë shpirtrat e përtërirë. Në tekstin poetik ky rrugëtim i duhur merr kuptim falë ndjenjës së mirënjohjes, mençurisë dhe urtisë. Korbi i Arapit e njeh dhe i përfalet njeriut që e ndihmon të mbahet gjallë. Korbi si simbol i poetit që kërkon idealet që do ta ringjallnin shoqërinë tonë të ndotur prej fryme tiranësh.

 

Kurse shpendi ka sy aq të mençem, aq të urtë:
e njeh dorën që hap dritaren,
zërin që i flet:
dhe më sheh ndër sy i gjori plak.

Përsa u përket zogjve të mallit prej gëzimi dhe trishtimi të dhembshur njerëzor, ata i gjejmë anekënd lirikës së dashurisë dhe të tillë janë dallëndyshja, zogjtë e detit, pelikani i vetmuar, fazanët, zgalemi i plagosur. Një pjesë e këtyre zogjve fluturojnë në sytë e së dashurës, kur uni lirik e ndjen dashurinë si gëzim të pamatë, si ndjenjë që e bën të dashuruarin më të bukur, më të paqtë, më të dlirë. Dashuri që mbush shpirtin, tokën dhe merr fluturimin e saj drejt qiejve, për t’i ngjyer flatrat me mrekullinë e gëzimit qiellor, për t’u rikthyer më e shenjtëruar në tokën e shpërthimit të saj. Ndërsa në pjesën tjetër këta zogj janë shpirti i plagosur i poetit prej ndarjes, dashurisë që nuk mori dot flatra për të qenë një gëzim i plotë, por përkundrazi mbeti një dashuri e pambaruar, kujtimi i së cilës do ta tronditë përherë shpirtin e papërmbushur. Ka përherë një mall të brymtë, një nostalgji të pashërueshme për dashurinë e madhe, ku ajo shfaqet si e barabartë me diellorët.

Tregomë gjurmët e fazanëve në ajër
dhe unë i sjell sërish nëpër sytë e tu. (S’të njoh dot më)

Dashuria merr kuptim vetëm falë lirisë dhe liria është një zog që s’njeh prangim. Si nuk njeh prangim shpirti poetik i Arapit, përherë i marrosur pas çdo lirie të lirë. Një unë lirik i mahnitur prej gjuhës së zogjve, larg, tri jetë larg gjuhës së hijeve.

 


[1] Në poezinë Zogut që më ra te këmbët, poeti i drejtohet zogut me togfjalëshin shpirt qiellor.

[2] Vargje nga poezia Zemrën time, si bujqit arrën.

[3] Lëngu, Ilia. (2007). Vështrimi i Orfeut. Tiranë: Argeta-LMG, fq. 18.
[4] Titulli i një poezie të Arapit.

[5] Ferber, Michael. (1999). A Dictionary of Literary Symbols. USA, Cambridge University Press, fq. 166.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *