Orikum, aty ku modernia pikëtakohet me lashtësinë

Nga Luan RAMA

Orikos, Orikum, një vend legjendash. Një sit arkeologjik i panjohur nga publiku i gjerë, jo vetëm për shkak të pozicionit të tij gjeografik, disi të fshehur në gjirin e Karaburunit, por për më tepër nga përdorimi aty i një zone ushtarake në gjysmën e dytë të shekullit XX. Arkeologu Saimir Shpuza në konferencën e mbrëmshme me shoqatën “ALBANIA”, na foli gjatë për këtë sit arkeologjik dhe bazë të vjetër ushtarake të antikitetit, si dhe për burimet antike rreth saj, nga ato helenistike e më pas romake, veçanërisht gjatë luftës së Cezarit e Pompeut në brigjet shqiptare, kur Cezari zbarkoi pikërisht në Orikum për të ndjekur kundërshtarin e tij Pompée drejt Dyrrachiumit, siç e tregon ai në “Guerres Civiles”. Saimir Shpuza i ka filluar gërmimet në këtë sit në vitin 2007, vonë padyshim, pasi atëherë siti sapo u çlirua disi nga tutela ushtarake, çka urojmë të çlirohet plotësisht për ta bërë këtë sit një nga vendet e preferuara të një turizmi të ardhshëm internacional. Gërmimet vazhdojnë me një ekip shqiptaro-zviceran dhe ato janë mjaft premtuese, nga viti në vit, pasi nga imazhi i të ashtuquajturit “teatër antik”, tashmë me zgjerimin e gërmimeve, na sjell mesa duket imazhin e një “agoraje” të mundshme, të një fontane antike apo të një vendi kulti antik mjaft të rëndësishëm, rreth të cilit zhvillohej jeta e këtyre banorëve të hershëm, emrat e të cilëve padyshim një ditë do të na bëhen të njohur, bashkë dhe me historitë e tyre. Libri i Pausanias, historianit grek që flet për Ilirinë ka humbur, çka do të dinim diçka më shumë për atë kohë. E megjithatë, Orikos-Orikum nga romakët, mbetet një vend historie e legjendash, një vend që të frymëzon për nga pozicioni i tij me kodrinën që ngrihet dhe atë imazh mahnitës që shohim nga lart, çka u jep krahë përfytyrimeve tona. Në vitet që vinë, padyshim që Saimir Shpuza me ekipin shqiptar dhe miqtë e tij arkeologë zviceranë (Consagra), do të na befasojë me gjetjet e reja që padyshim kërkojnë një mbështetje aktive dhe të madhe nga qeveria; do të na zbulojnë fytyrat e qytetarëve të lashtë, bashkiakëve, strategëve ushtarakë, fytyrat e perëndive, siç dëshmon ajo kokë e Afërditës që prehet në muzeun e Vlorës, objekte këto që shumë shpejt duhet të zënë vend në një shtëpi-muze të këtij siti. Pinjollët e familjes Vlora që i ruanin me shumë fanatizëm këto objekte, çka ishin një shenjë qytetërimi për ta, me siguri e dinin se një ditë ato do të gjenin vendin e tyre në qytetërimet moderne. Për Orikumin padyshim në vitet e ardhme do të flitej akoma më shumë, ashtu siç është folur për Apolloninë, Butrintin, Komanin, etj.

Siti Orikos-Orikum (i themeluar që në shekullin VI p.e.s.) është sigurisht një perlë e fshehur, e cila shumë shpejt do të zgjohet nga letargjia e shekujve. Një perlë e zbukuruar dhe në kohën bizantine me kishat përreth. Gramata, dy hapa pranë është një parantezë e mrekullueshme dhe joshëse për turistët për të kujtuar kohërat e piratëve të detit dhe udhëtimin e famshëm të basileut Paleolog, rrugës kur kthehej për në Kostandinopojë duke lënë mbishkrimin e famshëm. Duke vështuar mbrëmë Saimirin, dhe gruan e tij arkeologe Etleva Nallbani, papritur, atë e pyeta: Si është jeta e një çifti arkeologësh? – Pasionante dhe e vështirë! – më tha duke qeshur ai, me një lumturi që shprehte gjithë qenia e tij. Agata Kristi kishte fat në vitet ‘30 që shkonte pas burrit të saj arkeolog në shkretëtirat e Irakut e Sirisë në kërkim të qytetërimeve të vjetra. Saimiri dhe Etleva detyrohen ta ndajnë jetën e tyre në një trekëndësh të çuditshëm: Komani, Sarda dhe Lezha në veriun shqiptar, Orikos-Orikum në jugun shqiptar dhe Parisi, ku rritet pinjolli i tyre. Jetë pasiononte padyshim në këtë trekëndësh malli ku pikëtakohet moderniteti me lashtësinë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *