Ode verës

oda e veres

 

 

 

 

 

 

Nga Pablo Neruda

Verë ngjyrë dite,

verë ngjyrë nate,

verë me këmbë purpuri apo gjak ngjyrë topazi,

verë, bijë e yllësuar i tokës,

verë e lëmuar si një shpatë ari,

e këndshme si një velur me onde,

verë që vjen rrotull si në një guackë të nderur,

i dashuruar, udhëtar detesh,

ti asnjëherë s’ke qëndruar në një gotë,

në një këngë, tek një njeri,

ti je kudo korale,

dhe në botën intime gjithashtu.

 

Nganjëherë me kujtime të dhimbshme ushqehesh

ne shkojmë mbi valën tënde, varr më varr,

skalitës guri varrezash të ftohta,

dhe qajmë me lotët e çastit,

por veshja tënde e bukur pranverore është e ndryshme

zemra kacavirret në degë,

era drithëron ditën, asgjë nuk mbetet

në shpirtin tënd të palëvizshëm,

vera eksiton pranverën,

rrit gëzimin siç rritet një pemë,

muret shëmben dhe shkëmbenjtë

humnerat ndërthuren, kënga lind.

Ah, ti qyp vere,

atje në shkretëtirë me të dashurën time të bukur,

thoshte poeti i lashtë

që kanoçja e verës

në puthjen e dashurisë, shtonte puthjen e saj.

Dashuria ime, papritur  ija e trupit tënd,

më shfaqet si kurba e plotë e gotës,

fyti yt është vilja e rrushit, aromat e alkoolit janë leshrat e tua,

kokrrat e rrushit – thithat e gjinjve të tu,

kërthiza tënde vula autentike

e barkut tënd si vazo,

dhe dashuria tënde një kaskadë vere e pashuar,

dritë që ndriçon ndjenjat e mia,

shkëlqimi tokësor i jetës.

Ti nuk je vetëm dashuri,

je puthja që djeg në zemër të djegur,

ti je verë, verë jete,

miqësi, transparencë,

korr i larmë, lule gjithfarësh.

 

Kur flasim, në tavolinë e dua

shkëlqimin e një shishe vere inteligjente,

pijeni, dhe kujtohuni që në çdo pikë të artë

të asaj kupe ngjyrë topazi apo purpuri

vjeshta ka punuar për të mbushur verë në ato,

dhe mëso, o njeri i zymtë

në ceremoninë e tregëtisë tënde,

që të kujtohesh për tokën

dhe asaj që ne i detyrohemi

si dhe të përhapësh kantikën e frutit të saj.

Përktheu Luan Rama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *