Nxirre dorën nga xhepi, kur flas me ty

Ajo shkruan një tekst, ai i dëshiron asaj vdekjen: kolumnistja e DER SPIEGEL Margarete Stokowski i përgjigjet – si përjashtim – një kalemxhiu fundërrinash.

Nga Margarete Stokowski

Nuk po më përgjigjesh më në chat të Facebookut, e unë të pata pyetur se përse, Ruven, po ma dëshiron vdekjen. Ruven, kështu mbase e ke emrin ose ndoshta jo. Emër i bukur. Në faqen babyvornamen.de shkruan se emri yt ka këtë domethënie: pa shihni, një djalë. Thua se prindërit e tu pandërprerë brohorasin që ti ekziston dhe ndoshta është kështu. Por çfarë bën ky djalë? Ai u shkruan grave të huaja në Facebook dhe lutet që ato të vdesin. «Tung derre e shkalluar. Shpresoj se do të fundosesh në nevojtoret tua për transeksualë (transgjinorë)». Kjo ishte, hajde të themi, letra jote si lexues në lidhje me kolumnen time të parafundit. Dhe pasi kjo s’të mjafton, ti pastaj shkruan edhe këtë: «Fuck you». Mbase për të qenë i sigurt se unë po e kuptoj tamam tonin. Pastaj të pyeta se çfarë të nxit. «Shumë i nderuar zotëri [mbiemri], përse shpresoni në diçka të tillë? Përshëndetje, Margarete Stokowski» – pas kësaj ti së paku u përgjigje shkurt: «Sepse llomotitja jote qëmoti ma zë frymën. E tani, pse kaq e sjellshme, a dëshironi të jeni mike e imja në Facebook? Vetëm nëse dërgon fotografi nudo!» Ah, Ruven. Kam fotografi të bukura. Por kjo s’ishte tema jonë, hm? Nxirre dorën nga xhepi, kur unë flas me ty. Sërish pyeta se çfarë të pengon ty, të pengon aq shumë, saqë unë duhet të vdes. Athua çfarë po bëhet me imazhin tënd që ke për gratë, Ruven? A është kjo e tëra që ke për të ofruar në sjelljet e tua ndaj grave, mendimi i të cilave nuk të pëlqen? Që ato të vdesin njëra pas tjetrës apo të të shërbejnë si model për mastrubim? Kjo është pak, Ruven! Ku mbeti djali për të cilin prindërit e tij gëzoheshin aq shumë? A ju shkruan të njëjtën gjë edhe burrave, me mendimin e të cilëve nuk pajtohesh? A e ke pyetur (kolumnistin e DER SPIEGEL) Jakob Augstein nëse mund të dërgojë fotografi nudo? Ndoshta për botëkuptimin tënd do të ishte mirë nëse unë ty të urrej, por s’mund ta ofroj këtë kënaqësi. Madje edhe nëse i bëj grumbull të gjitha emocionet negative që më kanë kapluar momentalisht, prapë s’shpërthen urrejtja. Kam parë fotografi tuat në Facebook dhe kam lexuar se ke probleme shëndetësore. Bëfsh më mirë, Ruven! Dua të jesh i kënaqur, krejt pa ironi. Dhe këtë nuk po e them, sepse kam ngrenë një hipik për kafjall. Por për shkak se në fotografi dukesh i palumtur. Nuk besoj se është zgjidhje e mirë për diçka nëse urren gjithandej nëpër internet, para së gjithash në llogari të njerëzve të tjerë. Sot gëzon vëmendje për këtë, nesër gjithçka harrohet. Thjeshtë nuk është koncept i mirë. Kam lexuar se ke pasur infarkt në zemër, Ruven. Merre me mend po e pate edhe një, të fundit, dhe çfarë do të kishe bërë ti do ishte të dërgoje një mesazh të shkurtër, urrejtës, i cili nuk lexohet kurrë. Natyrisht nuk e ke merituar që të merrem me ty kaq gjatë. Fat i madh për ty, Ruven. E pranoj hapur, ti nuk je ndonjë rast i veçantë. Ka të tjerë që më shkruajnë më ashpër dhe më shpesh se ti. Ata shkruajnë që unë do duhej të dhunohesha nga një grup i madh arabësh dhe pastaj të vdisja. Ose shkruajnë për hakmarrje të përgjakshme dhe shfarosje komplete. Ti vetëm më shkruan që unë të fundosem, në një nevojtore. Mbase është më shumë e mundshme që mua të më shkelë (humoristi) Jan Böhmermann me segway (lloj biçiklete elektrike, v.j.) se sa të fundosem në nevojtoren e transeksualëve (transgjinorëve), por mendimet janë të lira. Edhe Einsteini e ka këshilluar Marie Curie të mos lexojë komente online, si të thuash. Natyrisht nuk bëhej fjalë për internetin. Por mesazhi ishte i qartë: «Nëse fundërrinat merren edhe më tutje me ju, atëherë mos i lexoni më këto llomotitje». A je ti llumi, Ruven? Po të shkruaj sepse pyes veten përse njerëzit dërgojnë këso mesazhesh urrejtëse. Po të shkruaj edhe për shkakun se më pëlqen emri yt, i cili ndoshta nuk është fare emri yt, ndoshta ti quhesh Manuel Neuer. Dhe sepse në qytetin ku ti banon unë njëherë kam qenë për pushime. Një qytet mbresëlënës, i njohur për atë se njerëzit me fe të ndryshme jetojnë shumë afër njëri-tjetrit. Kuptohet jo përherë paqësisht. Por në pjesën më të madhe të kohës ia dalin disi. A po të zemëron kjo, Ruven? Që njerëz me botëkuptime të ndryshme ekzistojnë paralelisht? Nganjëherë më akuzojnë për këtë: që unë nuk mund të duroj kur njerëz të tjerë kanë mendime të tjera? E vërteta është se unë këtë e duroj shumë mirë dhe praktikisht jetoj nga kjo. Ndoshta ti tani do të thuash: kush sulmon, duhet të pranojë edhe goditje. Kjo është madje e vërtetë. Një pikë për ty, Ruven. Por unë besoj se kjo shprehje domethënë që mendimet t’i durosh si mendime dhe shuplakat si shuplaka dhe jo dëshirat për vdekje si mendime. Përse, Ruven? Përse po ma dëshiron vdekjen – apo ishte vetëm metaforë? Përse? E kam lexuar njëherë një roman, aty personazhi kryesor quhej si ti, dhe ai Ruveni tjetër i binte violinës, një talent i jashtëzakonshëm, por një njeri plotësisht i shkatërruar. A luan ndonjë instrument, Ruven? Bytha nuk numërohet. A të pëlqen të lexosh romane? Apo libra non-fiction? Apo nuk ke kohë për libra, sepse lexon kolumne? E pakëndshme. A mos po të detyron nëna? A e ke parë këtë hulumtim të «Guardian», ku i kanë analizuar 70 milionë komente online? Ndonëse te «Guardian» (si gjithkund tjetër) shumica e mendimeve shkruhen prej burrave të racës së bardhë, në mesin e dhjetë autoreve dhe autorëve që janë fyer më së shumti janë tetë gra dhe dy burra zezakë. Temat kur shumica e komenteve duhej të bllokoheshin ishin Izraeli dhe Palestina, feminizmi dhe dhunimi. Temat me më së shumti komente të pranueshme ishin fjalëkryqet, kriketi, garat me kuaj dhe xhazi. E di se do të më shkruanin edhe më shumë njerëz si ti, Ruven, nëse unë, për shembull, do të bartja shami. «Nuk kam më dëshirë të jem pastruesja e kombit», ka thënë të mërkurën Kübra Gümüsay në re:publica, «të pastrojë bërllokun mendor të të tjerëve, vazhdimisht». Mund t’i rrënosh njerëzit duke iu dërguar mesazhe urrejtëse. Por e di ku është paradoksi – dhe tash kujdes Ruven: nëse në këto mesazhe nuk argumenton, por vetëm llomotit, atëherë nuk ndryshon asgjë. Është mënyra më e marrë për të reaguar. Sot është dita e vetme në jetën tënde, kur unë marrë kohë për ty, dhe shiko, ti s’ke arritur asgjë, unë ende jam feministe dhe ende angazhohem për nevojtore të veçanta për transeksualë (transgjinorë). Ah, sa keq. Ishte shansi yt, Ruven, sado i vogël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *