Nga Monika Shoshori Stafa
Makina rrëshqiti me kujdes në asfaltin e lagur prej një shiu tetori dhe vezullimi i dritave të saj më nxiti shikimin të hidhja sytë lart, drejt tabelave që udhëzonin këdo “makinist” t’i drejtohej qendrës së qytetit. I isha larguar shkëlqimit berlinez e tani po përpiqesha të risillja në vëmendje për aq sa kisha lexuar se cfarë ishte Nurembergu. Në mendje mu sollën gjyqet e pas Luftës së Dytë Botërore dhe prokurori amerikan Robert Jackson, i cili u emërua nga presidenti Truman në vitin 1945 për të gjykuar kriminelët nazistë të luftës. Prej këtej, asgjë më shumë për Nurembergun s’më vinte ndërmend. Ah, dhe dicka; argumentet të cilat Jakson ia paraqiste Gjykatës në qytet, kur ngriheshin akuza të mjaftueshme kundra kriminelëve të luftës, ishin përcakuar të hynin në grupin e fjalimeve më të mira të shekullit 20- të.
Nurembergu është qyteti i dytë më i madh pas Mynihut në landin e Bavarisë dhe qyteti më i madh në pjesën frankofone të tij. Shkrimet historike tregojnë për të, se në shekullin e 15-të, qyteti me rreth 25. 000 banorë shënonte qytetin më të madh të hinterlandit gjerman.
Kisha përshkruar në këmbë një copë rrugë në atë muzg të lagët ndërsa makina me ngjyrë të errët prej disa minutash më kish përcjellë në adresën ku ishte porositur. Qyteti i vogël dhe kërshëria për të parë tej asaj cfarë vëreja nga xhamat e hijshëm të makinës luksoze më hutoi shqisën e ndjesisë për ta falenderuar më gjatë prurësin, si ia donte ënda. Nurembergu do të ishte pikëtakimi tjetër i imi në këtë javë të ngjeshur me njohje dhe informacion. Sapo isha vendosur dhe megjithëse kisha përshkruar një rrugë jo pak të gjatë prej Berlinit nuk pata asfare dëshirën për të hyrë brenda në dhomë. Dy mikpritëset e mia prisnin nën ankth mbërritjen ndërsa telefonat e shpeshta të tyre gjatë rrugës për cudi nuk më kishin mbërritur. Dreq o punë, kisha shfryrë me vete,…telefoni i mbyllur, bateria e rënë dhe meraku tej aparateve bezdisës rritej ngadalë.
Është gjithmonë e rëndësishme për një të ftuar si unë që të vazhdoj të bëjë përshtypje të mirë në pritjen që më ishte rezervuar nga miqtë e tjerë në Nuremberg. Sepse këtu afria do të jetë më ndryshe dhe komunikimi më i drejtëpërdrejtë. Në këto pak ditë, në Nuremberg kish lindur një shoqëri e re me një grup tjetër personash të panjohur me të cilin do të duhej të bashkëjetoja, jo dhe aq pak ditë. Nesër këta njerëz të sjellshëm do të më shoqëronin me dëshirë nëpër historinë e Nurembergut, një emocion i padurimtë të cilin po e prisja e lumtur si ndonjë fëmijë.
Ndërsa në Berlin kisha lënë pas një grup mondan në tërësi dhe një shoqëri të larmishme e interesante, ata që takova në Nuremberg ishin të gjithë gjermanë tipik në stil dhe qëndrim. Ndërsa në tryeza bisedohej për planet afatshkurtra dhe të mesme të miqve të mi, ndër mend coja krahasimet mes dy qyteteve gjermane. Nurembergu, ndryshe nga Berlini nuk më dukej se ishte aspak i prekur nga euforia që përfshinte në përgjithësi, qytetet në progres të vazhdueshëm. Që këtej nuk ndjehej aty, asgjë nga mënyrat perverse e të komplikuara që shpikeshin aty për aty, që jeta të shijohej sa më lehtë.
Të nesërmen vesa e shiut më bëri të ndal këmbët që i ndjeja të lehta prej gjumit të gjatë, në një librari të vjetër, në mes të qytetit. Prej kundrimit me vëmendje të lëvizjeve të banorëve, kuptova se thellësisht ata ishin ndryshe nga berlinezët. Këtu nuk do të kisha aspak shpresën për të soditur asnjë epikuran të gëzuar. Përkundrazi në vend të tyre, pashë njerëz të shqetësuar, përgjues dhe të kujdesshëm e po aq paragjykues për gjërat që do të ndodhnin. Në Nuremberg nuk gjeje caste veprimi të njerzve mendjelehtë.
Pas një copë here në derën e librarisë vendosa të hyj brenda për të shijuar me sy e prekje, kartolinat dhe librat që gjeta për së pari në vitrinën e saj. Diku në një poster të madh lexova me germa kapitale “Nuremberg”. Pse “Nuremberg” në thojza ?, shqiptova me habi nën zë duke menduar se cila qe ajo arsye që emri i qytetit të vogël ishte markuar ashtu. Nurembergu nuk është aspak dicka që dikush e tha një herë, dy apo madje edhe më shumë. Përkundrazi, ai është një vend/ qytet që ekziston plot me banorë të vërtetë e që bëjnë jetën e tyre të vërtetë. I kërkova shpjegim cicerones sapo u turra drejt derës së librarisë. Sipas saj këto shenja markuese gjuhësore, tek “Nuremberg”, tregojnë se ekziston në vetëdijen e qytetit edhe një formë tjetër e qytetit, pra një qytet tjetër, një qytet hije i cili qysh në krye të herës ka ekzistuar së bashku me atë tjetrin, qytetin e vërtetë. Prej saj, mësova më vonë, se Nurembergu ishte një qytet i krijuar prej miteve dhe ëndrrave. Ai jeton njëherësh, të qënit metropolitan në llojin e vet, duke ruajtur edhe dimensionin e “frymës” në një formë tjetër. Shpesh kur ecën në rrugët e tij të ngushta diku, e pak më të gjera më sipër, të duket se ai është realisht një qytet, si gjithë të tjerët. Por të duhet një shqisë tjetër tej njerëzores, për të kuptuar se Nuremberg nuk jeton i vetëm. Rreth tij, natën, legjendat me mite dhe apostujt që ngrihen e flasin në gjuhën e tyre të sillen rrotull si të ishin të vërtetë .
Kërkimi do më conte të arrija në përfundimin se ka vende në botë të cilat edhe pse shumëkush nga ne nuk i ka vizituar kurrë, duket sikur i njohim. Nëse i dëgjojmë shpesh emra të tillë si, Potsdam, Waimar, Nuremberg, etj., secili nga ne do të parafytyronte imazhe të sakta të një periudhë të caktuar historike. Përvec ekzistencës së tyre të vërtetë fizike, këto qytete mbartin dhe një realitet tjetër, një realitet ëndrrash dhe kujtimesh. Ato vazhdojnë të jetojnë aty nën “frymën” e gjithë epokave që ikin një e pas një, të papërshkueshme nga shkatërrimi dhe pa asnjë keqardhje ndaj asaj, që botët e reja sjellin në cdo kohë.
Kështu, Potsdami i njohur me Paradën e famshme të “Gjigandëve” aty nga mesi i shek. të 18-të, dhe Beteja e Hohenfriedbergut e njohur si një nga fitoret më spektakolare të Frederikut të Madh, do të vazhdojë të jetojë gjatë në kujtesën kolektive të gjermanëve edhe pse Postdami sot është kthyer në një cep periferik të Berlinit të madh; e kjo është dhe arsyeja përse Nurembergu i loxhave masonike me maestrot e muzikës mesjetare është ende më shumë i gjallë se Nurembergu i sotëm, i famshëm për prodhimin e lodrave për fëmijë dhe për klubet e futbollit. Në fund fare, këto qytete mbeten periferike vetëm për nga mënyra se si zhvendosja strategjike në rrafsh gjeografik e politik i ka përkuar me realitetin e sotëm. Por sigurisht në fund fare, ato do të mbeten thellësisht qytete të mbuluara nga misticizmi legjendar.
Dëshira për të dëgjuar vazhdimisht rreth kësaj qasje të qytetit teksa ciceronia shpjegon me pasion historinë e ndërtimit të kështjellës së qytetit, e më pas edhe personalitetin e dyfishtë të Albrecht Durer, piktorit, artistit dhe teoricienit të Rilindjes gjermane atëherë e kupton qartazi se si u shkrua edhe muzika e Vagnerit atje, që cmendi për një kohë të gjatë, Mbretin e Bavarisë, Ludvigin e II-të, të ashtuquajtur Mbreti- Mjelmë për shkak të shpirtit të tij të butë e të trishtë njëkohësisht.
Nuremberg dhe “Nuremberg”. Qyteti real, të cilin unë po e prekja teksa ecja cdo minutë rreth rrugëve të tij dhe ai sureal, me mbulesën e muzikës së Vagnerit dhe mitet që e shoqërojnë atë. Kjo është një ndër arsyet përse vizitorët zgjedhin të shkojnë në Nuremberg, ku endja mes reales dhe sureales mbetet një udhëtim fantast i këtij qyteti “nën hije”.
Mbrëmja ra e qetë në qytetin me të cilin ëndrrat nuk jetoheshin të trazuara. Ndaj dhe gjumi, mbrëmjen e dytë më solli arratisjen tej liqeneve gjermanikë të cilët më erdhën kaq të panumërt para syve, sa rrezja e bardhë e mëngjesit të vonë më bindi të zbuloja sa gjatë kisha fluturuar. Një ditë e bukur pa diell në vazhdim, më priste sakaq. Miket e mira, Arlinda dhe Herolinda, do të më shoqëronin deri tek muret që rrethonin qytetin e që për shumë kohë, kishin shërbyer si fortifikime mbrojtëse ndaj sulmeve të armiqve të ndryshëm. Kështjella brenda tyre ishte simboli i vetëm i një qyteti që jetonte me legjendën dhe kjo ishte një arsye e madhe përse kopja e tij në Disney World tundonte turistët nga e gjithë bota.
E sjellura e ngadaltë e cicerones më kish bërë të mendoj në atë cfarë kisha mundur të përthithja prej qytetit. Një mik i imi më kish ndalur me habi tek ajo cfarë i kish ndodhur Nurembergut, në tërësi. Shiko, kish vazhduar mburrjen e tij me qytetin e huaj, një qytet i tërë që shembet kohë pas kohe dhe që rindërtohet edhe njëherë ashtu si ishte, tullë për tullë. Më thuaj, kish vazhduar ai, ndonjë qytet tjetër në botë me të cilin mund ta krahasosh me Nurembergun në këtë qasje riprojektimi. Sigurisht, mendova nën zë, shqetësim kryebashkiaku, i drejtë dhe i ndershëm mjaftueshëm për aq sa ia njoh përkushtimin për detyrën që ka marrë përsipër ta kryejë. Por historia është kaq e ndryshme me atë cfarë ndodh realisht me Tiranën tonë. Sepse të dyja qytetet kanë botë të përkundërta megjithëse ai se pranoi asnjëherë këtë tezë timen.
Schonner Brunen (Burimi i Bukur), p.sh. në sheshin e qytetit të vjetër është thjesht një kopje e origjinalit, mbetjet e të cilit sot janë vendosur në Muzeun Kombëtar Gjerman. Në shekullin e 19-të, projektuesit e qytetit u mblodhën qëllimisht në përpjekje e sipër, për t’i ruajtur dhe shtuar vlerat historike e mesjetare të qytetit, për ta bërë Nurembergun si ai ishte më parë. Nuk është rastësi gjithë ky rrezatim i ëndërrt i Nurembergut nga turistët e huaj. Është një proces i tërë mendimi i kalkuluar deri në detaj për ta zbukuruar dhe ushqyer “frymën” e shenjtë që ai trashëgon nga e kaluara. Kjo duket të jetë tërësisht e vërtetë nisur dhe nga një fakt tjetër kur në Nuremberg, në vitin e largët 1945 pothuajse i gjithë qyteti i vjetër, u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ai i sotmi u ndërtua pas luftës. Sot ai që ne shohim është një Nuremberg i ri. Dhe kjo është arsyeja përse qendra e qytetit quhet ende “Atlstadt”, qyteti i vjetër.
Historia e shenjtë e qytetit e fshehur mes portave të vjetra të tij rrëfen se Nurembergu ishte parashikuar të shkatërrohej. Studiuesit shkruajnë se rindërtimi i tij pas luftës ishte një “testament” i këmbënguljes për ta mbajtur ndezur ëndrrën e këtij qyteti. Pjesa fizike dhe e vërtetë e qytetit shtrihet nën rrënoja por ëndrra e këtij qyteti fshihet sipër në “frymën” dhe nënvetëdijen banorëve që jetojnë aty, ata të vërtetët. Mendimet për Nurembergun e mesit të shek. të 20-të me nazistët nga njëra anë dhe aleatët fitues nga ana tjetër, e kishin fshirë thuajse prej kujtesës europiane pamjen romantike të qytetit. Gjatë dy shekujve të fundëm ai ishte një nga qytetet më të spikatura dhe më të fuqishme të tokës mitike gjermane që u rrit nën dallgët e fuqishme të ndërrimit të epokave, në ndryshim të gjithëhershëm, gjithmonë në marrëdhënie të vazhdueshme me qytetet e tjera dhe të tjera mite brenda tyre. E që këtej ato ecën njësh edhe me kombin gjerman si të tërë. Prej këndej lindi dhe miti i Nurembergut si qyteti që zhvilloi e forcoi nacionalizmin tek populli gjerman.
Frojdi shkruante shpesh në retorikat e tij me elitën e kombit gjerman se të studioje psikoanalizën e gjermanëve, duhet të filloje së studiuari dy Nurembergët që përfliteshin se ekzistonin në Gjermani. “Eksplorimi im mbi Nurembergun, shpjegonte ai, është një përpjekje për të protretizuar ‘frymën’ gjermane dhe evoluimin e saj”. Prej këndej në mendje më rrotulloheshin përgjigjet mbi atë, se përse në pjesën më të madhe të historisë së saj Gjermania, nuk ka pasur një kryeqytet të përhershëm. Nuk ka pasur një metropol ku të përqëndroheshin të gjitha pushtetet; ai ekonomik, kulturor, e politik në një qytet të vetëm. Franca e kishte të vetin, Parisin; Anglia kishte Londrën; Gjermania nuk kish asnjë të këtij lloji. Berlini është relativisht një qytet i ri dhe për pjesën më të madhe të historisë, ai nuk i ka gëzuar funksionet e plota të një kryeqyteti me meritë. Madje edhe në 1991, Bundestagu gjerman mezi vendosi ta bëjë Berlinin qendrën e administratës shtetërore, pasi të dyja Gjermanitë u bashkuan në rrafsh kombëtar. Pothuajse gjysma e përfaqsuesve të parlamentit gjerman, të cilët votuan më 20 qershor të atij viti, donin që ta mbanin qeverinë dhe administratën e saj në Bon, një qytet i vogël që thirrej me tallje nga vetë gjermanët me nofkën “Bundeshauptdorf”, (kryefshati i federatës).
Historia e Gejrmanisë është një histori konkurruese mes rajonesh e qytetesh gjithashtu. Gjermania është një histori e shumicës dhe jo e pakicës. Dhe pikërisht kjo lloj historie e kryer prej një shumice ku spikat mentaliteti krahinor gjerman përfaqsohet më mirë në Nuremberg sesa në Berlin. Sociologu gjerman Ralf Dahrendorf, nuk gabon kur shkruan se “Gjermania nuk është përqëndruar në një kryeqytet të vetëm” dhe se “Republika Federale jeton në qytetet e saj të vogla” dhe jo në Berlin. E ndoshta për këtë arsye, gjermanët kanë pranuar një vend si Nurembergu, të përfaqsojë Gjermaninë e vërtetë më shumë madje sesa Berlini vetë. Madje edhe në provincializmin e vet, Nurembergu mbetet një përfaqsues i denjë. Gjithsesi cdokush që mundohet të përfytyrojë dicka të fundme prej udhëtimit të tij do të duhet të mendojë se nuk mund të ketë një histori që varet nga vendi, e po aq asnjë vend që varet nga historia e tij. Sepse të dyja këto koncepte mbeten thellësisht të ndërthurura pazgjithshmërisht, me njëra- tjetrën. Dhe Nurembergu me “Nurembergun” mistik janë modeli më i bukur i këtij shpjegimi.