Nukudi-dhët e Shqipërisë… dhe të Menidhit, banorët rreth Athinës nuk dinin greqisht

Nga Kristo Zharkalliu

Në gazetat e Tiranës u botua një artikull i vitit 1901 nga “Jurnal Junior” e Minneapolis ku thuhej se…“në vitin 1901 se në një fshat, Salësi (Shalësi-kzh) 19 kilometra (larg apo afër?!) Athinës banorët flisnin vetëm shqip dhe nuk dinin fare greqisht”

Që të kuptoni sa i kotë është “zbulimi” ju them se në atë kohë kudo në Atikë flitej shqip.

Doni ca emra? Menidhi-tani është brënda Athinës-jo aspak 19 kilomnetra. Liosha (nga i famëshmi Petro Losha!) Varibobi nga “Varri i Bobit “(Gjin Bue Shpata)…këto të gjitha janë brenda Athinës tani. Mos doni diçka më konkrete? Lagjia më e vjetër e Athinës rreth Akropolit quhet…Plaka! Kur akoma Athina nuk ishte bërë kryeqytet i Greqisë dhe turqit nuk kishin thyer qafën, aty banonin “shqiptarë”që për çudi flisnin gjuhën shqipe!

Qe të mos bëjmë fjalë për rrethinat e Atikës-një shëmbull tipik aeroporti i Athinës është ndërtuar pranë fshatit Shpat dhe kështu quhet edhe tani… Që të mos flasim për Lopësin, Kryekuqin, Vilasin , Elefsinën Sallaminën, Kundurën, Qyrkën etj, etj, akoma dhe për Dervenohorët ku arvanitasit trima të 12 fshatrave nuk lejuan të shkeleshin nga nazifashistët duke luftuar heroikisht nëpër qafat rreth fshatrave të tyre.

Të gjitha këto janë të njohura-i kanë shkruar vetë grekët jo vetëm për arvanitasit e Atikoviotias por edhe për Korinthin, Pelloponezin, Ahaian dhe domosdo për ishujt e famëshëm Speces dhe Hidra nga ku dolën kapedanë të shquar të revolucionit grek të 1821-së…

Dhe këtu del pyetja vetvetiu: këta zbulues pse nuk bëjnë mundimin të shkojnë në Bibliotekën Kombëtare të Athinës që të gjejnë me dhjetra botime për arvanitasit ose të hyjnë thjesht në internet dhe të kërkojnë ose të pyesin për Kulluriotin, Furiqin, Birin Marungën dhe Aristidh Kola e shumë të tjerë?

Pse habiten me shkrimin e një gazetari të huaj që paska… zbuluar fshatin “Salës” 19 kilometra larg Athinë ku flitej shqip?!!

Që ta bëjmë pak gazmore shkrimin le të paraqesim disa ngjarje rreth arvanitasve. Përafërsisht në kohën e gazetarit të huaj që paraqitet,në Menidhi u hap shkolla e pare fillore greke. Ditën e pare pra kur shkolla u mbush me djem (vajzat akoma nuk i lejonte prifti, prindi dhe…kanuni!) Mësuesi i ri pra donte të bënte regjistrimin e nxënësve si bëhet zakonisht Filloi pra:

Si të quajnë ty?-pyeti nxënësin e pare . Djali ngriti supet dhe u përgjegj: “Nuk e di!” “Po ty si të quajnë?” pyeti të dytin “Nuk e di”u përgjegj dhe ky. Ai regjistronte se quheshin “Nukedi” por u habit së tepërmi kur edhe i treti dhe i katërti, të gjithë kishin dhënë përgjigjen “Nuk e di” dhe mësuesi besoi se të gjithë kishin të njëjtin mbiemër “Nukedi” dhe i regjistroi të gjithë me radhë “NUKEDI-dhes” Në mbrëmje mësuesi shkoi në kafene ku ishin disa burra që dinin pak greqisht. I pyeti: “Të gjithë në këtë fshat jeni farefis?” “Jo,pse?” e pyeti dhe fshatari i moshuar. “Por si bëhet që kini të gjithë të njëjtin mbiemër?” “Kush tha se paskam të gjithë një mbiemër?” u habitën burrat që e dëgjonin. “Ja-tha mësuesi- të gjithë fëmijët i regjistrova me mbiemrin “NUKEDI” se kështu më thane kur i pyesja.” Burrat-ata që dinin greqisht-nisën të qeshin dhe njëri nga ata i shpjegoi-po duke qeshur “Ata nuk të thane mbiemrin se nuk kuptonin se çfarë i pyesje, meqënëse nuk dine asnjë fjalë greqisht. Thjesht përgjigjeshin arvanitëshe “nuk e di” se nuk dinin se çfarë i pyesje!!!” Mësuesi mbeti gojëhapët dhe e tregonte gjatë gjithë jetës këtë ngjarje duke qeshur dhe vetë.

Tregojnë për ishullin Spece nga ku ka qënë Bubulina e njohur. Pasi ishte formuar shteti grek një pasardhës i Bubulinës- që quhej sigurisht Bubuli ishte zgjedhur deputet në Parlamentin grek. Ishte njeri i nderuar në ishullin e tij Bubuli, prandaj ngahera festat e mëdha- të Krishtlindjeve dhe të Pashkës i bënte bashkë me bashkëfshatarët e ishullit. Ishte bërë zakon pra që ditën e Pashkëve,kur prifti thoshte-në orën 12 të natës sigurisht- Krishti u ngjall,të gjithë do të ndiznin qirinjtë nga Bubuli dhe vezën e pare e thyente po Bubuli duke e trokitur fillimisht me Kryeplakun dhe pastaj me të tjerët. Është e kotë të them se kush fitonte: sigurisht Bubuli!

Një vit pra kishte mot të keq dhe Bubuli u vonua të vinte që të shpallej ngjallja e Krishtit. Mos harrojmë se Speces është ujdhesë dhe duhej të vinte me ndonjë anije dhe kur moti ishte i keq domosdo vonohej. Të gjithë pyesnin- fillimisht prifti pastaj të tjerët “Erdhe Bubuli për ve?” “ Nuku erdhe Bubuli për ve!” Orët kalonin dhe Krishti nuk mund të ngjallej para se të vinte Bubuli. Të gjithë pyesnin të shqetësuar: ”Erdhe Bubuli për ve?” Nuk erdhe Bubuli për ve!” dhe kambana heshtte dhe Krishti nuk ngjallej…

Bubuli mundi të vinte aty nga ora katër e mëngjezit-Krishti u ngjall me katër orë vonesë dhe të gjithë thirrën duke marrë frymë lirisht: ”Erdhe Bubuli për ve dhe Krishti u ngjall përsëri…se dhe për pak mund të ndodhte e pabëra dhe të mbetej Krishti pa u ngjallur…”

Vitet e fundit bëhet shumë zhurmë për drogën dhe shqiptarët. E ju informoj se edhe drogën për here të pare në Atikobioti e kishin shpikur arvanitasit dhe konkretisht gratë arvanitase! Dihet se në Atikë toka ka qënë pjellore-aso kohe nuk ishte shkatërruar nga betoni dhe aeroporti-prodhonte gjithçka kryesisht ishin të dëgjuar vreshtat e Mesojes (Mesdheut) ku prodhohej dhe vera shumë e mire që në lashtësi.

Burrat arvanitas dalloheshin për luftëtarë dhe blegtorë por, si dhe shqiptarët nuk shquhen për punëtorë të mire të tokës. Në përgjithësi kur vileshin prodhimet këtë punë e bënin grate e mrekullueshme arvanitase. Ato shumë here mirrnin dhe fëmijët e vegjël-të gjirit kryesisht-me vete në arë ku i linin nën hijen e ndonjë peme dhe ato bënin punë në arë.

Mirëpo fëmijët shumë here nuk flinin, qanin, ankoheshin dhe detyronin Mëmën të qëndronte pranë duke mos mundur të bënte punën në arë. Por ato e gjetën zgjidhjen. Mblidhnin një bimë nga arat, e zjenin dhe lëngun ja jipnin fëmijës të pinte disa gllënjka dhe e vinin në gjumë gjatë gjithë ditës! Këtë lëng e quanin “gjumës” (po, po ,gjumës, si do ta quanin dhe shqiptarët e sotëm!). Në këtë mënyrë ato punonin të qeta ndërsa fëmija flinte. Madje thoshin se për këtë arsye arvanitasit kur rriteshin ishin tepër kokëfortë dhe pak si të…humbur!

Kjo e fundit nuk është vertetuar akoma! Besojmë se me drogën e sotme shqiptare të vertetohet plotësisht.

Duhet theksuar se përpjekjet që bëhen nga disa pseudohistorianë që të ndajnë arvanitasit nga populli grek janë të kota dhe të dëmshme për vllazërimin e popujve. Arvanitasit kanë qënë një nga faktorët kryesorë e rimëkëmbjen e shtetit grek, madje ishin nga të parët që muarnë armët kundër pushtuesve otomanë.

Është për të ardhur keq se dalngadalë po shuhet gjuha arvanitase, po shuhen tiparet e veçanta të arvanitasve tanë dhe të Greqisë. Të paktën t’i respektojmë dhe të mos shtrrëmbërojmë historinë e ekzistencës së tyre gjë që do të dëmtonte së tepërmi rrënjët e një popullit trim dhe liridashës, do të dëmtonte vetë historinë e Greqisë bashkëkohore që u krijua dhe me gjakun e arvanitasve në kryengritjen e 1821-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *