Alisa Velaj
Sonte s’do të jemi më të zakonshëm dashuri
Kjo strehë e harruar, vetmuar kaltërsive
aq shumë është e etur
për klithma zogjsh mbi ujëra.
Ag dhe muzg nëpër qiell, nëpër det.
Muzg, ag dhe kjo shtëpi e përndritur,
me një udhë para shtratit që zgjatet nëpër natë,
e marrë të përqafojë yje xixues.
Shtrat i papeshë, i ëmbël si drita
me një diell përmbi krye,
i një shtëpie që na bën të jemi kaq të pazakontë,
kaq të papeshë,
kaq prej harrimi dhe qiparisash të ringjallur.
Nuk jemi më kaq të zakontë dashuri.
Më larg vdekjes, më pranë zërave të erërave
që ndjellin dritën përmbi dete jemi.
Edhe jemi, pa qenë askurrë më parë
të pazakontë der në bjerratisje
mu aty në zemër të errësirës!