Nuk janë krime pasioni, është luftë kulturash

Nga Alfred Peza

Vrasja me armë zjarri në mes të ditës e në mes të pushimit të së dielës, e një studenteje të Fakultetit Juridik të Tiranës nga një tjetër student i Universitetit të Mjekësisë, është paraqitur nga pothuajse të gjitha mediat, si një krim pasioni. Më duhet ta them që në krye të herës, se është një keqkuptim i madh dhe një medalje që i vemë në gjoks ekzekutorit, nëse do ta klasifikonim si të tillë. Vajza është thjeshtë viktima e radhës, një nga të shumtat e një liste të pafund, që janë bërë dëshmore të një lufte të pashpallur kulturash dhe civilizimesh, në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare sot.

Përgjatë këtyre 27 viteve, pas kalimit nga një shoqëri totalisht të mbyllur, në mungesë totale lirie ku normat e kulturës sonë të bashkëjetesës në komunitet na i caktonte partia dhe ai farë morali komunist që i ishte imponuar shoqërisë, jemi munduar ti justifikojmë krimet dhe viktimat e tyre me gjithfarë lloj arësyetimesh. Disa me arsyetime të drejta, e disa të padrejta. Disa të vërteta, e disa të pavërteta. Disa duke i paraqitur me vërtetësi, e disa të tjera me hipokrizi. Disa i kemi matur me një kut, e të tjerat me kute të tjera.

Këto krime monstruoze justifikohen prapa etiketimit kalorsiak të “krimit të pasionit”. Ndërsa të tjera akoma, prapa “dhunës në familje”, prapa “grindjeve të çastit”, prapa “motiveve të dobëta”, e shumë e shumë togfjalëshave e përcaktimeve bajate të këtij lloji, për një arësye të thjeshtë. Sepse ne nuk duam që ta pranojmë një gjë që të gjithë e dijmë shumë mirë, por nuk ia pohojmë dot vetes me zë të lartë, se: Shoqëria shqiptare është në luftë.

Ne jemi në luftën e qytetërimeve.

Në luftën e kulturave.

Në luftën e civilizimeve.

Në luftën mes të shkuarës dhe të ardhmes.

Mes neotomanizmit dhe qytetërimit perendimor.

Mes kripto kanunizmit dhe emancipit real.

Mes të qenurit qytetarë të një shteti të hapur dhe pjesëtarë të një shoqërie ende të mbyllur.

Jemi pjesë e një shoqërie ku ende gruaja, femra, e dashura, e fejuara, bashkëjetuesja, bashkëshortja, motra, nëna e deri gjyshet tona, konsiderohen pronë. Pronë e meshkujve, të cilët kur nuk arrijnë dot që të marin atë që dëshirojnë prej tyre, nga marredhëniet dhe bashkëjetesa e raportet e ndërsjellta me to, atëherë kanë gati në çdo rrethanë e në çdo kohë, atë që dijnë të bëjnë më thjeshtë, më shkurt dhe më mirë: Përdorimin e dhunës.

Dhunën verbale, dhunën fizike, dhunën e armëve dhe gjithçka tjetër që bëhet pa mirëkuptimin, pëlqimin, dakordësinë e të dyja palëve. Duke iu drejtuar për ndihmë arësyes së forcës dhe jo forcës së arësyes.

Si mund të jetë krim pasioni vrasja e një bashkëfshatares tënde, e një bashknxënësje në të njëjtin gjimnaz, e tashmë bashkëqytetares të të njëjtit qytet të studentëve dhe kryeqytetit që ju ka bërë pjesë të metropolit të vendit, për të vetmen arësye se ajo vetë në radhë të parë me vullnetin e saj të lirë dhe vendimin e një vajze madhore e me shkollë, por edhe familja e saj në këtë rast, NUK pranojnë që ajo të bëhet e fejuara, nusja apo bashkëshortja jote?!

Pavarësisht nga shkaqet, sebepet, arësyet, mosarësyet e ç’farëdogjëje tjetër, çfarë të detyron që edhe duke qenë student për një nga profesionet më humane të botës, të shëtisësh i armatosur si një kriminel i rëndomtë, të dalësh në pritë si cub, të kërkosh të bisedosh me fjalë dhe më pas të shkrepësh armën mbi trupin e një të pafajshme?!

Ky nuk është as rasti i parë, e me siguri që nuk do të jetë as edhe i fundit. Por, është nga më të rëndët padyshim, jo vetëm për rrethanat e përmendura më lart, por edhe për shkakun se kjo ndodhi nga njerëz, pjesë e atij kontigjenti që presupozohet të jenë ndër më të iluminuarit, me të ndriçuarit, më të edukuarit, kulturuarit dhe më të lexuarit në raport me pjesën tjetër e shoqërisë. E kur ky krim makabër, ndodh nga ata që përgatiten sot që të jenë nesër, pjesë e elitës sonë mjekësore, kundër bashkëmoshatares së vet, që përgatitej të ishte pjesë e elitës së jurispudencës shqiptare, çfarë mund të presim nga të tjetrë.

Vrasja e studentes përveç të tjerash, është një sinjal i qartë, një alarm kumbues se ne si shoqëri sot, jemi në kulmin e një lufte kulturash. Gjatë vitit të kaluar, sipas statistikave të Policisë së Shtetit, plot 8 vajza dhe gra, nëna dhe motra humbën jetën pikërisht nga një “krim pasioni” në rrethana të përfërta me Ariela Muratin.

Ajo u bë sot, dëshmorja e parë e kësaj lufte kulturash, për vitin e ri 2018. Vrasja e Arielës është një sinjal SOS për gjithë shoqërinë, të gjitha institucionet ligjzbatuese, shkollën, familjen, mediat dhe elitë intelektuale e kulturore të këtij vendi. Kemi nevojë urgjente për një aksion mbarëkombëtar emancipimi, për ti shkulur njëherë e përgjithmonë, rrënjët e së keqes që mbajnë në këmbë, makinën makabre të kësaj lufte absurde, për një komb që kërkon si askush tjetër, të jetë sa më parë, pjesë e Europës së civilizuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *