Ekspozita e tij e parë, qe hapur në shtëpinë e jetimores, me punimet e sjella nga Bukureshti. Mësuesi i vizatimit dhe mësuesi i historisë së artit në Liceun Francez, më 1921 do të hapte studion e tij si piktor. Deri më 1924-ën, kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe fitoi dy diploma për pikturë dhe restaurim. Dy vite më pas, ndoqi Bienalen e Venecias. Pothuaj 9 dekada më vonë, rikthehet në Venecia me veprat e realizuara në atë kohë.
Veprat e piktorit të njohur Vangjush Mio do të udhëtojnë drejt Venecias ku do të ekpsozohen për publikun.
Nudo, piktura, vizatime të viteve 1920, një fond i artë që ruhet nga familja e artistit(pothuaj fshehur syve të publikut), është tanimë gati për në Itali.
Një VKM ka dhënë tashmë lejen për lëvizjen jashtë territorit të Shqipërisë të veprave të arta të Mios.
Vendimi i Këshillit të Ministrave lejon “lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 11 veprave të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, me qëllim ekspozimin e tyre në Centro Culturale Don Orione Artigianelli, Sala Tiziano, Dorsoduro 909/a në Venecia, Itali”.
Veprat e artit do të jenë në Venecia në harkun kohor 1 mars – 30 prill 2018.
Por para vendimit, anëtarët e Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit të Pasurive Kulturore në pronësi private kanë nisur takimet për të shqyrtuar kërkesën e Znj. Rozeta Mio, vajza e artistit Vangjush Mio mbi vlerësimin e veprave të autorit me qëllim miratimin e lejes nga Ministria e Kulturës për lëvizjen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me rastin e hapjes së ekspozitës në Venecia.
Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore është marrë me procedurat paraprake dhe tanimë sipas VKM-së, do të kryejë procedurën e monitorimit dhe regjistrimin e lëvizjes së veprave.
Vangjush Mio, (Korçë, 05.03.1891 – Tiranë 30.12.1957) ishte pjesë e artistëve realistë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Një nga figurat më të rëndësishme të arteve pamore shqiptare, peizazhist dhe portretist i shquar, i vlerësuar dhe i njohur si poeti i peizazhit shqiptar. Krijimtaria e Vangjush Mios luajti një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të artistëve shqiptarë në kushtet e izolimit kulturor të shtetit komunist, pasi ishte dhe shëmbulli më i qartë i një arti jashtë propagandës partiake dhe kornizave të realizmit socialist shqiptar. Vangjush Mio lindi në Korçë në një familje të mesme qytetare. Mësimet e para i bëri në qytetin e lindjes, shkollën e mesme nuk mundi ta mbarojë në vendlindje dhe vitin 1908 vëllai i madh Anastasi e merr me vete në Bukuresht, ku në vitin 1914 ai regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura të Bukureshtit. Në koloninë shqiptare të Bukureshtit ndodheshin dhe shkrimtarët Asdreni (Aleksandër Stavër Drenova) dhe Lasgush Poradeci, me të cilët Mio takohej shpesh dhe merrte pjesë në veprimtaritë artistike në kor dhe teatër, duke luajtur si aktor