Nga Luan Rama
Mbi ekspozitën e piktores Violeta Kongo në «AK. Art Gallery»
(Ngjizma e artit më duket se ndodh ose në një dhimbje të madhe ose në një ngazëllim dehës)
Sapo shkela në atelierin e Violeta Kongos nisi të bjerë një shi i madh. Qielli gjëmonte, litarët e shiut nisën rrëmbimthi dhe pasi pashë tablotë që do ekspozonte, unë i kërkova që atë gotë whisky ta pinim jo aty por jashtë, në ballkonin e saj të katit të shtatë, aty ku ngjante sikur kishte një atelier në kupolën qiellore, një atelier që ndizej nga shkrepëtimat dhe të kujtonte ngjizmën e zjarrit apo të ngjyrave në një mpleksje vullkanike, pasi po të afrohesh afër në paletën e saj, aty ku mbruhen ngjyrat, ka një shkrepëtimë, një britmë, një klithmë shpirti, pasi aty, përmes botës së artistit, ndjesia-mëmë-krijuese merr formë, portreti krijohet, sfondi gjithashtu. Në atë atelier të katit qiellor kishte diçka jot ë zakontë, pasi kjo piktore është më afër qiellit, atje ku “notturno”-t mbretërojnë, magjepsin, për tu shuar pastaj me dritën e gqaut që vjen… Ja pse të duket se ky atelier është shkëputur nga toka, jo për nga lartësia, por sepse po të shohësh tablotë, njëra pas tjetrës, ato të flasin më shumë për dhimbjet e një zemre. Në këto “nutturno”, tema e mërgimit është qendrore, ashtu siç është e ka mbetur ajo në shpirtin e popullit tonë, pasi s’ka familje që mos të jetë lidhur me fatet e emigrimit.
Kjo piktore dikur ishte e lidhur me gazetarinë, televizionin, letërsinë për fëmijë apo teatrin e të vegjëlve, por u desh ikja e të birit 15 vjeçar që t’ia tronditë psiqikën, duke kërkuar imazhin e të birit të ikur nga porti i Durrësit, një muzg ku qielli i trazuar bashkohej me detin e zhurmshëm, për t’iu drejtuar pastaj pikturës, si një mjet shprehjeje të një klithme të madhe: britmës së një nëne. “Ai iku një mbrëmje dhe tabloja ime e parë ishte thjesht një dëshmi e çastit, ngjyer në bojra vaji, me figurën e tij në atë udhëkryq fatesh dhe kohrash”. Një tablo e krijuar në ethe. Por pas kësaj ikje, dhe ikja e birit tjetër, e la atë fillikat me burrin e saj, fillikat siç titullon dhe një nga tablotë më të bukura të saj: nënat gjithnjë janë të përkulura fort, madje të thyera nga barra e dhimbjes dhe e vetmisë. Kështu, “nutturno” pas “notturno”-sh, ky cikël vazhdoi për nënat e botës përballë fatit të emigrimit, largimit, pasi imazhi i mëkimit të pjellave të tyre është dhe mbetet gjithnjë tronditës.
Violeta thotë se njerëzit ndodh që emigrojnë natën. Eshtë shqetësimi, dëshira, është kjo ngasje që e çon atë drejt vendesh të tjera ku ëndrra i “çon”. “Ja pse dhe unë i mora penelat pas 20 vitesh të këtij emigrimi…” Që nga ajo ditë Kongo u “mbyt” në erën e vajit, duhanit, ngjyrës dhe aromën e vetmisë për të ëndërruar tashmë mbi kanavacë dhe krijuar imazhin e thelbit të ekzistencës. Ekspozita e parë në galerinë “Gledio” më 2011, në Berat e më pas në 2013, po kështu përsëri një vetiake në 2015, në sallat e Muzeut Historik Kombëtar, etj. Sot ajo ekspozon në “AK Art Gallery” në Tiranë dhe padyshim ajo që të bie në sy në këto dhjetra tablo janë “notturno”-t e saj, ku gjen atë përzjerje të shumëllojshme bojrash, akriliku, vaji, e verdha e vezës apo bojra xhami për t’i dhënë tablove një lloj “frakture”, atë lloj ndriçimi fosforeshent siç e ka një natë e yllëzuar, apo nata e përjetshme. Këto “notturno” janë imazhe impresioniste që të risjellin çuditërisht ehot e impresionizmit francez, për më tepër që Kongos i pëlqen në veçanti impresionizmi, ku kërkon të ecë me ngulm në këtë udhë të vështirë për të kapur impresionin, jo atë të syrit, por atë që flet më shumë se sa imazhi real i jetës, natyrës, portretit; të ecë në udhën e “puantilizmit” të një Pissarro-je, të cilin ajo e mban si një korife të pikturës impresioniste të cilës ajo kërkon t’i përngjasojë, duke ruajtur gjithnjë atë individualitet artistik të saj, pa rënë në një përqasje shabllone dhe përsëritje. “Impresionistët më duken të paarritshëm!” të thotë ajo dhe ndërkohë ne flasim për Degas, autorin e famshëm të balerinave të mrekulluara nga hiret e artit piktural të tij, pasi ishte Degas që e ngacmoi të pikturonte mbi mëndafsh. Degas, ishte nga të parët impresionistë që praktikoi pikturë në mëndafsh, krahas kanavacës, telajos. Padyshim që piktura në mëndafsh është tepër e vështirë, pasi ti s’mund të korigjosh linjën dhe ngjyrën e hedhur mbi të, pasi është e pamundur ta ripunosh një portret apo “nature mort” mbi të.
Në ftesën e ekspozitës së saj Kongo shkruan: “Të udhëtosh me pikturën do të thotë për mua të përjetosh një mori pafund emocionesh, të jetosh me gëzimin dhe ankthin për tu takuar e lidhur me diçka hyjnore, duke përqafuar të panjohurën dhe duke respektar intuitën. Eshtë një rrugëtim drejt një bote ku çdo gjë është e mundur… Në këtë rrugëtim, jeta ime ka rifituar rregullin e vet…” Jo pak piktorë janë shumë të afërt me poezinë. Kështu ndodh dhe me Kongon, e cila pikturon nisur nga vargje të saj poetike apo shkruan poezi pas krijimit të një tabloje. Kështu fjalët dhe ngjyrat mpleksen diku në humbëtirat e thella të dhimbjes e gëzimit, në territoret e saj të shpirtit, ku ngjizet ajo që krijon emocionin e figurës që ajo na prezanton sot në këtë ekspozitë. Kështu, pesë tablo ballafaqohen me 5 poezi të saj, ku poezia dhe piktura gjejnë njëra-tjetrën si në poezitë Dialog i vështirë, Shpirtdet, Fillikat, Shumëfytyrësi apo Besoj në një takim… Shoh një grafikë në karbon, vëzhgoj mbi fytyrat e asaj turme nënash të mbytura nga ankthi i djemve në mërgim dhe lexoj vargjet që ajo ka vendosur pranë saj: “Plasat e derës grishin brerimën/ Plasat e shpirtit ndjellin greminën…” Dhe kështu të ngjan se diçka nga legenda vjen deri tek ne.
Përkulem mbi tablotë, njëra pas tjetrës, fotografoj, pastaj lë aparatin për të ndjerë plazmën e ngjyrës nga pranë, nga shumë afër, atë që është mpiksur si llava pas ftohjes, ku ka mbetur ajo përpëlitje e artistit për të arrijë sublimen, që padyshim rrall arrihet. Dhe Violeta është e ndërgjegjshme për këtë, prandaj dhe ajo e di se kjo rrugë do të ngjitet s’dihet deri ku, pasi çdo gjë është mistike: një arlekin që danson në qiell, shtati i një gruaje në okër që vështron habinë e botës, pjella dhe mëmësia, buzë të flakta dashurie, gjithçka mund të ndodhë brënda një tabloje kur shpirti vuan, kur shpirti klith madje dhe pa zë, gëzimin e vet…
Për Violeta Kongon nuk është folur shumë, madje do të thoja pak, por ajo nuk mendon aspak se çfarë thuhet apo shkruhet. Ajo tashmë udhëton në artin e saj për të rigjetur mes linjash e ngjyrash, mes kujtimesh dhe vizionesh të subkoshiencës kuptimin e qenies dhe të shoqërisë, me dëshirën e një ardhmërie ngazëlluese, siç janë disa nga pikturat e saj. Tablo, akrilik, grafika, portrete të ëmbla në mëndafsh, gjithçka e tillë e rrethon qënien e saj, edhe në këtë ditë shiu, ku Tirana pi gjithë etje nga uji qiellor… “Notturno”-t e saj krijohen aty, në atë atelier të ngritur në kupolën qiellore.
Po, ngjizma e artit më duket se ndodh ose në një dhimbje të madhe ose në një ngazëllim dehës…
Luan Rama