Noli i thoshte”mik i dimrit”-harresa lënduese për shkrimtarin Andon S. Frashëri

Prof. Nasho Jorgaqi

Sivjet mbushen 125 vjet nga lindja e Andon S. Frashërit, një prej figurave të çmuara të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare, që çuditërisht dhe paradoksalisht edhe në vitet e demokracisë ka mbetur në hije, sikur të mos mjaftonin dekadat e injorimit dhe persekutimit të diktaturës së proletariatit që do të rëndonin mbi të.

Personalisht, Andon Frashëri është për mua një emër që vjen nga koha e aoleshencës, jo vetëm me ngarkesa emocionale, por edhe si një nga autorët e parë të leximeve të mia të hershme. Romani “Kapedani i Jeniçerëve” i shkrimtarit James Ludlow, përkthyer prej tij, do të mbetej nga ato të pakta libra që ndikuan në fillimet e formimin tim atdhetar. Me kohë do të merrja vesh se kush ishte Andon Frashëri dhe cilat qenë kontributet e tij në kulturën shqiptare. Nuk pata fatin ta njoh drejtpërdrejt, siç e njihte një nga miqtë e mij që do të më fliste e do të më tregonte me admirim për të, por puna studimore më nxiti të bie në gjurmët që ai la si patriot dhe intelektual nëpër analet e historisë dhe kulturës shqiptare, sidomos në ato të shqiptarëve të Amerikës në dekadat e para të shekullit të kaluar.

Për të gjykuar mbi Andon Frashërin duhet patur parasysh në rradhë të parë vlerësimi që i kanë bërë Fan Noli dhe Faik Konica, jo vetëm përmes bashkëpunimit, por dhe nga konsideratat dhe opinionet pozitive të shprehura për të.

Fan Noli, duke çmuar vlerat e tij si publicist dhe intelektual, do t’i besonte drejtimin e gazetës “Dielli” në kohën kur ajo arriti apogjeun e saj. Andoni do të mbetej deri në fund një nga ndjekësit e tij besnikë, “mik i dimrit”, siç do të thoshte Noli për miqtë e vërtetë. Kjo do të vihet re dhe në korrespondencën e ndërsjellë që ata patën.

Andoni kishte fatin të ishte në shoqëri të Faik Konicës, të bashkëpunonte dhe të fitonte besimin dhe respektin e tij. Sigurisht jo në atë shkallë sa me Nolin, por fakti që ai do të çmonte publicistikën e Frashërit, do t’i propozonte përkthimin e romanit “Kapedani i Jenicerëve” dhe do t’i bënte parathënien, dëshmon se vlerat e tij i qëndronin gjykimeve dhe kërkesave të rrepta të Konicës.

Opinioni i sotëm pothuajse nuk e njeh emrin dhe aq më tëpër veprën dhe veprimtarinë e tij të gjithanëshme patriotike, kulturore, arsimore. Shkrimtar, publicist, përkthyes, edukator i disa brezave, aktivist i Vatrës dhe editor i “Diellit”. Ai u rrit dhe u brumos me frymën e Rilindjes Kombëtare, në fillim si nxënës i Mësonjëtores shqipe të P.N. Luarasit dhe N. Naçit dhe më pas si një nga bashkëpunëtorët e denjë të liderëve të Vatrës.

Që i ri Andon Frashëri do të mërgonte në SHBA, ku militoi në radhët e para të lëvizjes patriotike shqiptare-amerikane. Ndërkaq, ai do të studionte për letërsi në Universitetin e Hravardit, ku do të merrte një formim intelektual solid për t’u bërë një emër i respektuar mes bashkëatdhetarëve të tij. Duke punuar për vite të tëra në gazetën “Dielli” si një nga drejtuesit e saj dhe ç’është më e rëndësishme një nga firmat serioze të publicistikës shqiptaro-amerikane, artikujt politikë e kulturor dhe reportazhet e tij do të fitonin zemrat e lexuesëve dhe do të përbënin një kontribut të ç muar në publicistikën tonë mbarë kombëtare falë talentit, kulturës dhe mjeshtërisë së gjuhës. Publicistika e Andon Frashërit do të bëhej pjesë e luftës politike për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ai do të dëgjonte zërin e atdheut duke u kthyer në atdhe në vitet 20 për të kontribuar në ngritjen e një shteti demokratik. Gjithnjë në krah të Fan Nolit, Andoni, jo rastësisht, do të merrte pjesë në Revolucionin e Qershorit dhe me formimin e qeverisë ai kreu detyrën e shefit të kabinetit të kryeministrit, mikut dhe udhëheqësit të tij shpirtëror.

Pas dështimit të revolucionit, Andoni mori përsëri rrugën e mërgimit për t’u kthyer rishtazi në atdhe në vitin 1926. Ndonëse u persekutua fillimisht nga regjimi zogist, pas shumë përpjekjesh punoi për vite me radhë si profesor i letërsisë e i gjuhës në Liceun e Korcës dhe në Gjimnazin e Tiranës.

Nën pushtimin fashist Andoni do të qëndronte në pozita atdhetare dhe do t’i kushtohej veprimtarisë letrare dhe përkthimore. Ai do t’i mbetej besnik idealeve të demokracisë amerikane. Me këto bindje e mendime emancipuese, profesorin patriot do ta zinte çlirimi i vendit. Pasqyrë e qëndrimit mospajtues me regjimin e ri janë letrat që i shkruan F. Nolit fill pas luftës. Kështu, ai i lutet që të ndërmjetësonte pranë Qeverisë për të mos pushkatuar dy miqtë e tij Bahri Omari dhe Kolë Tromara. Po jo vetëm kaq. Andoni i jep informacione për gjendjen politiko-ekonomike të vendit. “Çdo gjë rreh nga tendenca ekstreme e kuqe. Fuqinë në dorë e ka qindpërqind Partia Komuniste. Në fillim pothua 90% e popullsisë ishin dhe ndihmonin lëvizjen antifashiste pa marrë parasysh se atë e kryesonte P. Komuniste. Sot me hidhërim e thom se përqindja ka rënë shumë poshtë..” Pastaj i shkruan për gjyqet politike, për lidhjen e ngushtë me Titon dhe ndihmat e B. Sovjetik, që shkabën e flamurit e mbuloi Hylli i kuq. Nga ana tjetër, pohon dhe disa gjëra të mira, si spastrime dallkaukësh e kriminelësh, se ka vetëmohim dhe punë. Janë të palodhur dhe të vendosur gati për çdo sakrificë… Ka njerëz të zot, por të rinj në moshë dhe në eksperiencë që urrejnë çdo gjë që është e vjetër, qoftë dhe e mirë… Duket se qeveria e sotme do t’ju ftonj të vini. T’ju këshilloja? As që më shkon ndërmend se ju vetë do ta gjykoni më mire… Mua më duket se nuk ka ardhur edhe koha juaj. Unë, Imzot, jam profesor i gjuhës në Lice, po shkoj jetë mizerabël.”

Për këto mendime e qëndrime në mars 1946 profesori pushohet nga puna dhe më pas u arrestua bashkë me të shoqen Maria dhe u dënuan. Ai për dhjetë vjet, ndonëse shëndetlig, vuajti nëpër burgjet dhe kampet e Tiranës, Burrelit, Maliqit etj. Kur u lirua me kondicionel, në pamundësi për të bërë punë krahu, do të merrej me letërsi dhe do të jepte mësime private për gjuhë të huaja. Veç kësaj, u përpoq të dërgonte dorëshkrime të veprave origjinale dhe përkthime në Shtëpinë botuese “N. Frashëri”, por më kot. Ia refuzuan gjoja për mungesë niveli artistik dhe gjuhë e vjetruar. Në fakt, qenë arsyet politike ato që e bënin të pamundur botimin e veprave të tij.

Por dhe në këto kushte, i shpërfillur dhe i mënjanuar, Andoni do të vijonte punën e tij krijuese si shkrimtar dhe përkthyes. Ishte një punë që ai e kish nisur në SHBA kur drejtonte e redaktonte gazetën “Dielli”. Në faqet e saj, veç publicistikës, Andoni filloi të merrej dhe me letërsi, duke botuar tregime e skica letrare, për t’iu përkushtuar pastaj përkthimit artistik. Kështu, ai do të përkthente romanin historik me temë shqiptare “Kapedani i jeniçerëve” ose “Skënderbeu” të James M. Ludlow, të cilin e botoi fillimisht me vazhdime në gazetën “Dielli”, kurse në vitin 1934 libër më vete, me një parathënie vlerësuese të Faik Konicës. Punën përkthimore do ta vijonte më një vepër tjetër, siç ishte romani “Pavli dhe Virgjinia” e B. De Saint-Pierre, të cilin dhe këtë e botoi në gazetën “Dielli”.

Një faqe më vete të krijimtarisë së tij letrare përbëjnë disa vepra që shkroi e botoi në shtypin e kohës pas kthimit në atdhe. Të kësaj periudhe duhen përmendur veçanërisht romanet origjinale “Patrioti” (1936) dhe “I fundmi i Kastriotëve” (1943) që u mirëpritën nga lexuesi dhe u çmuan nga kritika e kohës.

Pena e talentuar e Andon Frashërit nuk do të pushonte dhe pas lirimit nga burgu. Kështu do të kemi prej tij dramën “Fatosat e lirisë” me protagonist figurën e patriotit të shquar Themistokli Gërmenji, që për fat të keq nuk u vu asnjëherë në skenë. Gjithashtu ai do të përkthente dramën e famshme të B. Shout “Johana e shenjtë” dhe librin e P. Abrahamsit “Te pragu i shpërthimit të rrufesë”, vepra këto që mbetën në dorëshkrim.

Ëndrra e Andonit ishte të përkthente vepra të Nolit të shkruara në anglisht. Për këtë i dërgon një letër mikut dhe mësuesit të tij, i cili nuk vonon t’i çojë dy veprat “Bethoveni dhe revolucioni francez” dhe “Historia e Skënderbeut”. Ishte fillimi i viteve 60, kur atij i ranë në dorë, mirëpo gjendja e përkeqësuar shëndetësore nuk e lejoi të përmbushë këtë ëndërr dhe detyrën fisnike.

Është interesante letra e fundit që Andoni i dërgon Nolit në janar të vitit 1964. Ndryshe nga letra e parë, ai i bën thirrje “udhëheqësit tim shpirtëror dhe patriotik”, siç e cilëson, të vizitojë atdheun që nuk është më ashtu siç e ka lënë më 1924. “Tirana nuk njihet fare… ka pësuar ndryshime… Tirana e sotme ka të gjitha karakteristikat e qytetit modern. Vija e Lanës e sistemuar, ka anembanë bulevarde të dukshëm me asfalt, sidomos rruga e Durrësit paraqet një bulevard modern që të kujton një të Europës… Ejani të shikoni përparimet që janë bërë në vendin tonë për të cilin kini sakrifikuar dhe kini bërë aqë! Do të jetë fatkeqësi aq për ju si dhe për ne të gjithë këtu po të mos e vizitoni Shqipërinë e sotme. Ju siguroj se do na gëzoni. Pra, bëni të pamundurën të mundur dhe ejani nga vera e këtij viti.

Sipas të dhënave, në këtë kohë qeveria e Tiranës i kish bërë ftesë Nolit për një vizitë zyrtare. Shkrimtari Sotir Andoni që kish mik profesorin, do të më tregonte atëherë se ai kish marrë kurajë për t’i shkruar Nolit ato fjalë nga që kish pyetur dhe autoritetet lokale të Korçës. Por Noli në këtë kohë ishte operuar dhe me gjithë dëshirën që kishte ishte e pamundur të ndërmerrte një udhëtim në Shqipëri. Andoni, kur e mori vesh gjendjen e tij, u dëshpërua, por mbeti me shpresë se mund të vinte një ditë. Në fakt nuk ndodhi ashtu, shëndeti i Nolit erdhi duke u përkeqësuar. Dhe është një koeçidencë e çuditshme se ndërkaq edhe Andoni, siç thotë në një letër, “po kalonte një pleqëri të shoqëruar nga shumë të këqija”. Dhe ndodhi ajo që pritej, Noli do të mbyllte sytë më 13 mars 1965, kurse Andoni disa muaj më vonë të atij viti. Po ndërsa miku dhe udhëheqësi i tij shpirtëror u përcoll me nderime kombëtare, ashtu siç e meritonte, nxënësi dhe bashkëpunëtori i tij, shkrimtari dhe gazetari patriot, u nda nga jeta në heshtje dhe pa kurrfarë nderimi publik, madje nuk u shkrua asnjë fjalë shtypin letrar të kohës.

Për fat të keq, Andonin heshtja do ta ndiqte jo vetëm në kohën që nuk e donte dhe nuk e nderonte, por dhe pas përmbysjes së saj atij nuk i është dhënë vendi që meriton në kronikën e kohës që erdhi e aq më tepër në studimet historiko-letrare. Ai mbetet një figurë tragjike ashtu si dhe trashëgimia e tij letrare-publicistike e harruar dhe e panjohur për publikun e ditëve tona. Trashëgimia e tij ka mbetur në hije dhe e shpërfillur, pavarësisht nga vlerat e padiskutueshme që ajo bart. Është rasti që në këtë vit jubilar të përkujtohet ashtu siç i takon dhe të shihet mundësia e botimit të veprave të tij përfaqësuese.(Dita)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *