Një libër kushtuar gjyshit tim
Njerëzit e mëdhenj janë dhe mbeten të mëdhenj në të gjitha kohët. Ata lënë gjurmë në memorien e njerëzve dhe të tillë mbeten përgjithmonë. Bëhen të mëdhenj nga puna, veprat, vlerat dhe kontributi i pashembullt në ndihmë të popullit apo vendlindjes së vet. I tillë është edhe njeriu me zemër të madhe, patrioti Muharrem Xhydollari (Hudenishti) i cili i bëri dhuratën e tij të dytë fshatit të dashur, Hudenishtit. Dashuria, malli, krenaria, përkushtimi, vullneti i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha talenti i tij i rrallë dhe me ndihmën e Zotit bëri të mundur që të ndërtonte edhe një fortifikatë tjetër për hudenishtarët. Ai nuk u lodh por përkundrazi investoi të gjithëkohën dhe të ardhurat e tij për të zbuluar prejardhjen dhe fakte të vërteta në arkivat dhe zyrat e Turqisë, Maqedonisë apo kudo tjetër ishte e nevojshme. E ku ka me bukur se sa kur zbulon rrënjet e tua, origjinën tënde të hershme dhe mbi të gjitha historinë e njerëzve të tu të dashur, lexon për figura aq të shquara historike që me të drejtë duhet të krenohet atdheu dhe jo më ne që i kemi bashkëfshatarët tanë.
Dhe këtë fat jo gjithkush e ka. Janë me fat ato qytete apo krahina që nxjerrin nga gjiri i tyre njerëz kaq patriote dhe atdhedashës. Dhe pikërisht ne banorët e Hudenishtit e ndjejmë veten të mikluar dhe fatlum për penën e artë të Muharrem Xhydollarit. Shumë impresionues është kontakti i parë me librin.Në kopertinë shfaqet pamja e fshatit tonë të bukur buzë liqenit dhe titulli “Hudenishti në rrjedha të historisë”. Emocionet më përfshinë dhe u lumturova edhe për faktin tjetër se jam ndër të parët nga fshati ynë që pata nderin të lexoj këtë perlë të dhuruar nga vetë Muharremi me një autograf mbresëlënës. Sigurisht që libri më tërhoqi aq shumë saqë nuk e kuptoja që koha fluturonte. Gjuha e përdorur në libër, fakte të radhitura aq bukur, stili i veçantë i Muharremit më përpinë të tërën. Më futën në një botë tjetër ku kishte aq shumë histori, akte trimërie, jetë të dhëna, njerëz fisnikë, atdhetarë që i kishte mbuluar pluhuri i kohës. Shumë prej tyre më vinin të largëta në kujtesën time, por që dora e kujdesshme e Muharremit po e shkundtte atë pluhur. Dhe jam e sigurt që këtë efekt do të ketë tek të gjithë bashkëfshatarët tanë kur të lexojnë këtë thesar të rrallë, të qëndisur me gurë diamanti brenda. (jam e sigurt që nuk po e teproj aspak).
Profesioni si mesuese më ka bërë që të lexoj shumë libra të stileve dhe gjinive të ndryshme por një libër të tillë nuk e kam lexuar kurrë. Ky libër brenda vetes është letërsi, shkencë, gjeografi,histori, etnografi, është gjithçka. Brenda tij janë të pasqyruara me detaje paharruar asgjë që nga krijimi i fshatit,veshjet, mënyra e gatimit, vallet, festat familjare, aktivitetet, martesat deri në ditët e sotme.
Nuk mungojnë në libër edhe emrat e vendeve, arave, kodrave, puseve apo dhe të luginave që në mënyrë të padrejtë janë larguar nga kujtesa e ne banorëve që nuk jetojmë më në Hudenisht. Dhe për të gjitha këto me zemër të them: ‘Faleminderit vëllai ynë i dashur që na zgjove kujtesën’. Por gjithashtu ka dhe shumë ngjarje apo fakte historike që nuk ikam dëgjuar më parë. Çdokush prej bashkëfshatarëve tanë do të ndjejë po të njejtën nostalgji dhe mall si unë, do të ndihet krenar kur midis rreshtave do të gjejë një copëz nga jeta e tij apo familja e vet. Do të lumturohet për rrënjët e tij,do të krenohet me prindërit apo gjyshërit dhe stërgjyshërit. Dhe këtë na e bëri të mundur vetë Muharremi. Krenohemi me ty Muharem. Të gjithë ne jemi në borxh me ty që na hape sytë me veprën tënde të dytë kushtuar Hudenishtit.
Libri ka një hyrje interesante. Ai tregon për origjinën e lashtë në Iliri, banorët të cilët jetuan në të dy Gradishtat. Dhe këtë e pasqyron me fakte shkencore mbështetur në zbulimin e varreve, stolive, veglave të punës, enëve apo armëve.
Impresionues janë edhe kapitujt ku Muharremi pasqyron vitet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Dhe për këtë ai nuk i lejon vetes asnjë gabim. Përkundrazi na i paraqet aq të vërteta dhe të pasqyruara me data dhe dëshmitarë konkretë duke gërmuar nëpër arkivat e shteteve fqinje apo edhe më larg.
Përfaqësimi i Muharrem Xhydollarit (i vjetri) në Kuvendin e Zboqit përkrah Themistokli Gërmenjit, Sali Butkës, Bajo dhe Çerçiz Topullit për të zbuar çdo të huaj si dhe për të shpërndarë abetaret shqipe është një fakt interesant që më shtoi edhe më shumë respektin për këtë familje kaq të madhe patriotike.
Gjithashtu paraqiten edhe perpjekjet e patrioteve hudenishtarë për konsolidimin e qeverisë së Vlorës, ku pas rënies së saj Hudenishti nën drejtimin e Muharrem Xhydollarit, organizoi çeta vullnetare për çlirimin e Korçës dhe krahinave përreth. Dhe këto fakte bëhen të njohura pas 100 vjetësh dhe kjo falë Muharremit që e pasqyron në librin e tij. Fshatin tonë thotë Muharremi në librin e tij e kanë vizituar edhe personalitete të rëndësishëm të atyre kohëve si kryeministri Koço Kote në 1930, kryeministri Pandeli Evangjeli apo ministri i financave Sulejman Starova. Këto vizita janë arritur falë përpjekjeve të Muharrem Xhydollarit. Humbje e madhe për fshatin, por jo vetëm ishte vdekja e tij në 23 nëntor 1939. U helmua nga fashistët pasi ai nuk pranoi që të bashkëpunonte me ta. Muharremi mbetet një figurë e madhe historike, një patriot dhe luftetar i madh, atdhetar i pashoq, mbrojtësi besnik i bashkëfshatarëve të tij dhe më gjerë.
Një vend të veçantë zë në libër edhe periudha e pasluftës, ku si të gjithë edhe Hudenishti po merrej me rindërtimin e fshatit.
Është për të ardhur keq që edhe në vitet në vazhdim, familja e Muharremit do të vuante përsëri. Fati nuk i kurseu as atë dhe as familjen e tij, duke i burgosur, internuar, sulmuar dhunshëm edhe pse i kishin dhënë aq shumë fshatit dhe ishin ndër familjet më të ndershme dhe punëtore të tij.
Megjithatë Muharremi mbetet po aq fisnik dhe i vërtetë saqë në libër vë në dukje edhe përparimet e fshatit tonë gjatë regjimit komunist, duke mos shtrembëruar asgjë edhe pse i sulmuar në mënyrën më barbare. Tregon për ndërtimin e centralit elektrik, ndërtimin e shkollës tetëvjeçare dhe më vonë të asaj të mesme, ndërtimin e ambulancës, vënien në punë të motorpompës për vaditjen e tokës, farërave të reja të drithrave, ujësjellsave, hapjen e minierave si një e mirë e punësimit të fshatarëve për rritjen e mirëqenies së tyre etj.
Por sigurisht që me syrin e tij kritik nuk është aspak dakort si shumë prej bashkëfshatarëve me prishjen e xhamisë së fshatit, ndryshimin e emrave të fëmijëve nga shqiptarë në të huaj, zhvendosja e varrezave,tufëzimi, mos dhënien e të drejtës së studimit edhe pse ishin të shkëlqyer në mësime.
Lufta e klasave bëri që shumë familje të ishin të lëna mënjanë dhe shumë gëzime apo hidhërime ti kalonin pa praninë e fshatarëve të tyre. Ndër to edhe ajo e Muharremit.
Por fisnikëria e Muharremit nuk ka fund. Ai jo vetëm që nuk gjykon apo iu mban inat dhe mëri po përkundrazi i justifikon veprimet e tyre në librin e tij duke i kuptuar më së miri ata. Dhe këtë veprim e bëjnë vetëm njerëzit me shpirt dhe botë të madhe si Muharremi ynë.
Por edhe vuajtjeve më në fund iu erdhi fundi dhe drejtësia u vu në vend. (Zoti vonon po nuk harron thonë në fshatin tonë). Era e demokracisë trokiti dhe në Hudenisht. Muharremi filloi karrierën e tij edhe pse në moshë jo shumë të përshtatshme. I etur për arsim mbaroi studimet për drejtësi dhe disa specializime të ndryshme në vendet perëndimore po për drejtësi. Punoi si oficer në Ministrinë e Rendit. Zoti e bekoi edhe me një familje të mrekullueshme, me një bashkëshorte ideale(Lirien) dhe me dy djem po aq të mirë sa prindërit e vet. Tani jetojnë në Amerikë po jam e sigurt se fizikisht ai ndodhet larg nesh, pasi mendërisht është gjithnjë dhe më afër me vendlindjen e tij. Këtë e tregon ai më së miri me veprat e tij, por edhe me emrin Muharrem Xhydollari (Hudenishti).
Në hudenishtarët jemi në borxh me ty Muharrem, sepse na ke falur dy tapi, dy hipoteka, dy shkolla të larta, dy testament dhe dy pasaporta.
Brezi i ri duhet të të jetë shumë mirënjohës për pemën gjeanologjike të çdo fisi me qëllim që ata të dinë se ku të kërkojnë rrënjët e tyre pasi një pemë pa rrënjë bie kollaj edhe nga era më e lehte. Ti për ta ke ndërtuar dy mure rrethues të fortifikuar qëi bëjnë ballë edhe stuhive më të forta.Një popull pa histori nuk është asgjë dhe je ti i dashur Muharrem, që i ktheve fshatit tënd dhe fshatarëve të tu identitetin dhe historinë ndër shekuj. Për mua është nder që në bibliotekën time në krye të saj janë dy librat e tu tëmrekullueshëm, dy ikonat e pavdekshme që nuk më lënë të harroj origjinën time. Dhe jam e sigurt se këto libra do të gjenden në bibliotekën e çdo hudenishtari në respekt të vetes së vet dhe sigurisht edhe ndaj jush dhe punës suaj fisnike. Falenderime pa fund dhe suksese të mëtejshme në prodhimtarinë tënde të vyer. Mburremi me meritë me ju. Jeni krenaria dhe shembull frymëzimi për ne.
Miqësisht nga bashkëfshatarja jote, Shpresa Torollari