Enver Robelli
Para disa ditësh në mediat zvicerane u botua një lajm se në tramvajin numër dy në Zürich kishte vdekur një burrë. Lajmet e tilla zakonisht lexohen dhe harrohen. Ose nuk lexohen fare. Por kjo vdekje kishte diçka të pazakonshme. I vdekuri kishte qëndruar 6 orë e 45 minuta në tramvaj – askush nuk e kishte vërejtur se është i vdekur, ndërsa tramvaji ecte nëpër qytet… Ose: askush s’kishte dashur ta vërejë se është i vdekur.
Statistika tregon: 1200 pasagjerë kishin hyrë dhe dalë nga tramvaji – askush s’iu kishte afruar të vdekurit, sepse me gjasë të gjithë besonin se është duke fjetur. Pastaj: jeta është dinamike, secili ngutet të kryejë punët e veta, nuk ia vë syrin dhe mendjen tjetrit. Pastaj: pandemia, secili mban distancë. Në stacionin e fundit shoferi i tramvajit në të vërtetë duhet të kontrollojë tramvajin. Por as këtë nuk e kishte bërë ai. Nuk është obligim, por vetëm këshillë, nëse ka kohë, thotë një zëdhënëse e transportit publik. Rreth orës 13:15 minuta një infermiere e kishte vërejtur se diçka s’është në rregull me njeriun që po rrinte si statujë në tramvaj.
I kishte folur, por ai s’ishte përgjigjur. Ia kishte prekur pulsin, por trupi tashmë ishte i ftohtë. Mjekët pastaj konstatuan vdekjen e tij. Kush ishte i vdekuri? Një gazetar i “NZZ am Sonntag“ e ka hulumtuar rastin dhe ka dëshmuar kështu se si nga ngjarjet “e vogla” mund të bëhet gazetari e madhe. I vdekuri, 64-vjeçar, ishte rrobaqepës në Zürich, si 21-vjeçar kishte ardhur nga Italia te babai i tij, familja rridhte nga San Pietro a Maida në Kalabri. (Ndoshta ishte arbëresh, ky është supozim imi). Shkaku i vdekjes: me gjasë sulm në zemër. Një rrëfim prekës dhe një shembull i gazetarisë me plot empati. Linkun e tekstit e gjeni nën këtë shkrim, te komentet.