Ku është fustani i kuq i Lida Cangonjit?
Nga Luan Rama
Sapo jam kthyer nga shtëpia e Solange d’Angely. Një whisky dhe një bisedë për Lidën. Flasim për jetën, dashuritë njerëzore, bisedojmë rreth qenies dhe përkufizimit se çështë krijesa njerëzore, por asgjë nuk arrin t’i gjejë përgjigjen pyetjeve tona të mëdha. Atëherë unë i flas për Lidën, s’dihet pse, ndoshta pse ndërkohë mu shfaq ajo fushë e madhe me trëndelinë tutje shtëpisë së Lida Cangonjit në Marsanne, në jug të Francës, jo larg Lyon-it. Një fushë ngjyrë vjollcë, me erë trëndeline dhe ajo e dehur apo e çmendur mes tyre, me dëshirën për të ndaluar kohën. Por a mund ta ndalësh atë, kur gjithçka është e lidhur me atë botë kozmike e të panjohur ende?
Marr frymë thellë dhe ndjej ende erën e trendelinës nderkohë që lë Solange në Rue Didot dhe nisem drejt shtëpisë time, dy hapa më tutje. Kujtoj ndërkohë atë rrap të vogël përballë portës së tyre në Marsanne kur uleshim dhe pinim një çaj me Peter, i cili tashmë si një artist i vërtetë ishte njësuar me natyrën dhe nuk shqitej më nga ajo.
Ecja dhe Lida më shfaqej rrugës me të qeshurën e saj, energjinë dhe dashurinë që çlironte ngado. Papritur, një çast Solange më kishte thënë: “E di, Lida kishte qef të kishte një fustan të kuq dhe kur isha tek ta, ne shëtitëm në fshatrat përreth dhe kur ndaluam diku, unë pashë një dyqan ku kishte një fustan të kuq. Atëherë i thashë Lidës: provoje këtë fustan, kam qef të ta bësh peshqesh! Dhe ajo e provoi… Lida shkelqente me atë fustan… U gëzua shumë. Pastaj ata erdhën në Paris tek unë. Peter përkujdesej për ekspozitën e tij. Në mëngjes pinim çajin dhe pastaj ata shkonin, të lumtur, nëpër rrugët e Parisit…
Atë çast pashë sytë e lagësht të Solange. Por edhe në sytë e mi, tashmë binte një shi i hollë!
U ktheva. Ecja rrugës dhe imagjinoja Lidën me fustanin e kuq që ecte nëpër rrugë dhe sfidonte dimrin, të ftohtit, botën që skiste nën këmbët e saj, botën që shket, gjithnjë…
Ku është tani fustani i kuq i Lida Cangonjit?
Kam dëshirë ta thërras Lidën dhe t’i them ta veshë dhe njëherë për mua, pasi e kuqja ishte në çdo qelizë të saj…