„Thuaj Shën Pjetrit që të të hapë portën e Parajsës që ti të mund të shohësh sesi do të marrim hak…“
Nga Luan Rama
Viti 1674. Një udhëtar francez, një drogman, (pra përkthyes) dhe dy shoqërues të tjerë, pasi kanë zbarkuar nga anija që i ka sjellë deri në brigjet e Greqisë, i afrohen një fshati shqiptarësh në Vllaki të Greqisë, me 30-40 shtëpi pranë monumentesh të rrënuara të botës antike. La Guilletière shikon një pamje të habitshme dhe paradoksale para syve të tij: trupi i një të vdekuri i shtrirë para hyrjes së një shtëpie të rëndomtë. Janë shqiptarët. Gjithçka duket sikur je përsëri në ritet antike, ku i vdekuri pothuaj nuk është i vdekur, por një lloj udhëtari që do të marr një udhëtim pa kthim. Më pas, në kthim, autori francez do të shkruante:
„Kasollja u rrethua nga njerëzit, në atë skenë ceremoniali mortor pranë të vdekurit. I vdekuri ishte vendosur mbi çarçaf, tek porta e kasolles. E veja e tij lëshonte klithma që më shumë të frikësonin se sa të krijonin keqardhje. Flokët i kishte të hapura mbi supe. Thirrjeve të saj, me intervale i bashkoheshin dhe ato të shoqeve të saj, deri sa e shoqja të rifillonte nga e para. Burrat i afroheshin trupit, njëri pas tjetrit sipas rangut dhe i flisnin të vdekurit për t’i treguar hidhërimin për vdekjen e tij dhe budallallëkun që kishte bërë që kishte vdekur. Po ju them se po të mos e kisha parë me sytë e mi nuk do ta kisha besuar një skenë të tillë:
– Përse vdiqe kaq shpejt?- thirri miku që na priti në shtëpi, – Çfarë të mungonte… nëse s’kishe para, kishin të tjerët për ty.
Një tjetër pranë tij iu drejtua të vdekurit:
– Ti ishte tmerri i gjithë botës. A nuk e mendoje se dhe duke vdekur, armiqtë e tu do të kënaqeshin dhe s’do kishin më frikë për bagëtitë e tyre?Ja gruaja tënde e mbetur tashmë pa fat nga ty që ishe burri i vetëm në këtë familje. Përse vdiqe atëherë?
Një tjetër që u afrua t’i fliste kufomës, shtoi:
– Meqë ti vdiqe, ja ç’duhet bërë. Thuaj Shën Pjetrit që të të hapë portën e Parajsës që ti të mund të shohësh sesi do të marrim hak ndaj egërsirave osmane që na keqtrajtojnë. Pastaj ne vështruam trupin e tij kur e futën në dhé…“
Ja pra një nga dëshmitë më të vjetra rreth ceremonialit mortor të shqiptarëve të Greqisë, në një datë kur shqiptarët, arvanitasit, ishin vendosur nëpër Greqi që në kohën bizantine, e më vonë nga venecianët, përçka shkruhet në kronikat e Senatit venecian të Republikës Serenissima.
Në shënimet për udhëtimin e tij në Greqi, La Guilletière apo Guillet de Saint George, siç ishte emri i tij i vërtetë, do të konstatonte dhe vendbanimet shqiptare në rrethinat e Atikës, nëpër brigjet, në Tebë, etj, duke theksuar se shqiptarët e manjotët i kanë bërë një luftë të ashpër pushtuesve osmanë. Ja çfarë shkruan ai pasi lë pas Egjina-n: „Duke iu kthyer tokës, ne zbuluam fillimin e fushës së famshme të Maratonës. Më pas ne iu drejtuam një fshati për të gjetur strehë për të kaluar natën dhe të gjenim kuaj për të udhëtuar që të nesërmen për të shkuar drejt turkut Osman që mbretëronte në ato anë. Në atë fshat kishte njerëz të fuqishëm, që grekët dhe turqit i quajnë me emrin Arnautë ndërsa ne i njohim me emrin „Albanois“, shqiptarë. Janë me origjinë nga kufiri lindor me Maqedoninë, pranë qytezave Apolirnea dhe Sapoza dhe pjesa tjetër nga Epiri, drejt maleve të Himarës. Natyrisht ata janë njerëz trima, të vendosur dhe të palodhur, hajdutë të mëdhej në tokën greke, siç janë manjotët në det. Buzë detit merren me peshkim. Ndjekin fenë ortodokse të grekëve. …“.
La Guilletière, pasi udhëton nga Zante në Patra, More, Korinth, Athinë, më pas shkon drejt Livadhjasë dhe Tebës. Duke vazhduar tregimin për fshatin e Thivas, në Tebën e lashtë të luftrave të mëdha midis helenëve dhe persëve, La Guilletière vazhdon: „Na kishin folur me aq frikë për arvanitasit sa ne thamë se do të na suleshin me furi. Në kasollen e parë që pikëtakuam, i zoti i shtëpisë sapo kishte vdekur. Pas përshëndetjes na pritën me mirësi. Njëri nga ata na futi në kasolle. Vendi ishte i hapur e i pastër, sepse bagëtia ishin në fusha. Në këto vende, njerëz e kafshë flenë në të njëjtin vend. Drekën e hëngrëm aty me qumësht e djathë dhe disa ëmbëlsira përgatitur me mjaltë e bajame. Miku ynë ishte bukëpjekësi i fshatit Horion. Fëmijët erdhën në grup të këndonin. Kasollja u rrethua nga njerëzit, në atë skenë ceremoniali mortor…
La Guilletière apo Guillet siç ishte emri i tij i vërtet, ishte një njeri i teatrit dhe autor pjesësh historike veçanërisht rreth perandorisë osmane. Kronikanët flasin gjithashtu për të si dekorator i skenave teatrale, por ka mundësi ndoshta të jetë ngjitur dhe në skenë, në teatrin e bashkisë së Bourgogne-s, ku filloi dhe karrierën e tij artistike, më 1661. Në vitin 1670 kishte përkthyer dy libra të Makiavelit si Historia e Castruccio Castracan dh Arti i njeriut të shpatës apo fjalori i fisnikut më 1678. Në shkrimet e tij ai shkruan se kishte qenë marrë si skllav nga turqit, më së fundi kishte mundur të lirohej dhe të nisej drejt Greqisë ku fillojnë dhe aventurat e tij rreth botës. Në kthim botoi librin Athina e lashtë e moderne, ku në fund bën një historik të shkurtër të historisë së familjes Qiprilli (1675) dhe Peloponezi i vjetër dhe i ri (1676) duke kontrastuar gjithnjë botën e vjetër antike me gjendjen e vendeve në kohën e tij, duke iu referuar autorëve antike, historisë së monumenteve e tempujve, etj. Guillet pretendon se kishte zbarkuar në Kretë ku ishte futur në rradhët e ushtrisë osmane për të luftuar kundër venecianëve. Vallë të jetë e vërtetë? Historianët e venë në dyshim, veçanërisht udhëtari venecian Jacob Spon, i cili e vizitoi Greqinë fill pas tij. Një zënkë akademike do të zhvillohej më pas, e cila mbyllet me pohimin se La Guilletière përshkruan realisht udhëtimin e tij, pavarësisht nga disa pasaktësi gjeografike. Sidoqoftë, Guillet ishte historianografi i parë që u fut në Akademinë Franceze të Pikturës dhe skulpturës (1681).
Për La Guilletière shkruan dhe konsulli francez Pouqueville, i cili i referohet disa herë përshkrimeve të autorit francez. Në librin e tij Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Dhimitër Shuteriqi vë në dukej se tre vajet e kënduara që përmend La Guillitière janë përkthim pas përkthimi, (Pouqueville na ka sjellur të parën dhe të tretën) ku në shqipen e arvanitasve thuhet:
«Diqe, vate nd’atë jetë
Vate puna jote, vate!
Po thuaj Shën Pjetrit vetë
paradhisin të ta çeltë.
Piete ani, ç’bënetë
me turqit atje, qentë:
T’i ketë a mos t’i ketë
Nde piste thellt’ e me thelltë,
Qe na cifilitënë, dreqtë…»
Shkrimet e vjetra, të cilat po zbulohen vetëm vitet e fundit, na japin një tablo më të vërtetë dhe të shumanëshme të jetës së arvanitasve në Greqinë bizantinase dhe të Mesjetës, histori që kanë fjetur shekuj me rradhë në botimet e hershme si kronikat e Boissard, Picart, Giraud, Spon, Gyus, Choisseul, etj.
Greket e lashte dhe shqiptaret e sotem jane i njejti gjak. Kurse greket e sotem jane nje perzierje rracash. .