“Një shembull shkencor i çmontimit të “teksteve mitologjike”. Kështu është vlerësuar libri më i ri i albanologut të njohur, Matteo Mandalà, professor në Universitetin e Palermos, Itali. Nën titullin “Mitet e historiografisë arbëreshe” dhe me logon botimeve “Naimi”, libri u promovua në Akademinë e Shkencave, Tiranë. Duke vlerësuar kontributin e Matteo Mandalà në albanologji, prof. Ali Aliu tha se këto studime të kryera me metoda të reja na ftojnë “për rishqyrtime kritike të trashëgimisë sonë kulturore dhe letrare”. Me Matteo Mandalà filologjia e re shqiptare fiton më shumë prestigj, tha akademiku nga Kosova. Me synimin për të rindërtuar zanafillën dhe zhvillimin e identitetit kulturor arbëresh, autori ka arritur të identifikojë një sërë falsifikimesh të bëra sipas motto-s latine: Mundus vult decipi, ergo decipiatur (Bota ka qejf që të gënjehet, pra, le të gënjehet), thotë në paraqitjen e librit prof. dr. Francesco Altimari. Ndërsa, sipas prof. dr. Aurel Plasarit, “Libri i dijetarit arbëresh Mateo Mandalà “u tregon vendin” pothuajse të gjitha miteve me origjinë arbëreshe me të cilat është përkundur ndër shekuj shoqëria arbëreshe, veçan në shekujt XVIII e XIX. Libri përbën një tekst tejmase të qartë, të shkruar me një logjikë që s’të fal, me një aparat metodik bashkëkohor. Libri në fjalë ngjan më fort me një vepër teorike që historinë e miteve të origjinës arbëreshe e ka përdorur si shkas për të dhënë një shembull shkencor të çmontimit të “teksteve mitologjike” si fenomenologji. Është një shembull i cili na rikujton që gjuhëtarë, historianë, antropologë etj., e kanë detyrë t’i çmontojnë mitologji të tilla, përveçse në qofshin në shërbim jo të dijeve, por të ideologjive”.
Autori i librit, prof. dr. Matteo Mandalà, pasi falënderoi kolegët dhe lexuesit për interesin e treguar në Panairin e Librit, midis të tjerash, thotë: “Këtë libër ua kushtoj arbëreshëve, të cilët dua t’i siguroj se ata nuk kanë qenë e vetmja pakicë që është rrekur ta falsifikojë historinë për të fisnikëruar origjinën e vet. Në llogoret e kësaj sipërmarrjeje që më vonë ka dalë e dështuar, janë ngujuar, për shembull, familje të kamura serbokroate të Italisë në kërkim të prejardhjes së tyre të ndritur. Popuj të mëdhenj e të rëndësishëm evropianë i kanë kërkuar në të shkuarën paraardhësit e tyre të lashtë, dhe kur nuk i kanë gjetur në ndonjë dëshmi të hershme, i kanë sajuar. Mirçea Eliade ka përshkruar obsesionin e popujve të Evropës Lindore, të cilët iu drejtuan rindërtimeve më të pabesueshme (është domethënës rasti i rumunëve që u shpaguan për trazimin e tyre kur i gjetën te legjionarët e Trajanit (tamam tek ata që patën pushtuar vendin e tyre) paraardhësit e vet); për të mos folur pastaj për anglezët e gjermanët që “do të provonin”, pak a shumë në të njëjtën periudhë kur arbëreshët nisën spekulime të ngjashme, krejt të pabaza mitologjike, se vinin nga pellazgët hyjnorë të Homerit”. “Para zbulimeve të këtij lloji, – vijon profesori arbëresh, – hutimi i atij që ka besuar në vërtetësinë e miteve të rrejshme dhe të simboleve të tyre është i natyrshëm e, madje, i kuptueshëm, veçanërisht kur ushqehet nga ndjenja të sinqerta e të pastra. Por meqë ditët e sotme janë të vështira për kulturat e pakicave, nuk mund të vazhdojmë të tregojmë një përrallë duke ia shitur për të vërtetë historike atij që e ka lënë pas fëmijërinë dhe ka arritur pjekurinë e qetësinë e gjykimit”.