Anita Duriçi ka lindur në Tiranë. Studimet e shkollës së mesme i kreu në Liceun e Gjuhëve të Huaja në kryeqytetin shqiptar, ku u diplomua me rezultate të larta në degën Frëngjisht-Anglisht-Shqip. Ajo vazhdoi studimet në fakultetin e Gjuhëve të Huaja ku u diplomua në nivelin bachelor dhe master në degën Gjuhë, Kulturë Frënge dhe Komunikim.
Gjatë këtyre viteve u angazhua me aktivitete në fushën e artit dhe kulturës dhe nga viti 2013 deri në 2017 dha kontributin e saj në Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë si asistente e Ministres së Kulturës.
Që prej 2017 ajo u zhvendos në Zvicër, dhe në 2018 nisi studimet në nivelin Master ku edhe u diplomua në degën Shkencat e Komunikimit dhe Linguistikës në Universitetin e Lozanës. Ajo flet disa gjuhë të huaja dhe ka kryer specializime të ndryshme në universitete evropiane.
Aktualisht znj.Duriçi, është përkthyese në Gjykatën penale dhe atë civile, në Prokurori dhe Gjykatën e shkallës së parë dhe kantonale, gjithashtu përkthyese në policinë kantonale për kantonin e Vod-it ( Vaud), distrikt i Lozanës.
Në vitin 2021 ajo iu bashkua “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe është mësuese e gjuhës shqipe në qytetin e Lozanës. Znj.Duriçi prej kohësh është aktive dhe në fushën e artit duke organizuar disa ekspozita personale dhe kolektive në qytete të ndryshme të Zvicrës si Bernë, Lozanë, Thun, etj.
Angazhimi i saj në edukimin e brezit të ri, në transmetimin e gjuhës amtare dhe promovimin e artit dhe kulturës është shembulli më i mirë i integrimit dhe angazhimit në Zvicër.