Një portret i Skënderbeut në Beauregard

skenderbeuNga Luan Rama
Ky portret nuk është ai qe gjendet në Galleria degli Uffici në Firenze por një portret tjetër i Skënderbeut në kështjellën e Boregard-it (Beauregard) në Francë. Dhe kjo është një e papritur e bukur për ata pak shqiptarë që mund të vijnë gjer këtu në thellësi të Francës, duke ndjekur rrjedhën e Luarës që çan përmes fushave dhe pyjeve të pamata. Përgjatë këtij lumi, mbretërit dhe princat mesjetare francezë kanë ngritur mjaftë kështjella hijerënda e madhështore, që sot janë krenari e Francës, si ajo e Chambord, Chenonceau, Amboise, Chamon, etj. Kështjellën e Chambord-it, Shatobriani,(Chateaubriand) i mahnitur nga ajo, e ka cilësuar “si një grua që era i merr flokët.” Ndërsa akoma më në thellësi, kështjella e Boregard-it, e cila ruan koloritin e Renesancës, nuk e ka pasurinë dhe madhështinë e tyre. Ajo është fshehur mes pyjeve të Chambord-it ( një rezervat sot për gjuetinë presidenciale) dhe ashtu e fjetur ruan në vetvehte ngjarje e histori nga jeta e mbretërve të Francës. Pikërisht këtu mblidheshin “mosketieret” e lavdishëm, apo Rishelieja i famshëm e princër të tjerë. Megjithatë po mos të kishte “Galerinë e portreteve”, vështirë që kjo kështjellë do të hynte sot në rrjetin e muzeumeve që u ofrohen vizitorëve të huaj. Pronarët e saj të sotëm janë konti dhe kontesha Pavijon(Alain Pavillon). Por historia e saj zë fill këtu e katër shekuj më parë.

Në fillim të shekullit XVI, ishte mbreti François i I që bleu tokën e Beauregard për ta pasur si një pikë gjuetije. Më 1545 Jean du Thier, sekretari i shtetit te Henri II, e mori dhe e zgjeroi kështjellën primitive. Intelektual dhe mik i Ronsard, poetit të madh francez, ishte pikërisht ai që e zbukuroi këtë kështjellë. Por ai që krijoi “Galerinë e portreteteve”, ishte Paul Ardier, një ish minister i mbretit Henri IV. Kur ngjitesh në katin e dytë të kështjellës, gjen një sallon të madh, unikal në Francë nga mënyra se si rrethohet nga të katër anët me portretet e njerëzve të mëdhenj të disa shekujve. Janë 327 që rrokin një epokë të gjatë, portrete që nga koha e Filip de Valua e deri tek Luigji i XIII, (1328 – 1643). U afrohesh portreteve dhe diku mes tyre, prane imperatorit të fundit të Konstandinapojës, Kostantini, sheh të vendosur portretin e Skënderbeut,”George Castriote, dit Scanderbeg”. Në krah të tij, vështrimi bije mbi Huniadin, “governator de Hongrie”, siç shkruhet poshtë portretit, aleat i dikurshëm i Skënderbeut kundër hordhive osmane. Sipër tablosë sëSkënderbeut, shquhet ajo e Murat Mehmetit të II-të, me një kokë të rrethuar me çallme, pastaj Henri i V,mbret i Anglisë, Ferdinandi II i Napolit, etj. Duke kaluar nga një epokë në tjetrën dhe nga një portret në tjetrin, sytë ndalen edhe në portretet e Papa Klementit te II, mbretit Filip të Spanjës, tek ministra të luftës apo diplomatë të mëdhenj, princër etj, siç është rasti i anzhuinëve, Comte d’Anjou. Sipas të dhënave historike, gjithë ky grup portretesh është realizuar nga një grup piktorësh që atëhere punonin në atelierin e Paul Ardier dhe sipas kërkesave të tij. Ai i furnizonte ata me gravura të mbretërve, sulltanëve e perandorëve të ndryshëm, të cilat kopjoheshin e realizoheshin me besnikëri e mjeshteri artistike. Sigurisht pas disa shekujsh është vështirë të gjesh se cila gravurë ka shërbyer si kopje, dhe cilit piktor i përket ajo. Megjithatë duke vëzhguar këtë portret të Skënderbeut me mjekër dhe në moshë të thyer, kupton se ai afrohet shumë me ato pak gravura të vjetra të asaj periudhe dhe që mendohet se janë besnike të portretit real të Skënderbeut. Kaq e famëshme u bë kjo “Galeri e portreteve” në atë kohë, sa që kur mbreti i Francës Louis Filippe ndërtoi Versajën dhe muzeun e quajtur “Lavditë e Francës”, ai kërkoi t’i riprodhoheshin disa nga portretet e kësaj galerie. E mbushur nga të katër anët e mureve me portretet që ngjiten gjer në cep të tavanit, vizitori që vjen në Beauregard udhëton aq shpejt nëpër kohra sa që brenda një kohe të shkurtër përjeton një periudhë disa shekullore. Pikturat janë punuar në vaj dhe emrat e piktorëve anonimë sot është e vështirë të deshifrohen. Krijimi i tyre në fakt ka filluar në shekullin XVII,dhe pikërisht në vitet 1620-të. E vetmja e metë e kësaj galerie, që e zemëroi atëherë shkrimtarin e shquar francez Rabelais, ishte se aty nuk figuronin portretet e artistëve të mëdhenj të kohës, ç’ka për të ishte diçka fyese dhe poshtëruese. Aktualisht këto portrete kanë filluar t’i restaurojnë, restaurim ky që do të zgjasë për një periudhë ndoshta 20 vjeçare. E megjithatë, duke parë portretet e restauruara e gjithë shkëlqim, në krahasim me tablotë e vjetra,sepse ndjen sikur personazhet i kanë larguar nga epokat e tyre, kohrat kur ata kanë jetuar realisht.

 George Castriote, i quajtur “Scanderbeg”

 Trupi i tij u varros në Lezhë (Lysse), në katedralen e Shën Nikollës, – shkruan më 1575 në librin Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg, roy de l’Albanie, Jacques de Lavardin. – Sipas zakonit të stërgjyshërve të tij, varrimi u bëme një ceremoni plot zi dhe dhimbje të pamatë nga kapidanët dhe ushtarët e princave fisnikë, aleatë të tij. Askush nuk e kish menduar se në Shqipëri, në ato vënde të krishtërimit, do të derdheshin aq shumë lotë. Kockat e tij të futura nën dhe u prehen në paqe gjer ditën kur në Epir erdhi Muhameti i II-të.Katër vite më pas, turqit, të cilët pushtuan qytetin e Lezhës, kërkuan të etur trupin e Skënderbeut, duke ja shkulur skeletit kockat e tij. Kockat e atij njeriut, që dikur me ti dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani i rrëmbenin si diçka të shenjtë. Ata vërsuleshin drejt skeletit dhe i lumtur ish ai që iprekte e akoma më shumë ai që i varte ato si hajmali, pra si diçka prrallore...”

Jacquesde Lavardin, Seigneur de Plessis, siç shënon ai në krye të librit të tij, nuk e ka përjetuar kohën kur jetoi dhe trimëroi “atleti i Krishterimit”, heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skenderbeut. Ehoja e famës dhe e legjendës së këtij heroi shkuan shumë larg. Marin Barleti, bashkëkohësi i tij, ishte kronikani i parë i jetës së Skënderbeut, vepra e të cilit,Historia e Skënderbeut, u bë burim i tërë historive të shkruara në Perëndim për jetën e këtij heroi. Në hyrjen e librit të Lavardin shkruhet: “Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg, Roy d’Albanie, contenant ses illustres faicts d’armes et mémorables victoires à l’encontre des Turcs pour la Foy de Jésus-Christ recueillie, dressée et poursuivie jusques à la mort de Mohamet II…Franche-Ville»[1].Shumë libra historike janë shkruar nga kronistë e historianë francezë, nga letrarë, libretistë e dramaturgë. Në fondet e Bibliotekës Nacionale të Parisit, gjënden një mori librash mbi Skënderbeun, qëu përkasin gati pesë shekujve qytetërim evropian. Emil Legrand në studimin e tij Bibliographie albanaise, na flet për një sërë librash me vlerë mbi Skënderbeun si Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, De vita moribus as praencipue adversus Turcas, gestis Georgi Castrioti,Scanderbeg,i G. Gaulteron de Cenquois, 1544, Historie de Scanderbeg, Roy d’Albanie, i R.P. Duponcet dhe mjaft botime të viteve të ndryshme të librit të J. de Lavardin, i cili padyshim eshtë nga librat më me vlerë pas historisë së Barletit. Ky «atlet i Krishterimit» hyri jo vetëm në historinë shqiptare por dhe atë të popujve evropianë, duke lënë pas një sërë gojëdhënash,legjendash, rapsodi e këngë epike, që në kohërat më të errta të sundimit otoman do të ndrisnin kujtesën kombëtare si flakadanë të pashuar.

skeneder
Ô vaillant Albanais!

 “L’Épire seulement n’est en chevaux fertile

Bonsa ravir le prix au cours Olimpien,

Maisen hommes guerriers, dont le sang ancien

Sevante d’estre yssu du valeureux Achille…”

Kur poeti i madh Pierre Ronsard (1524-1585 ) shkruante këto vargje për Skënderbeun, ai ishte në muzgun e jetës së tij. Ai e njihte dhe e çmonte abatin Jacques de Lavardin, të cilit i dedikon dhe këtë sonetë, abatin që vite më parë kishte botuar në Francë Historia e Skenderbeut, nisur nga vepra e Marin Barletit. Eshtë pikërisht koha kur pas sonetave dhe poemave të mrekullueshme për dashurinë, dhe pas odeve në librin Hymnes për princa të oborrit dhe të krahinave me emër të Francës,ai nis ciklin ” Figures et proctraits de septs a ages de l’homme, në të cilën rradhitet dhe kjo sonetë kushtuar J.de Lavardin. Siç e dëshmon dhe një ndër biografët e tij, Michel Simonin, ne librin e tij Pierre Ronsard, të botuar nga “Fayard”, ai njihej mirë me Lavardin dhe është takuar shumë herë me të. Abati, sapo kishte përkthyer librin e kardinalit polak Hosius Confession Catholique, kur u takua me Ronsard në fshatin Saint Guingalois, ku ai ishte tërhequr për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij.

Ronsardi kishte provuar shumë zhgënjime e trishtime gjatë jetës së tij. Libri i tij i parëPremierlivre d’Amour, i kushtohej Kasandrës, me të cilën ra në dashuri sapo e pa atë në Blois. Ajo ishte vajza e një tregëtari fjorentinas dhe historia e tyre ishte mjaftë e shkurtër, pasi Kasandra shpejt u largua. Më 1555, në Anzhu, ai takohet me Marie du Pin, të cilës i thurri qindra e qindra vargje. Ajo ishte një pesëmbëdhjetë vjeçare ndërsa ai ishte tridhjetë. Dashuria e tij e tretë ishte Helena, me të cilën u njoh kur ishte në moshën pesëdhjetë vjeçare. Por në vënd që ta lumturonte, kjo dashuri e shkatërroi, duke e lënë të helmuar e plot dhimbje. Kështu, ai nuk do të shkruajë më për dashurinë dhe vargjet e tij bëhen moralizuese dhe filozofike. Në sonetet e tij janë hymnet për Henrin e II-të dhe dashnoren e tij, për Henrin e III-të, dukën e Orleanit etj. Gjatë kohës së luftrave të Francës, më 1562, ai shkroi një libër me pamflete të rimuara të quajtur Discours des Miseres de ce temps. Ishin vargje politike e patetike për këtë poet, që në rini kishte qënë në shërbim të dukës së Orleanit e pastaj “pazh” pranë mbretit të Skocisë dhe Charles d’Angouleme e më vonë “aumonier” ( prift i regjimentit) i mbretërve të Francës: Henri II-të, Saint François I-rë, Charles IX-të dhe Henri III-të.

Soneti për Skënderbeun është ndoshta nga sonetët e fundit të tij për kalorësit legjendarë:

“Pyrrhem’en tesmoin, qui, razant mainte ville,

Eut enfin pour tombeau le vieil mur Argien,

Et Scanderbeg, haineux du peuple Scythien,

Qui de toute l’Asie a chassé l’évangille…”

Në këtë kohë, Ronsard, nuk ka me dëshirë të jetojë në Paris, Versajë apo në Fontenblo. Jeta e oborrit, shkelqimi i pasqyrave,mbrëmjet festive nuk e joshnin aspak.”E urrej oborrin, ashtu siç urrej vdekjen”, – thoshte ai. Duke iu larguar Parisit, ai e ndjen vehten më të lirë. Ai shkon në Angers, Conflans, ku ka miq të ngushtë apo në Villeroy, kuishte një bibliotekë gjigande.

Eshte koha kur në poezinë e tij ai ka filluar dialogun me vdekjen.

“Jadu prochain hyver je prevoy la tempeste (Me afrimin e dimrit parashikoj stuhine)

Ja cinquante et six ans ontneigé sur ma teste…”(Pesëdhjetë e gjashtë vjet e kanë zbardhur kokën time…)

Megjithëse i ri në moshë, pesëdhjetë e gjashtë vjeçar,poeti e ndjen vehten të mplakur. Disa ditë para se të vdiste ai do të shkruante, duke i diktuar abatit që i rrinte tek koka: “Ma plume vole au ciel pur estre quelque signe/Il est temps de laisser les vers et les amours/ Et de prendre congé des plus beau de mes jours“.[2]

Ai vdes natën e 28 dhjetorit të vitit 1585 dhe varroset në kishën e Saint Cosme pa asnjë mbishkrim në varrin e tij. Eshtrat e tij janë të vetmet, ndër njerëzit e shquar të kësaj epoke të Rilindjes, që janë gjetur para luftës së dytë botërore. Pas vdekjes së tij, për gati dy shekuj, vepra e Ronsardit u harrua,pasi pasardhësit e tij nuk i donin poetët që i referoheshin mitologjisë greko-romake dhe që të kujtonin Homerin, Virgjilin apo Ovidin. Gjenerata e Stendalit dhe e Hygoit kujtuan se po zbulonin një mjeshtër të panjohur, duke botuar veprat e Ronsardit, e në veçanti L’Oraison funebre, por në fakt ai kishte qëne ndër më të njohurit në epokën e vet, krahas Joachim de Bellay.Kështu, kjo gjeneratë si dhe gjeneratat e mevonëshme e quajtën atë “Princii poetëve” (“Prince des Poetes”). Ishte pikerisht ky “princ” i poezisë klasike franceze që na la vargjet e bukura për heroin shqiptar :

“O très-grand Epirote! Ôvaillant Albanois! (O epirot i madh! O trimi shqipetar! )

Dont la main a desfait les Turcs vingt et deux fois, (Qe dora tende i theu turqit njëzet e dy herë)

La terreur de leur camp,l’effroy de leurs murailles, (Ti ishe tmerri i kampit dhe mburojave te tyre)

Tu fusses mort pourtant, englouty de Destin, ( Megjithate ti do vdisje, përpirë nga Fati )…

Si le docte labeur du sçavant Lavardin/ ( Ne se puna e mënçur e të urtit Lavardin)

N’eust, en forçant ta mort, regagné tes batailles.” /(S’do ta mposhtete vdekjen tënde e te bënte të ri etonin betejat )

Një opera “tragique”

Skenë e një teatri klasik ku duket një pyll kushtuar Muzave. Parnasi duket larg. Që me hapjen e siparit duken Melpomeni dhe Polimnia të ndjekura nga muza e Magjisë dhe më pas nga ajo e Dashurisë. Pastaj me ndrimin e dekorit, shfaqet një shpellë në Kopshtet e Sarajit.

Skënderbeu:

O natë! Nxito, dita më së fundi dita të agojë!

Lavdinë pres të më thërresë!…

A e njeh o i shtrenjtë Princin Osman te Shqipërisë?
Vëllezërit e mij hakmarrje kërkojnë …

Osmani:
Dashurija!

Ah, çfarë vallë e ka prekur shpirtin tënd?

A mund ti përgjigjesh flakës së dashurisë

Që ndjen Roksana për ty?…

Ja pra dy fjalë nga historia e kësaj opere. Skënderbeu dashuron favoriten e Sulltanit, serben e bukur Roksana…

Kur kisha dëgjuar për herë të parë për një opera franceze kushtuar Skënderbeut, kisha imagjinuar një çast atë epokë të largët nëParis, atë ditë vjeshtë kur në sallën e koncerteve të “Palais Royale”, drejt sallës, ngjiteshin rradhazi konte, kontesha, duke e të ftuar të oborrit mbretëror, duke pritur më pas në heshtje hyrjen e Luigjit të XV-të së bashku me mbretereshën. Kjo kishte ndodhur në 27 tetor të vitit 1735, apo siç shkruhej atehere në afishen e koncertit “L’an M.D.CCXXXV. Përparambretit, gjykatësit të parë të një vepre muzikore, Akademia Mbretërore eMuzikës shfaqte operan tragjike me pesë akte të titulluarScanderbeg. Një opera me muzikë të kompozuar nga kompozitorët François Rebel dhe François Francoeur, kompozitor i Muzikës së Dhomës së Madhërisë së tij. Që të dy këta kompozitorë pothuaj gjithë jetën e tyre kompozuan së bashku, duke kontribuar shumë në bel-kanton franceze.

Përpara syve të mbretit, nën tingujt e muzikës, ishte ngritur sipari i skenës së aktit të parë, duke zbuluar një dekor oriental, një shpellë në kopshtet e sarajeve të sulltanit. Këtu dhe nis historia e kësaj opere rreth dashurisë së Skënderbeut, një histori imagjinare që shkon gjer në ditën e dyluftimit të Skënderbeut me sulltanin, ku kuptohet që ai ngadhnjon fitimtar. Kjo tragjedi ishte shkruar shume vite më parë nga një libretist i njohur operash, Antoine Houdar de la Mothe, anetar i Akademise Franceze dhe që kishte lënë një seri veprash të njohura në operan klasike franceze. Por La Mothe nuk arriti ta shohë të interpretohet në skenë libretin e tij.Ai vdiq i paralizuar katër vjet më parë se opera të shfaqej në “Palais Royal”. Midis veprave të tij post-mortum, miqte e tij gjetën edhe libretin për Skënderbeun. Kur ky libret ra në duart e libretistit tjetër të njohur të asaj kohe L. de Laserre, ai u entusiazmua dhe filloi të punojë mbi të. Shumë vite më parë kishte qënë Antonio Vivaldi, ky pararendës i Bahut, që kishte shkruar një opera për Skënderbeun, e cila më 1718 kishte bërë bujë në Firence. Opera e Parisit në atë kohë nuk e kishte arritur ende famën e operas italiane, e cila që më 1647 kishte shfaqur në “Palais Royal” operan Orfeo. Opera franceze filloi të bëjë emër me  kompozitorin Lully, që udhehoqi operan lirike për një kohë të gjatë. Ai nuk e përjetoi shfaqjen e tragjedisë Scanderbeg, këtë opera me 25 skena, çka për kohën ishte një angazhim shumë i madh.

Shfaqja e Skenderbeut u dha tridhjetetre herë rradhazi përpara mbretit dhe aristokracisë franceze. Më pas ajo u shfaq në Choisy dhe më 22 tetor 1763, pra 28 vjet më vonë, në Fontenbleau, ku rrinte mbreti në kështjellën e famëshme të Fontenblose. Afishja e asaj kohe njoftonte: “Scanderbeg-tragedie, représentée devan leurs Majestés…” Kjo opera u luajt në një epokë kur për Skënderbeun botoheshin biografi e jetëshkrime ngado në Evropë, si në Itali, Poloni, Francë, Angli e gjetkë. Nga 13 qershori e gjer në 29 dhjetor 1763 ajo u shfaq në Fontenblo e Versajë, ku shfaqjet jepeshin dy herë në javë dhe vetëm gjatë sezonit të verës dhe të dimrit. Por burime të ndryshme dëshmojnë se ajo eshtë shfaqur edhe në vitet 1765-1766. Në bibliotekën e Operas pariziane si dhe në Bibliotekën Nacionale, ruhen që nga ajo kohë partiturat e disa botimeve të asaj epoke, ku midis të tjerave paraqiten dhe dekoret e kostumet e personazheve nëskenë.

Skënderbeu:

Ah, ç’lumturi ndjej tani
Kur miku im besnik Osman, më ndezi flakën e shpirtit!

Qetësia zëmrën time preh tani!

Sa ibukur ky moment, sa i ëmbël ky mjedis!

Shpresa që m’është zgjuar i zbukuron ato edhe më.
Kënga e zogjve të dashuruar;

Freskia e zefirëve, që lulet bën të çelin
Murmurima e ujrave që gëzueshëm rrjedhin,

Gjithçka duket se i përkushtohet agimit…

Vite më vonë, në maj 1786, veçse tri vite parase të fillonte Revolucioni Francez, në “Theatre Français”, të krijuar nga mbreti dhe ku drejtonte më parë Molieri, u shfaq nje pjesë teatrale shkruar nga Pierre-Ulric Dubuisson, i cili ne moshën 48 vjeçare përfundoi në gijotinë (gjatë revolucionit aktorët i larguan nga teatri dhe disa prej tyre i burgosën). Të tjera pjesë teatrale u shkruan e u botuan në Francë për Skënderbeun, si ajo e Casimir Pertus, një shkrimtar jo fort i dëgjuar, i cili shkroi një tragjedi neoklasike me titullinScanderbeg,vepër kjo që u botua më 1870.

kastritoi“Place Scanderbeg”

Ka një shesh në periferi të Parisit me emrin “Place Scanderbeg”. Një shesh në veri të tij ku bashkohen “Rue Aubervillier”, “Avenue VictorHugo”, etj, e ku poshte tij, shkon autostrada që të çon për në aeroportin “Charles de Gaulle”. Një shesh tepër modest ku pranë tij, jeshilon një park i vogël me gështenja të egra, e ku në mes të sheshit kuqëlon një kumbull e madhe. Që këtej duket kupola e bardhë e bazilikës së”Sacre-Coeur”, e cila ngrihet në majë të kodrës së Montmartrës. S’di pse sa herë kam shkuar në atë shesh, duke kapërcyer rrugën “Boçari”, jo shumë larg tij, kam gjetur nje lloj zbrazetire, erë dhe një qiell gri. Prej vitesh emigracioni shqiptar kishte dëshiruar që në Paris të kishte një rrugë,një aveny apo një shesh me emrin e heroit tonë kombëtar, ashtu siç ishin dhe emrat e Garibaldit, Bolivarit, Linkolnit, etj. Dhe momenti erdhi pas festimeve të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, dhe kërkesës këmbëngulëse të një grupi emigrandësh shqiptarë, gjersa Bashkia e Parisit dhe vetë kryetari i atëhershëm i Bashkisë, Jacques Chirac, vendosën që një shesh i Parisit 19-të,të merrte emrin “Place Scanderbeg”.

Një ditë maji të vitit 1980 shqiptarët u mblodhën për inagurimin e këtij sheshi. Ishin midis tyre Lec Shllaku, kryeredaktori i revistës Koha jonë, apo Jusuf Begeja, Leone Zazani, Skënder Zogu e shumë të tjerë, si dhe të ftuar nga emigracioni shqiptar në Itali, Amerikë e Belgjikë. Atë ditë,shqiptarët u mblodhën në katedralen e “Notre-Dame” të Parisit, ku u dha një meshë e madhe me këtë rast nga At Prençi e At Shestani, meshë ku ishte i pranishëm kardinali i Parisit, Marty, si dhe perfaqësues të kishës së Rumanisë, Kroacisë, Sllovakisë, Lituanisë, etj. Po aty u mblodhën dhe vajzat arbereshe veshur me kostumet kombëtare që kishin ardhur nga Shën Dhimitri i Italisë së Jugut dhe që kënduan në këtë meshë. Në një fotografi të rrallë të asaj ditë duken ato vajza të bukura arbëreshe në portat e “Notre-Dame”, duke shpalosur një flamur të madh kombëtar kuq e zi për të dalë në fotografi. Pas meshës,turma e shqiptarëve me flamur në ballë, kishte shkuar në sheshin e Bashkisë dhe kish kënduar hymnin shqiptar. Ndoshta ishte një çudi për parizianët, të shikonin atë turmë me flamuj e këngë, dhe të dëgjonin atë këngë që kishte aq dhimbje e trishtim. Ishin po ata shqiptarë që vite me rradhe kishin manifestuar para ambasadës në “Rue de la Pompe” me pankartat në duar ku shkruhej: “A bas la dictature d’Enver Hoxha”.

Që nga ajo ditë ka rrjedhur shumë kohë. Sot ai shesh të jep ndjesinë se diçka i mungon, sikur diçka ai pret. Ndoshta një statujë të vetë kalorësit legjendar … Dhe statuja nuk do vonojë të mbërrijë!

[1] – «Historia e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Scanderbeg, mbret i Shqipërisë dhe i fesë sëJezu Krishtit, i përgatitur gjer në vdekjen e Muhametit të II-të».

[2] – «Pena ime po ikën në qiell që të mbetet një shenjë/ Eshtë koha të braktis vargjet dhe dashurinë/ Të marr leje e të ikë nga ditët e mia më të bukura».


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *