Nga Mira Kazhani
Është për të qeshur dhe për të qarë që gazetaria për shumë arsye vitet e fundit po degradon në amatorizëm. Por jo vetëm kaq. Për shkak të hapjes së shumë mediave, televizione, gazeta, së fundmi edhe portale, filtri profesional pothuajse nuk ekziston dhe amatorizmi po zëvendësohet me injorancën.
Rasti i gazetares së A1 News për të cilën do refuzoja t’ia botoja një foto, ta kurseja, sepse nuk është faji vetëm i saj. Është shembull tragji-komik me atë çfarë po përjeton gazetaria e ditëve të sotme ajo vajzë që po punon si gazetare.
Sot, (pas gafës me Kastriot Tushën, tenorin më të njohur sa s’ka) në media sociale është bërë virale një video ku gazetarja tenton të intervistojë Matilda Makoçin, për të cilën nuk ishim në dijeni por dikush e ka nxjerrë nga arkivat.
Duket nga video se gazetarja ka shkuar me vetëbesim të intervistojë aktoren e filmave të periudhës socialiste Matilda Makoçi. Gjatë intervistës e thërret atë “Zonja Natasha”.
Dakort, është brez i ri, nuk i njohin aktorët e sistemit të kaluar. Nuk di asgjë për Matilda Makoçin, pse ka ikur nga Shqipëria, nëse e ka djalë daje Edi Ramën apo ish-bashkëshort. Por fakti që ka një mikrofon në dorë dhe ia drejton atë njerëzve me statusin e gazetares është vërtetë serioze. Pa dyshim nuk është faji i gazetares. Përgjegjës janë shumë pronarë që kanë të njëjtin metër njohurish me gazetaren, të cilën e kanë punësuar. Por meqë jetojmë në botën e klikimeve, për disa ajo është gazetarja më e suksesshme në Shqipëri.
Prirem dhe lutem që kjo të jetë një lojë, edhe pse të gjitha faktet janë në favor të ekzistencës së saj. Ajo do të bëhet e famshme, në mos është bërë. Do të vija dorën në zjarr që sonte do të futet te lajmet më të klikuara. Këto janë ditë të vështira për gazetarët profesionistë, të cilët kanë përgjegjësinë e tyre në këtë llum ku po e zhysim të gjithë me babëzinë e klikimeve, ankthin e mbijetesës aq sa druajmë se sot më shumë oferta do t’i shkojnë kësaj gazetareje se sa një kolegu që punon prej një jete apo edhe gazetarëve të rinj të cilët shtypin çdo ditë lajme, punojnë fort për të bërë diferencën dhe për t’u quajtur një ditë profesionistë.
Heminguej thoshte se gazetaria është letërsi e nxituar. (Sqarim: nuk ka qenë futbollist është shkrimtar.) Por sot te gazetaria gjejmë vetëm nxitimin dhe aspak letërsi. Gjejmë një treg kaotik ku pa dyshim në një redaksi ku nuk shpërndahen rroga, të gjithë e meritoni një gazetare që nuk e njeh Kastriot Tushën, Erion Braçen, pa shkuar fare tek Nishani. Lexuesit që klikojnë gjithë ditën e ditës mbi porno, që i japin jetëgjatësi portaleve me “fake news”, që shijojnë thashethemin dhe jo faktin dhe që pa dyshim klikojnë vetëm mbi këtë format lajmesh, për ta ka vend në këtë “gazetari”. Disa njerëz e meritojnë t’i furnizosh me lajme m… Kujt i shkonte mendja se shpejtësia teknologjike do të nxiste dhe promovonte kaq shumë injorancë.
Të kesh një telefon Android ose iPhone nuk të bën të realizuar. Janë thjesht mjete të kapitalizmit që sa të kenë jetë nuk do ta eklipsojnë rëndësinë e dijes. Për këtë të fundit profesioni i gazetarit duhet të jetë një rojtar, është një detyrë si ajo e mjekut mbi pacientin. Do të doja shumë që me kolegë të mi të solidarizojmë për një kauzë të tillë. Pa vënë në shënjestër, pa kryqëzuar dhe pa u tallur me një vajzë e cila në nevojë për punën ka marrë një mikrofon. Çështja nuk është si të shkatërrojmë ose diskreditojmë individë, sepse injorancë ka në të gjithë botën, analfabetizëm dhe amatorizëm. Çështja është të mos ulemi para kompjuterit dhe të përqeshim një gjë për të cilën kemi edhe vetë po aq përgjegjësi. (Tiranapost.al)