Ardian Vehbiu
Libri im i ri ende nuk më ka rënë në dorë; është shtypur, por jashtë Shqipërisë. Do të mbërrijë në kohë për Panairin, por ndërkohë më dërguan një foto. Fotoja më kënaq, por edhe më fut në mendime. Duke filluar nga një ndjenjë mallëngjimi, përgjegjësie dhe modestie, kur shoh që ma kanë vënë librin krah për krah me një të prof.Çabejt. Çabejit i detyrohem drejtpërdrejt për shumë nga çfarë kam mësuar, në vite, për gjuhën shqipe, gjuhësinë historike, albanologjinë dhe metodën e kërkimit shkencor në fushën tonë të dijes. Në këtë kuptim libri im “Fjalë për fjalë” nuk do të ekzistonte, pa Çabejin.
Pranëvënia në foto sugjeron edhe një traditë, ose vijueshmëri; edhe pse unë thjesht ndihem mirë – nuk po dua të përdor klishenë “jam krenar” – që jam përfshirë në këtë sintaksë, e cila në rastin tim edhe më kujton se, kur vjen puna për gjuhësinë, ne që e lëvrojmë mes shqiptarëve kemi me çfarë të matemi. Përveçse njeri, mësues dhe dijetar, Çabej është edhe institucion i mendimit kombëtar – dhe është fat për mua, që libri im botohet dhe popullarizohet nën emrin dhe siglën e tij.
Brezi im i atyre që e filluan punën me gjuhën shqipe në vitet 1980 mund të ankohet, dhe ka të drejtë të ankohet për shumë mangësi, harresa dhe mospërfillje; por jo për mungesën e traditës.
Unë si student nuk arrita dot të dëgjoj Çabejn në leksion; por pata për pedagogë Shaban Demirajn, Androkli Kostallarin, Mahir Domin, Xhevat Lloshin, Fatmir Agalliun, Anastas Dodin, Jani Thomain, Jorgji Gjinarin – emra herë-herë kontroversialë dhe herë-herë të lënë mënjanë padrejtësisht; por që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e gjuhësisë shqipe.
Brenda kësaj shkolle të dijes, Çabej ka qenë strumbullari dhe feneri ndriçues; brenda kësaj shkolle të dijes, ai mbetet udhërrëfyes për ne të gjithë edhe sot. Shndërrimin e pashmangshëm në mit, në ikonë kombëtariste, madje ndonjëherë edhe në personazh folklorik, Çabej e vuan tani në mënyrën e vet – ose duke mos u lexuar. Shumë nga ata që e përmendin dhe sinqerisht e admirojnë, nuk e kanë as shfletuar – pa çka se tekstet e tij shpesh janë të qarta dhe të kuptueshme edhe nga jospecialistët dhe të japin një kënaqësi intelektuale të rrallë.
Kolana Excipere, e drejtuar nga Ledi Shamku-Shkreli, e shtëpisë botuese Çabej, ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë një numër veprash që synojnë t’i japin një zgjidhje kësaj kontradikte, duke ia sjellë lexuesit mendimin e Çabejt përtej edicionit të Studimeve Gjuhësore të botuar në Prishtinë dhe vëllimeve magjistrale të Studimeve Etimologjike në Fushë të Shqipes. Kushdo që i merr në dorë këto vepra, do të ketë kënaqësinë të njihet me një lloj diskursi për shqipen dhe shqiptarët të mbrujtur me kompetencë të pashembullt dhe pasion, por përtej pozave kombëtariste.
Çabej gjithnjë të sugjeron se hulumtimi shkencor nuk ka nevojë për ndonjë ideologji, përfshi këtu edhe kombëtarizmin, për t’u përligjur; dhe se për ne, si shqiptarë, albanologjia është edhe një përpjekje sa e përkushtuar, aq edhe nevojshme, për të njohur vetveten. Nuk di se ç’vend do të zërë, brenda këtij konteksti, libri im i ri; edhe pse shpresoj se vetë konteksti – i mishëruar edhe në foton sipër – do të ndikojë në pritjen dhe leximin e tij.
Një autor si unë nuk mund të shpresojë për një endorsement më të vyer se kaq. Edhe pse unë pak a shumë e di se çfarë kam lexuar dhe kam rilexuar prej Çabejt, gjatë këtyre viteve, sërish e kam të qartë se, edhe më e rëndësishme se prania e drejtpërdrejtë e tij në tekstet e këtij libri, është ndikimi i tij i padukshëm, madje i pasynuar në qasjet dhe në metodën time, intertekstualiteti – si nënvetëdije e tekstit të sjellë rishtas.