Një libër me 900 faqe demaskon arkitektin më të dashur të Hitlerit

Një biografi mbi arkitektin Albert Speer dekonstrukton njëherë e përgjithmonë ato rrëfime, të cilat qarkullonin edhe shumë vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Albert Speer është një fenomen. 35 vjet pas vdekjes së tij dhe 70 vjet pas dënimit me 20 vjet burg në Proceset e Nürnbergut ende shiten qindra libra të tij. Në librin «Kujtimet» («Erinnerungen», 1969) dhe në «Ditarët nga Spandau» («Spandauer Tagebücher», 1975) ministri për armatim dhe arkitekti më i dashur i Hitlerit e prezanton veten si ekspert jopolitik, i cili kishte krijuar rregull në fushën e armatimit dhe në të vërtetë kinse s’kishte të bënte asgjë me të mëdhenjtë e nazistëve.

Në Gjermaninë e pasluftës shumë njerëz i besonin këtij rrëfimi mbi një qytetar të mashtruar. Nëse vetë Speer nuk paskësh ditur për vrasjen e hebrenjve dhe luftën shfarosëse, si ka qenë e mundur të dinë diçka njerëzit e thjeshtë, e lëre më të ndërmarrin diçka kundër?

Shumë legjenda mbi Albert Speerin ndërkohë janë demaskuar. Tani historiani Magnus Brchtken, zëvendësdrejtor i Institutit të Münchenit për Histori Bashkëkohore, ka botuar një biografi gjithëpërfshirëse, kritike të Speerit, në të cilën dekonstrukton ngrehinën me gënjeshtra. Në vijim disa prej përrallave më të njohura të Speerit ballafaqohen me të vërtetën nga arkivat:

Më 4 dhjetor 1930 25-vjeçari Albert Speeri dëgjoi një fjalim të Adolf Hitlerit në Berlin. Më vonë ai këtë fjalim e kishte quajtur moment të zgjimit.

Brechtken e quan këtë një «shpikje dramatizuese», sepse Speer më së voni nga vera e vitit 1930 ishte anëtar i Klubit Automobilistik Nacionalsocialist (NSAK).

Më 1 mars 1931 Speer u anëtarësia në (partinë e Hitlerit) NSDAP dhe në Sturmabteilung SA (trupa paramilitare e NSDAP-së), pra anëtarësimi ndodhi në një moment kur nuk mund të parashikohej një qeveri e Hitlerit.

Përfundimi i Brechkenit: me gjasë Speer, bir i një familjeje aristokrate, i cili financiarisht qëndronte mirë, që atëherë e shihte nacionalsocializmin si çelës për rrugën e tij të mëtejme jetësore. Pas luftës Speer u përpoq t’ua mbush mendjen njerëzve se kishte qenë naiv kur iu kishte bashkuar kësaj hordhie. Në lidhje me këtë Brechtken shkruan: «Speer nuk ishte naiv, ai punoi në marrjen e pushtetit».

Speer vazhdimisht tregonte se si e kishte zbutur urdhrin famëkeq Nero të Hitlerit më 15 mars 1945 dhe kështu kishte shpëtuar pjesë të mëdha të industrisë. Meqë lufta ashiqare ishte humbur, Hitleri dha urdhër të shkatërrohen të gjitha impiantet e transportit, industrisë dhe furnizimit si dhe asetet materiale, të cilat mund t’i hynin në punë aleatëve.

Në të vërtetë urdhri u modifikua disa herë, por nuk ishte Speer ai që kërkoi përfundimin e luftës, shkruan Brechtken. Madje ai kishte propozuar që të gjitha njësitë e Wehrmachtit (ushtrisë së Hitlerit) dhe Volkssturmit (armatës territoriale) të koncentrohen në Rajnë (Rhein) dhe në Oder për t’i ndalur armiqtë.

Rrëfimi i Albert Speerit, sipas historianit, është një manovër për zhvendosje të vëmendjes. Brechtken e quan këtë ministër një «person që e ka zgjatur luftën»: «Veprimet e Speerit tregojnë një njeri që përkundër të gjitha kundërshtimeve dhe humbjeve e mbështeste luftën me qëllim të shtytjes së iluzionit për fitoren përfundimtare».

Sipas Brechtken në Nürnberg Speer prezantoi një «argument» shfajësues, duke përhapur përrallën se kishte planifikuar një atentat ndaj Hitlerit. Kjo nuk ishte fare e vërtetë. Të akuzuari e tjerë u zemëruan, por legjenda mund të lexohej edhe dekada më vonë.

Kështu në biografinë e Hitlerit të shkruar nga Joachim C. Fest (1973) thuhet: «Në shkurt 1945 në <dëshpërim> e sipër ai përgatiti planin t’i vrasë banorët e bunkeri të Hitlerit duke futur helm gazor në impiantin nëntokësor të ajrosjes; por, zbatimin e planit e pengoi një sanim i sistemit të ajrosjes prishi planin», Pas lirimit nga burgu të Speerit Fest punoi me të në shkrimin e «Kujtimeve».

«Natyrisht unë nuk e kam ditur këtë që e dëgjova në proces», tha Speer në Nürnberg dhe me këtë mendonte procesin depërtimit dhe shfarosjes. Ai tha se kurrë nuk kishte dëgjuar për parimin «shfarosje përmes punës», në një ndërmarrje gjermane, sipas tij, diçka e tillë përjashtohet.

Shumë akte dhe «Kronika e zyrave të Speerit» e kundërshtojnë këtë fuqishëm – por të dhënat rënduese mbi bashkëpunimin e ngushtë të Speerit me SS-in nuk i kishte gjykata. Aty për shembull saktësohej se në shtator 1942 planifikohej «zgjerimi i kampeve në Auschwitz për shkak të shpërnguljes nga Lindja». Shpërngulja nga Lindja ishte një përshkrim cinik për deportimin e hebrenjve; për këtë qëllim Speer lejoi 13,7 milionë marka të Rajhut.

Përgjegjësinë për miliona punëtorë skllevër në ndërmarrjet për prodhimin e armatimit, për shembull në fabrikat e kampit Mittelbau-Dora, ai ua ngarkoi të tjerëve. Kështu Speeri i zgjuar, i cili ishte i akuzuari i vetëm që e pranoi gjykatën dhe foli për një përgjegjësi të përgjithshme për krimet (jo për fajin e tij individual), arriti të heshtë shumë gjëra – dhe kjo mbase e shpëtoi nga varja.

Lista do të mund të vazhdohej, në «Kujtimet» e Speerit pak gjëra nuk janë zbukuruar, stilizuar dhe përpunuar. Përfundimi i Magnus Brechtkenit është ky: «Jo ajo që ka treguar Speer për veten pas vitit 1945 na e bën të mundshme të kuptojmë çfarë ka ndodhur, por analiza e veprimit të tij, siç dëshmohet nga burimet». Heshtjen e Speerit Brechtken e quan me emër: për të ai është «një figurë qendrore e luftës pushtuese dhe shfarosëse».(dp)

Magnus Brechtken: Albert Speer. Eine deutsche Karriere. Siedler-Verlag München 2017. 900 [Albert Speer. Një karrierë gjermane]. (Tages Anzeiger)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *