Dorëshkrimi që paraqesim është vendosur në fondin “Koleksion dokumentesh përpara vitit 1912” si shtesë fondi e vitit 1989. Meqenëse në atë vit në fondet e AQSh ekzistonte një fond i veçantë për librat e dorëshkruar, “Koleksion i kodikëve”, dorëshkrimi duhej të ishte sistemuar atje. Ndoshta arkivistët nuk e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një dorëshkrim të asaj kategorie. Është koha kur Theofan Popa, nga të paktët studiues bizantinistë të kohës dhe i vetmi që ishte marrë me kodikët, nuk jetonte më. Sot paraqesim këtë “vëlla” të kodikëtve të tjerë të Beratit, paçka se nuk është vendosur fizikisht pranë tyre. Kodiku përmban tekstin e Triodit dhe Pesëdhjetores, muzikë bizantine, është dorëshkrim në letër, ka 102 fletë, është prodhuar në mes të shek. XIX, ka përmasa 230 x 160 mm. Kopisti është anonim. Siç thotë shënimi në anën e brendshme të kapakut të kodikut, ka qenë pronë e të Përndershmit priftit Mihal Jorgo Vutziani. Shënimi i përket 6 marsit të vitit 1879. Në materialin mështjellës të vendosur nga AQSh është shënuar “Serafin Xhveri, 1983”, me gjasë data e dhurimit apo shitjes së kodikut në AQSh. Së shpejti këtë kodik, bashkë me të tjera thesare të fondeve më pak të njohura të AQSh do t’i paraqesim në një ekspozitë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Së shpejti…. Foto: AQSh.