Nga Piro Loli – Kënga e Solomonit është këngë biblike. Është Kënga e këngëve, ose kënga e dashurisë.
Ka mijëra vjet që ecën drejt nesh, drejt çdo çifti të dashuruar.
Dy trupa mish e shpirt, dy buzë të kuqa që puthen, e brishtë me aromë e verëkuqe, romantike e qiellore, por dhe tokësore me luftën për të jetuar e me dramat zakonshme të njeriut. Mirë se vjen Sulamith!
Me këto këngë në buzë erdhi dhe Sadik Bejko te vëllimi i fundit, më kulmori i vlerave të poezisë së tij. Mirë se vjen poet!
***
Dashurinë dhe femrën Bejko e krahason me forcën e gravitetit. “Ty, e dashur, doja të ta dhuroja sot/sy për sy gjallë e të prekëshme/Këtë Shqipëri të gurit dhe të karafilave.
Por te “Shqipëria e karafilave” simboli i karafilit, i bukurisë e begatisë në vendin tonë i mbetet vetëm dëshirë e parealizuar. Amaneti qenka i rëndë. I zi. Mbushur me mort. Brenga dhe poeti mbajnë njeri tjetrin mbi shpinë.
Karafilat kthehen në krizantema që “vetun vorreve lulzonte”(Mjeda) e: “kjo rrënqethje erë varri/si ledhatim i ri më ngjet”(Esenini) E Motra e poetit, ajo e mira, fisnikja, e brishta si shpirti qan: “vdekje të zeza burrash, në temtha kyçur/ me tym baroti të nxehtë/ shkrehur nga gëzhoja të nxira”.
Me një krah karafilash mbi varre – ato, ato, – motrat e gratë, nënat e të dashurat tona, rënur në gjunjë mbi baltën e varrit u dridhet tufa e karafilave në duar e bëhen të zinj, të zinj – si nata krizantema mbi varrepor, për poetin, “Brenga mund të pastrojë ajrin e planetit gjer te zemra”. “Këngë të Solomonit” është plot e përplot me këngë të trishtuara Sadiku ka një përvojë të pasur jetësore dhe artistike. Jeta e tij plot zigzake nga mësues në një fshat të humbur tek profesor universiteti te doktor i shkencave filologjike; nga punëtori i minierës deri te deputeti. Ai, mbi të gjitha është poet, e pastaj pedagog e orator i talentuar më zë basi, shkrimtar, studiues, eseist, e së fundi sekretar i përgjithshëm i PEN-it shqiptar.
Është poeti që e shtrydh botën “që krijon” vetë, e banon intensivisht me tërë forcën e ndjenjave përmes një ankthi gjetjesh të papritura plot emocione e mendime origjinale. Është këndi i pjerrët e ekzistencës së një poeti që e di peshën e figurës artistike, asaj përtej përvojës, metaforës që merr trajtën e një qenie unike në thelbin e vet, sa intim, aq prani tjetër për tjetrin. Ky poet është i zymtë, i thellë, i menduar. Një kambanë që kumbon në heshtje e ndonjëherë duket se i njeh të gjithë rrathët e ferrit. Sadiku ka qenë ca vjet nëntokë, (dënuar nga 1973-i) dhe e di mirë baltën dhe terrin e zi të minierës). E njoh hap pas hapi jetën e tij dhe kudo e kurdoherë ka pasur një dritë të brendshme në shpirt. Është poezia shpirti i tij.
BOTA MË PËRTEJ
Së pari Sadik Bejko është mjeshtër i portretizimit. Ai ka syrin e piktorit që zgjedh kë të pikturojë. Ato që nuk i sheh dot ngjyra i shpreh fjala. Dhe ka intuitën të gjejë çka guri në zemër, çka mali e krokodili, e gruaja që dashuron, motra dhe stërgjyshi harruar. Portretet poetik të tij, jo vetëm te ky vëllim, e zgjerojnë botën. Kur lexon diçka nga dimri ke lexuar borën në gjakun e plakut. Dhe fjala e tij i ka të gjitha ngjyrat dhe nuancat (në penel) deri te kapilarët e padukshëm mbi gjethe. Pikturon të bardhën duke shkallëzuar mbi të bardhën, të zezën me më të zezën dhe, krejt asosacionet e fituara me këtë sintaksë të re poetike, e shtyjnë njohjen më tej. Kështu portreti poetik i botës shkallë- shkallë a shtresë-shtresë si te pikturat e Rembrantit në reliev, duket si i gjallë. E objekti ka marrë emër tjetër. Poeti është buti i tharë i verës, gropa me sytë plot ujë me akull anash, vresht Ai hap gropa. Mbjell ullinj për vaj, rrush për verë. Vresht i vjetër fidanë të rinj. Shiheni si fshin vesën e ngrohtë syve.
Dhe ëndërron. Mendon. Dyshon. E përsëri ëndërron. Ndoshta sheh mesnatave që vinë e “rrëmbushet me yje”. Por është dhe njeriu, krejt i përkohshmi. Dhe bëhet prej drite edhe për një gjest njerëzor, atje ku e priste krahëhapur gruaja, tryeza, shtrati. Një gjest, vetëm një. Sa pak, sa pak duan poetët! E dritëzohet i tëri. Si luleferra, lulebajamja. Një gjest njerëzor. Një. Dhe: Të lindin cunat të përcillen me lule pleqtë Te poezia tjetër “Ikja e bukur”, plaku pas lëngatash, i bukur ngjan tash në vdekje “Me pamje dhëndërri e djali, anipse “Shtatë grykë të njoma bijash në kor e qanin” e “mbi varr një gështenjë, roje e fortë si gruaja çdo ditë e natë plakut do t’ia lëmojë shtatin e, vazhdimësia e brezit i ngjall të blertat mbi pemë Janë të bukur pleqtë e Sadikut. Ai kërkon mëshirë për dimrin. Është shenjtëria e gjyshit që po ikën.
Me sytë borë e akull. Mëshirë për këta lot. Mes ngrica vdesin Toka këta i pranon me bujari. E rrënja mbetet rrënjë. E bari mungulloi si pushi mbi faqen e çunave, Te “Lamtumirat”- Një tjetër portret madhështor. Një gjetje mbresëlënëse. Rrapi, ashtu i rreptë, një rrap që flet. Me një brengë të madhe në çdo kërcell. Dhimbje burri, e brendshme nëpër damarë, e patreguar. Durimmadh ky burrë, si rrapi. Ikni të gjithë prej meje, thotë. Unë jam rrapi i vjetër që mbetet me sy nën lëkurë nën degë/të shoh kush po ikën tash e parë”. E rrapi zemër madh: Të lumtur për ç’qemë tok në çastin a orën e bardhë”. Prej tij ikin të gjithë. Gjethe, zogj, degë të thara, bryma, bora, shiu- në prill e në maj. Mua këtu më keni. Prej rrënjësh, në gur e në baltë. Le të vijë uragani, të më shkulë nga rrënjët. T’u lë tumirë furtuna të dashura. tumirë qiejt e mi, ajri im, dielli im. Dhe natë. Ama, natë e bardhë. Për burrin e rraptë
Poezia “Një vjollcë, ka vetëm pesë vargje. Është fjala që dredhon për atë që do të thotë. Thelbi që nuk duket ndrit si lulevjollcë. Dhe më poshtë nxin si rubin i zi. “Një vjollcë i ka mbirë te shtati e lulëzon gjer në fytyrë”. Vitraina u tha, u pa. Por autori humbtka nëpër renë e saj dhe çudia nuk vazhdon gjatë. Fillon të zbardhet, “në blunë e saj je shaluar”. E pastaj: Shkelmimet, gjëmimet, e humbjes/ nëpër qiej / kumbojnë”. Jo pra, jo. Vjollca s’është e tillë. Rendi, po. Pushteti po. Partitë, po. Dhe demokracia në blu shaluar. Dhe ajo i zhgënjen disa. Të parët militanët. Se ky djallo shteti ynë e këto parti të shtrokan edhe për në “Festa” mjaltë të hidhur “Burrnesha” krejt origjinale pena e portit dhe krejt e përveçme drama e saj. Fytyra e saj, tashmë mbuluar me rrudha “rrufitur, rrudhosur, balli, mollëzat gjer në vesh”. Gjarpri e ka shkelur dhe merimanga. Po “syri i kthjellët e shpues, far në hon ferri, yll në hartë humnere” me një monolog tronditës ajo bën dy goditje Një, ndaj vetes (“barbare, primitive”, “ke helm të helmosh, ke zjarr të vësh flakën, ke dinamit sa hedh në erë galeritë e ferrit”). Dy: ndaj atyre që i thonë, prano që je e tillë; ajo pranon “meqë e thënki ju”. Cilët janë ata që e akuzojnë, e di lexuesi. Para nesh ngrihet portreti i saj. Vini re shkallëzimin mjeshtëror të fjalës së poetit “gozhdë e zezë në fytyrën e kohës”, pus dritehënor, thëngjill i zi. Dhe më tej: jam burrnesha, shkrepëtimë e shuar, gjeth i rënë mali, e zeza e grykës së pusit, akull, thëngjill në hi seksi shuar. Fajtore apo viktimë? Fat apo fatalitet i imponuar? Lexuesi mund të ofrojë disa lexime.
PESHA E FJALËS
Poezia e Sadik Bejkos te libri i fundit “Këngët e Solomonit” është kuota më e lartë e vlerave të këtij autori. Kjo poezi është guximi i të pathënës. Lartësimi i fjalës shqipe. Përbrenda saj është aftësia dhe prirja për të heshtur, për të heshtur për gjërat që dihen, për ato që nuk thonë asgjë. Ky poet e percepton poezinë si liri shprehjeje, jo vetëm si harmoni formale, por dhe si një gjetje, si një zbulim në marrëdhënie të tjera. Fjala e tij e zgjedhur triumfon në zgrip të vetvetes. Ajo kumbon dhe e merr dimensionin e saj tej vetvetes, në mosdukje. E fjala artistike, ngjyra, tingulli veç sekreteve brenda gjinisë, karakterizohen nga ajo mjeshtëri artistike dhe ka dy sekrete të mëdha: e para, ta zbulojë sendin që do eksplorojë, e dyta, ta fshehë (Oaze). Poezia e Bejkos duket sikur është krejt një monolog. I ndërgjegjshëm. Ai ëndërron. Ai di. – Të dish, d.m.th., të dyshosh. Kjo është prirje erudicioni në kërkim të vetvetes. Jo vetëm për njeriun gjenetik, jo, por për qenien Poet. Ai e di se duhet ndryshuar statusi i sendeve, dhe brenda përvojës së tij, me guxim merr përsipër riemërimin e gjerave. Nuk është poeti që pozon për t’i pëlqyer dikujt. E veçanërisht masës, ai është një dorë e zgjatur tek tjetri; ai ecën duke kërkuar një copë tokë, një hëhë tjetër, një rreze dielli. Fjala e tij shkon atje ku diçka mungon. Ai e di se çelësi i jetëgjatësisë së poezisë është forma dhe më i drejti kriter e moral i vlerave, është njohja e së keqes.
Koha tek ky poet nuk ka kahje. “Koha shndrrit në ëndërr e kjo do të thotë të dish” (Valery). Gjithmonë dicka i ndodh kohës. Dicka si frakturat. E përgjigjen e saktë e jep vetëm fjala poetike. Kjo poezi e njeh çastin historik. Dhe formën e ka në sallonin e modës. S. Bejko, është nga të rrallët poetë shqiptarë që i ka qëndruar fjalës poetike(vetvetes) pa lëkundje, pa spërdredhje rrethanash. Ai e ka ditur fort mirë se antenat e vlerave poetike drejtohen nga figuracioni i ngjeshur. Mbi bazën e krahasimit Bejko gjen metaforën dhe simbolin më të çuditshëm, të papriturën. Atë që mungon. Gjetja e formës kërkon dhe thellësinë e mendimit, trajtimin enigmatik përmes një sintakse poetike të zhdërvjelltë. Pikërisht këto cilësi të lakmueshme nga poezia moderne, kalojnë në heshtje e shpërfillje nga syri dhe vëmendja e opinioneve masiviste, reklamave, popularitetit fals e festave amatoreske.
Poeti i vërtetë nuk bie në kurthet e bashkohësisë e mediokritetit festiv; nuk noton në ujërave të cekëta, lehtësisht të ndjeshme e të turbullueshme, që nuk mund të bëjnë dot as valëza, pa le dallgë. Fjala te poezia e Sadikut është e zgjedhura e “ustait”. E limuar e kalitur në duar të sigurta. Drejt një sigurie gjithnjë në rritje. Ajo arrin deri te vetvetja e mund të flasë edhe nga guaska në fund të detit, edhe nga zemra e gurit a nga venat e gjethes. Fjala e tij plot larmi, një prurje e heshtur në letërsinë shqipe, drejt thelbeve të pashprehura, ashtu drejt brengave e dallgëve të shpirtit, ashtu e beftë për të krijuar lidhje e semantika të pabesueshme, thërret, ulërin, qesh e qan, ironizon çjerr maska, shënon në lule të ballit të keqen te individi e shoqëria, te vendlindja e atdheu. Kjo është poezi me pak natë. Ajo qëllon edhe të zotin, edhe të dashurën. E vërteta e tij qëndron te detaji. Ai nuk flet me askënd. Ndoshta një trëndafil që u zgjatet të gjithëve. Në heshtje. Fjala e Sadikut, është zonja e rëndë që sfidon të zakonshmen dhe e gjen vendin atje ku metafora shkon drejt absurdit. Është kjo fjala e zgjedhur poetike, që të merr prej dore e të tregon parajsën, rrugëve plot aroma e sende të arta, por dyqanet i gjen të mbyllur; më e sigurt drejt ferrit, tek e errta mbi të errtën, te zbritja a te rënia e njeriut. Gjithsesi fjala poetike nuk kërkon stacion, as adresë, jo, ajo veç ndërton shkallët e nevojshme për ngjitje a zbritje, ajo shtron udhët për te tjetri, e lumi flet, kërthiza lidhet me degën e rrufesë, bryma shpon me gjilpëra, “mosi” te ballkanasi, bëhet “mosi i mosit të mosit” e ulërima shket rrafsh pyllit me brymë; fjala e tij të qep mbyllur në gjethe dhe bota me një figuracion të tillë, zgjerohet dhe merr emër tjetër. Poezia e Bejkos është solide. Nuk është fjala vetëm për ritmin, rimën, kompozicionin, simetrinë a asimetrinë, figuracionin në tërësi, por, për të gjithë elementet e ndjeshmërisë, që i rezistojnë harresës, pra, krejt unitetin e brendshëm të poezisë. Në penën e poetit shqipja jonë lartësohet e pasurohet duke dëshmuar mundësi të larmishme shprehjeje, sintaksë të pasur poetike; atje te fjala e rrallë, te lidhja e re me fjalën tjetër, te kompleksi semantik, te ngjitja e simbolit në absurd, deri te neologjizma si pasuri leksisore, si: përhimje, tumirë, curgoj, rrëmbush, terrim, udhështerur, gavror, krisë, sosurë, zgabërojtash e parë,etj. Është pikërisht kompleksi poetik që poeti rritet brenda tjetrit për të parë e zbuluar gjërat që duam. Poezia e tij është për ata që dinë të lexojnë.
AJO, FORCA
E GRAVITETIT
Është dashuria, është gruaja. Ajo, nëna, motra, femra – ajo dashuria – tematika më e gjerë e të gjithë poetëve në botë. “E gjithë bota vjen nga sytë e tu të pastër / dhe gjaku im rrjedh në ato shikime”(Pesoa) Emri i saj është puthje në sy. Te “Këngë të Solomonit”, që në faqen e parë, Bejko e krahason me forcën e gravitetit. Ajo rrotullon planetët e pastaj zbret nga lartësitë e kozmosit në: “zgjuar vështrimi im rreh të cekë sytë e tu”. Për te gruaja (dashuria) asgjë nuk e ndalon, as pritja, as nata, as akulli në Arktik. Dhe vetë Zotin po ta kesh, “pa ty dashuri nuk je asgjë” Femrën e do si arusha e uritur hojin me mjaltë. Për Zotin, nuk di pse Zoti e quaji si mëkat veprën e tij më të bukur. (!), (13;13) e përpiloi kodin penal për njerëzimin. Vetë Zoti është dashuri, ndoshta vetë jeta, e Bibla si kryelibër, është “Kënga e këngëve”. Ose metaforë. Poeti këmbëngul përtej Evës mëkatare “Qiri kolonë flake, ndezur në diell. Dy trupa harkuar një mbi një jam asgjë pa ty dashuri
“Kleopatra ime” dhe Kënga e Solomonit” janë dy poema të vogla por madhështore në formë e mesazh – e pa ndrojë – them se, mund të kenë një vend nderi në ballorin e poezisë shqipe. E para: Fjala që ngre monumentin me emrin “dashuri”. Ajo, gruaja, mund të jetë Kleopatra historike e Cezarit a Mark Antonit, por dhe kleopatrat tona, pse jo. Është e kudondodhura, në çdo qelizë të jetës – gruaja – në pushtet e padukura, oaz në shkretëtirë, – ajo mbretëresha, mjalti dhe kobra “fshehur nën dy thimtha gjarpri a a nën dy gjethe fiku”. “Dhe qumështi thellë te shegët e cicave nën dy sumbulla gjiri”. Pastaj befasisht: Kobra më je ti, zemra ime- e vezullimtë bie ora, bie ora. Ikim. Vdesim. Medet. Nuk do jesh më bijë Mesdheu syftohtë. Pak verë, pak ajër, pak gjuhë gjarpri, pak qiell helmi, në kokërr fiku ëmbël kyçur”. Po po e tëra, plotësuar helmi dhe mjalti, engjëlli dhe kobra. E ja kështu, na thotë poeti ajo mund të jetë busull për Cezar e Mark Anon, por dhe imja a jotja, gruaja, zemra ime që shpall mëngezet e argjendta e rrotullon planetët.
LIBRI
“Kënga e Solomonit” që mban dhe titullin e librit tingëllon akoma më kozmike dhe, sa të ketë jetë njeriu do jetë gjithnjë aktuale. Po vjen ajo, Sulamithi. E dashura. Ka 3000 vjetë që udhëton e tani po e pret poeti me krahë hapur. Dhe unë, dhe ti. Ajo është dashuria vetë, kryevepra e “Kënga e Këngëve”, zbritur nga Bibla, (supozohet e shkruar nga Solomoni). Mirë se erdhe Sulamith! Gjithnjë e freskët, e ringjallur. Ajo, e brishta si aromë, e tmerrshmja si ushtri. Vini re absurdin hiperbolik: “Si një ujkonjë që meshkujt i gëlltit/i bën mollë për gjirin/ i bën argjend për shkëmbinj”. “Mirë se erdhe maleve dhe valtheve, ujrave dhe zalleve/Trëndafile e brishtë erdhe sot me emër tjetër, erdhe te zemra e zemrave me emrin dashuri; trëndafil e qiri që digjet në krahët e mi, trëndafile e dritës Sulamith. Tani që nata ra më verbohen sytë, më lbyren llërët, supet, këmbët e tua më ngulen në sy/Tërësi, ngrohtësi, avull e fildishe të dy, në lumin lëkurëhollë të kësaj nate lëvrijnë, lëbyren, zhyten/Oh, oh! Sonte e dua terrin të ndezur me shpatat e diellin në mish. Është ajo, burim jete e njeriu me zemër në dorë(poeti) thërret: Dil, shfaqu ngjyrave, pa rënë në natë; lermë të të shoh siç je, sa pavdekur sytë. Si një sandalle shqyer nga rëra Por poeti vigjëlon dhe në dashuri. Bejko këtu shfaqet më purist se puristët. Seç ka një brengë e pa na i thënë ne, ia thotë asaj. “Mos më tako për ditë, as nesër, e pasnesër, as pas një viti e një shekulli.( ! )- “takomë kur të jesh vetvetja. Vetëm e për veten tënde pa kohë pa hapësirë, pa asnjë prani tjetër mes nesh, qoftë dhe sa një qime floku/ Është drama e jetës kjo. Brengat janë subjektive. Dashuria e sinqertë kërkonka vetëdije absolute. Ka dhe maska. Dhe hipokrizi. Pavarësia absolute është e pamundur. Tapitë mashkullore kanë ardhur duke u zhvleftësuar. Të paluajtshme në banalitetet e tregut(si sot) Puristi solomon i përmbahet perceptimit hyjnor të dashurisë. Plot hire. Dhe poeti. E mesazhi ikën nga poeti, nga unë e nga ti e bëhet kozmik, i përjetshëm pa pikëpyetje ; ajo, ashtu e bukur përmbi dallgë, përmbi re, përndritëse përmbi yj sikundër na thërret që nga kopshti i Edenit Eva e parë që guxoi jetën e zbriti në tokë si mollë e ndalueme. Pa mëkat. E cili individ nuk do të donte ta kish të tillën? E ajo vazhdimisht në çdo kohë ka vetëm një këngë në gojë: E shihni? Më shihni? Bukur. E bukur jam. Lumtur, e lumtur jam. Vetëm në dashuri jam. E atje bëhem më e bukur.
BRENGA
Është tipar dallues i këtij poeti. Krejt gjoksi i tij është i mbushur me poezinë e dhimbjes. Është gurëzuar si gungë, i mblidhet në fyt dhe e djeg. Qenka e domosdoshme “si bleta hap dhomëza të holla sa hojet, vë dritë, zemrën e mbetur të orëve nga e para e kurdis” Këtë gungë në gjoks të poetit e shoh jo vetëm te poezia “Brenga”, por tej e përtej krijimtarisë së tij shumë të pasur [ Vetëm në poezi ai ka botuar : Rrënjët, 1972, Ku e ka folenë bilbili, 1982, Si vdes gruri 1994, Letër Hamurabit, 1997, Somnambl, 2002, Lulekumbullat, (poezi përkthyer nga Konfuci)2002, Psalm për atin, 2003, Perëndim me pak natë,(poezi të zgjedhura ), 2004, Fytyrë e panjohur, 2005 Poezi (shqip dhe maqedonisht), botim i Shoqatës së shkrimtarëve të Maqedonisë, Shkup 2010, Këngë të Solomonit, 2017. Është përkthyer në disa gjuhë e si poet ka marrë çmime kombëtare (Penda e Argjendtë, 1998) dhe çmime të tjera rajonale.]. Poezia e tij është dhimbje dhe revoltë e heshtur. Nuk del rrugëve për përmbysje por vjen e trashet e bëhet gungë në gjoksin e poetit. E krahas saj, e pas saj, lexuesi njeh një lirizëm origjinal, një violinë që qan. Ndoshta kërkon ta mbjellë zemrën tek tjetri. Dhe zgjatet si puthje. Dhe bleron si pemë. Pa ndrojë mund të them se Sadik Bejko është poet i brengës, Një zë i veçantë që kumbon në heshtje. Në penën e poetit kjo thith pluhurat nga tunelet e territ, diell që shkrin netët e ngricave”. Poeti e gjen pozicionin e vet. Te “Pylli dhe lakuriqi i natës” shkruan se kjo botë, pyll pa ajër, pa gjethe pa zogj e pa çerdhe – përhumbje terr as trajta as njerëz E poeti në vetmi e di, “më e mira: rrënjë në tokë se sa dega sipër/po flete me gjarpër zgjohesh me dhelpër dhe fillikat”. Te poezia “Letër mikut të mërguar” malli për vendlindjen është kthyer në një brengë që të djeg shpirtin, rrepet ulërijnë si gojë demashbraktisje tej e tej e ai gjarpri i vendlindjes kafshon, e djemtë na ikin në moskthime, ndonjë plakë e vetmuar sjell në qytet ndonjë tufë bari me aromë, ku fshihet një cipëz qielli që nuk e shohim Nuk është “Thirrja e udhës” është ulërima e ikjes së verbër drejt lirisë e fatit të errët, dorëzimi i kokës së prerë, molla e pjekur këputur me gjithë degë, grykat lart, poshtë humnerë; është fati, fati ynë, fati “Zgjatëm kërthizën, tërkuzën e djepit tonë /e lidhëm në rrufe, në rreze dielli që ther,/ e lamë pas si shtizë të tendosur/te një urë varur, harkuar në ylber”.
NË VEND TË EPILOGUT
Poezia e Bejkos mbart një shigjetë që godet qiellin, pse ai nuk është i kaltër. Te “Ujku” metafora e tij godet edhe genin e vet, ADN-në. Ai “vë kujën jam unë ujku tani Si ati a gjyshi, dhe unë, dhe im bir apo ai që vjen më pas “ulërin”. Tani ujku është ai. Egërsi gjenetike kjo ulërimë. E pse jo? Ndoshta dhe krenari, guxim, egërsi, aventurë, bukuri e egër, brez pas brezi kështu. Te “Uria e keqe” (monologu i lumit) poeti flet me vete. Si lumi. Dhe si lumi e ka urinë të keqe. Ha dhera, gurë e shkëmbinj. Dhe brinjët i epen gjer në krisë. Shpatullat e buta i ka prej dallge. Se dhe balta (që ha) dhe gurët dhe bregu i betonohen në cdo hap. Është i brishtë poeti Me buzët e lumit qepur nga shkuma. Po ka uri. Uri. Të egër. Të thellë. Sfilitëse. Si lubi. I ziu lumë (lexo, i ziu poet) nuk e mund do bregun e ashpër. Dhe si Krishti e mbart buzëqeshjen e urisë, atë dhimbjen therëse mbi shpinë. Brengën. Ashtu të rëndë si gurë e shkëmbinj. Dhe Flet me vete. Dhe ecën kokëlart për në det. Se vetëm deti e njeh urinë e lumit. Si koha që rrjedh e vonon vlerësimin e vërtetë të poetit. Po Sadik Bejko mund të kujtojë Czeslav Milosz-in dhe atë mërmërimën e tij: “Më fal, poezi, nëse është faj që nxora/ këtë zë dhimbjeje”.