
Alisa Velaj
U bë një heshtje kaq e gjatë
si prej një toke të djegur.
As zë, as bimë, as gjymtyrë të shkrirë nëpër zjarr.
Je ti apo dashuria që po hesht?
Tokat e djegura më pas janë pjellore.
Mbijnë aty fërgëllima bimësh të panjohura më parë
nga zjarre që kujtuam se do të përhumbnin çdo gjë…
Shkrumb nëpër terr kujtimi i një vegimi
dhe lulja e harlisur në llavën e ftohur vullkanike
me të njëjtin mall nëpër shtat.
Hej! Jam unë duke u terrur në po atë shtrat,
me heshtjen e brishtë nëpër flokë
nëpër degë e krahë burri
thellë e më thellë nëpër natë!