Një dëshmi historike e artit antik, në një terrakot të gjetur në Marglliç

Një terrakotë e Afërditës, që do ta kishte zili çdo muze i botës.

Ajo u zbulua në vitin 1981 në Marglliç nga  Prof.Neritan Ceka.

Ai  e cilëson si të shek III para Krishtit.
Është Afërdita Anadiomena e dalë nga shkuma e detit.

Detaje mund të gjenden në librat e mitologjisë.

Restauratori i veprave historike dhe arkeologjike, Frederik Stamati, tregon se “ajo erdhi në laborator e thyer në katërmbëdhjetë copa, të gjitha të mbuluara nga depozitimet karbonatore. Veç formës nuk shihej asgjë.

Pastrimi u krye me shumë kujdes në rrugë kimike. Rezultoi që të ishte e polikromuar, pra e ngjyrosur, mbi të cilën ishte vendosur një shtresë ari”, thotë Stamati.

Ngjyra bazë ishte e bardha. Mbi të ishte përdorur ngjyrë e verdhë dhe e kuqe për veshjen e sipërme dhe të poshtme.

Gjurma ari u gjetën në të gjithë veshjen, por pa e përcaktuar në se ishte shirit ngjyrë, ose në total.

Nga restaurimi, kanë mbetur të bardha vetëm pjesët e trupit. Sytë janë të lyer me të kuq, ndërsa gërshetat me ar.

Ngjyra te tjera janë e kaltërta për thellësinë e rrudhave të veshjeve, pak e zezë në diademë dhe diku-diku pak kafe e errët.

“Restaurim i formës u krye në Muzeun Arkeologjik të Durrësit nga  Gavril Priftuli.

Fragmentet u lidhën me një ngjitës të bazuar në nitrocelulozë, të rekomanduar nga literatura e British Museum.

Ai bëri edhe integrimin e ngjyrës”, tregon Stamati. Lartësia e terrakotës është 44,5 cm.

Terrakota i u nënshtrua analizave të mëtejshme në Institutin e Fizikës Bërthamore nga Prof Niko Civici.

Më tej Stamati thotë se “kam vizituar shumë, e shumë muzeume në shtete të ndryshme të Evropës, por një të tillë, kaq të bukur, nuk e kam parë”! Kjo statujë në terrakot, dëshmon dhe një herë se këto troje janë banuar shumë herët dhe popujt e saj, kanë pas një kulturë të admirueshme”./ATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *