Një cigare me ty

Për miken time Kozeta Mamaqi

Luan Rama
«Erdha të ndez një cigare me ty »
thua ti,
sy hiri,
buzë hiri,
gojë hiri,
një qiell i hirtë nderet mbi shpatulla hiri,
këmbë hiri që shkojnë kuturu
në rrugën që mbyllet tej
me një dritare hiri,
djegur nga malli…
“Erdha të ndez një cigare”
thua ti
me lotë që pikojnë
veç hi,
ylbere të hirta,
dhe tymi i hirtë që lë pas lule të argjendta
krizantema, tulipanë,
për ti dhënë dritë syve të shuar
për të kapërcyer errësirat
dhe tunelin e tjetrës botë,
për ti hapur krahët dhe një herë me dashuri,
dhe atëherë ti shtron çarçafë për birin
si të shtrosh shtratin e dhëndërisë,
shtron një qiell për kurmin e tij
por ah, kurmi i tij ngrihet lart,
ku shkon ky kurm kështu
mbuluar me kaq dashuri,
dhe ti e vëzhgon pjellën nga poshtë
pi cigare dhe djeg padashur gishtërinjtë
zjarri djeg zemrën tënde
ti drithërohesh e thua
po unë, ç’bëj ende këtu,
dhe atëherë nxiton të hapësh dyert
verbuar nga sytë
etur për dashuri…/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *