Një grup studentësh të vitit të 5-të arkitekturës kanë realizuar rilevimin e gjithë ndërtesave të Qendrës Historike të fshatit Qeparo i vjetër.
Kjo nismë mes Institutit të Monumenteve të Kulturës, drejtuar nga Arta Dollani dhe Fakultetit te Arkitekturës dhe Urbanistikës, ka si qëllim që përmes ligjëratave dhe punëtorive, studentët e rinj të mund të njihen me situatën urbane, arkitekturën e banesave si dhe me paraqitjen e ideve për rijetëzimin dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit në këtë zonë.
Procesi i rilevimit u zhvillua nga studentët e drejtuar nga Prof. Dr. Florian Nepravishta (Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës), në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Studentët bashkëbiseduan me banorët e fshatit gjatë punës së tyre, gjë që ndihmoi në pasurimin e dokumentimit të banesave, me fakte e histori të marra drejtpërdrejtë në terren.
Me propozimin të Institutit të Monumenteve të Kulturës, fshati i vjetër i Qeparoit është shpallur Qendër Historike me VKM nr. 639, datë 7.9.2016. Kompozimi urban dhe arkitektura e fshatit paraqet tipologji interesante, veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, ku krijohen kthesa të papritura e panorama mahnitëse. Ky fshat përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm, herë-herë të formuluar me shkallëzime në pjerrësitë e terrenit dhe vende-vende me kalime në formë tuneli nën banesat e fshatit.
Ndërtimet në përgjithësi janë 2-katëshe dhe janë ndërtuar me mur guri. Arkitektura është karakteristike e fshatrave tradicionale në bregdetin jugor të Shqipërisë, ku pjesa dërmuese e ndërtimeve janë mbi 100 vjeçare.