Nga Ylli Demneri
Duke lexuar “Le monde des livres” të datës 18 maj 2017, më bëri përshtypje një intervistë e Nikos Dimu, intelektual grek, i cili shprehet në lidhje me krizën greke. Shkaqet e saj. Shkaqe të ngjashme dhe me atë shqiptare. Pika të përbashkëta në histori e mendësi.
“Filozof, gazetar, poet, fotograf, polemist: Nikos Dimu, 82 vjeç, e pranon që është një “touche à tout”. Ai është bërë i njohur në vitin 1975 duke publikuar një libër të shkruar gjatë diktaturës së kolonelëve e të botuar menjëherë pas rënies së saj, «Fatkeqësia e të qenit grek». Në gati 200 aforizma therëse, ai i vë stetoskopin krizës së identitetit të Greqisë moderne. Libri – të cilit ai nuk i ka ndryshuar asnjë rresht që atëherë – ka njohur një sukses ndërkombëtar me krizën, duke filluar që nga viti 2010, aq mirë u ka rënë në zemër gjërave, shqetësimit grek.
A është kthyer kriza greke në burim frymëzimi letrar ?
Është e vështirë që të zgjedhësh krizën si protagoniste. Nga njëra anë, sepse jemi akoma brenda dhe duhet pak distancë për të shkruar. Nga ana tjetër, sepse kriza nuk e lë veten që të kapet shpejt për të bërë një vepër. Nuk e kemi gjetur «bërthamën» e krizës. Shumica e grekëve kanë mendime të ndryshme në lidhje me krizën. Po t’i hedhim një sy sondazheve, shohim që shumica beson se kjo krizë është përgatitur nga jashtë. Në perceptimin e përgjithshëm, ka gjithmonë një komplot kundër Greqisë : që nga koha e luftës, e kështu me radhë, shërbimet sekrete britanike, CIA, dhe sot gjermanët ! Grekët kanë përshtypjen se janë të pafajshëm. Nuk e ndiejnë veten përgjegjës, por viktima të lojrave mes fuqive të mëdha.
Si i shpjegoni këto mospajtime të të perceptuarit ?
Greqia është europiane, por jo plotësisht. Grekët flasin për Europën ashtu si anglezët për kontinentin. Ka një ndarje gjeografike, por edhe psikologjike. E fuqishmja kishë ortodokse u ka injektuar grekëve një neveri për perëndimin, e cila daton që nga skizma e 1050-s mes kishës së Lindjes dhe asaj të Perëndimit. Katolikët janë edhe pushtuesit e parë të Kostandinopojës, përpara myslimanëve. Kisha edhe sot bën propagandë antieuropiane. Nga ana tjetër, me revolucionin e vitit 1821, Greqia kaloi menjëherë nga Mesjeta në modernitet – nga Perandoria mesjetare bizantine, ndjekur nga perandoria otomane, në shtetin modern grek, pa njohur as Rilindjen, as Reformën, as Iluminizmin. Si rrjedhim, kemi mungesë të një klase borgjeze. Kjo shpjegon mungesën e shoqërisë civile apo të administratës.
Në fillim të krizës ju keni thënë që ajo mund të ishte një shans për ta shndërruar Greqinë.
Isha tepër optimist. Shpresoja që goditja do ta zgjonte Greqinë nga topitja. Politikanët tanë kanë bërë gabime të tmerrshme. Por ajo që europianët nuk kanë kuptuar, është se duhet një strategji për të bërë reforma pa një goditje ballore. Pranimi i Greqisë në zonën europiane ka qenë një akt i papërgjegjshëm. Ishte sikur të lije të lirë një fëmijë 5 vjeç në një fabrikë çokollatash ! Nga 2004 deri në 2009, Greqia ka trefishuar shpenzimet pa rritur prodhimin e saj.
Çfarë ju bën më shumë përshtypje nga kriza?
Nuk jam shkrimtar. Kam shkruar një histori pasi pashë një grua rreth të 50-ve, të mbajtur, që lypte pa rënë në sy, përpara një dyqani buke. Ajo mërmëriste: «Parakalo» («Ju lutem»). Ishte e veshur mjaft mirë për një lypëse. Një nga gjërat më karakteristike të kësaj krize është se ajo ka zhdukur klasën e mesme. Shefa ndërmarrjesh e pronarë nuk kanë mundësi të paguajnë dritat. Po të isha romancier, do të kisha shkruar një libër mbi këtë aspekt të krizës, për këta njerëz të shtresës së mesme të kthyer në varfanjakë, të flakur në rrugë. Kjo është tragjedia njerëzore e krizës.”