Nikollë Lesi: Anila Basha më 1997 ishte shpuzë në shkrime

“Si e ka shkruar Nikollë Lesi fillimin e punës sime te ‘Koha Jonë’. Pak ka thënë, se kam qenë më luftarake”.

Kështu shkruan gazetarja Anila Basha ndërsa njofton për librin me kujtime të Nikollë Lesit, kujtime që tregojnë marrëdhëniet e tij me Berishën, Nanon dhe punën e gazetarëve.

(Pjesë nga libri i Lesit)

Po me datë 6 shtator Kryeministri Nano më sulmon mua personalisht e publikisht, në Konferencën e FRESSH. Ai kishte thënë, pas kritikave të para të gazetës ndaj Qeverisë së tij, se “nuk do dëgjojmë Nikoll Lesin dhe gazetën e tij “Koha Jonë” se çfarë thotë për uljen e TVSH! Ne nuk jemi bankë, që të shlyejmë borxhet e Nikoll Lesit!”. Sapo ma thanë këtë sulm të Fatos Nanos, nxitova të thërras gazetarin që kishte ndjekur konferencën. I kërkova atij të më gjente incizimin e asaj deklarate. E dëgjova. Ishte ai, tamam zëri i Fatos Nanos! Nuk doja ta besoja, por ishte e vërtetë, ishte zëri i tij. Nuk vonova dhe fola me disa anëtarë të Bordit, bisedova gjatë me kryeredaktorin Alfred Peza. Nuk na besohej. Pyeta edhe një herë se mos kishte qenë i pirë. Më thanë se ishte esëll dhe gjithë tërsellëm kundër nesh. Vendosëm të kundërsulmojmë, e ç’mund të bënim tjetër?! Titulli me datë 7 shtator 1997 ishte “Mos lajthit zoti Kryeministër” dhe nëntitulli “Fatos Nano sulmon gazetën ‘Koha Jonë”. Ndërkohë kishte ardhur në “Koha Jonë” një gazetare e re, Anila Basha quhej. Ishte shpuzë, zjarr në shkrime.

Më 17 shtator botova një reportazh nga Kalkuta (Indi), ku mora pjesë me Presidentin Meidani në varrimin madhështor të Nënë Terezës, Shenjtores së Madhe. Atje takova për herë të parë ish-Presidentin Berisha, sy me sy.

Rikthehet Armand Shkullaku në krye të gazetës

Me datë 20 shtator emërova Armand Shkullakun kryeredaktor të gazetës “Koha Jonë”. Në të vërtetë, ndër vitet 1993-1996, ai e kishte drejtuar de facto gazetën. Me ardhjen e Mandit rikthehen ata që ikën tek “Indipendenti”. Me datë 21 shtator Anila Basha boton një speciale brilante për jetën personale të Berishës. Ndërkohë Alfred Peza shkruante editoriale të guximshme. “Zani, sfida e Qeverisë” ishte shkrimi i Pezës që acaroi sërish kryeministrin. E jo vetëm Nanon. Andi Bejtja rikthehet me një numër editorialesh e artikujsh. Anila Prifti, Mentor Kikia, Ilir Paço, Roland Qafoku, Ylli Pata janë emra që po dilnin në tregun e medias plot pasion e profesionizëm në sektorët që mbulonin. Dy prej tyre mbanin gazetën me informacion. Ndërkohë Edi Lesi po bënte emër jo prej mbiemrit, po prej emrit e talentit të tij. Me datë 12 Tetor “Koha Jonë” del me një titull stërmadh “Nano po tradhton PS”. Ishte një letër e hapur e Servet Pellumbit. Në selinë blu kishin fërkuar duart nga gëzimi se “Koha Jonë” e ktheu pllakën, po i bie PS”! E vërteta ishte se po tregoheshim kritikë, objektivë e realistë, pa kthyer asnjë pllakë. Andi Bushati me një editorial të datës 12 Tetor bën një analizë përfekte të asaj që po ndodhte në PS……

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *