NGUSHËLLON POLITIKA/ Ndarja nga jeta e Dritëroit, Rama: Le pas një mal përjetësi, Kumbaro rrëfen takimin i fundit me të

Politikanë të ndryshëm kanë reaguar pas ndarjes nga jeta të Dritëro Agollit. Kolosi i letrave shqipe u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, me të cilën luftoi për 20 vjet.

 

RAMA: LE PAS NJE MAL ME PERJETESI

“Lamtumirë Dritëro”, e nis mesazhin e tij kryeministri. “U prehsh i qetë në tokën ku le pas një mal të lartë përjetësie, i cili do të mbetet vend pelegrinazhi për gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe, brez pas brezi…”, përfundon ai.

IDRIZI: HUMBJE E MADHE PER KOMBIN

Edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e ka cilësuar një humbje të madhe për kombin ndarjen nga jeta të shkrimtarit.

“Humbja e Dritëro Agollit është një humbje për kombin tonë. Vepra e tij do të mbetet përjetë, por ajo që do të na mungojë është qetësia dhe thellësia e mendimit të Dritëroit, që ndikonte vazhdimisht për mirë në jetën publike shqiptare.Kujtoj me respekt faktin se edhe pse sëmurë, ishte i pari që iu bashkua rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame, duke treguar vlerat e tij të mëdha kombëtare, që nuk i kufizonte vetëm në letërsinë që lëvroi dhe do t’i mbijetojë kohrave. Kujtimi i tij do të jetë i paharruar!U prehtë në paqe!”

KUMBARO: TAKIMI I FUNDIT ME DRITEROIN DHE DHURATA QE MORA

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka ndarë për Ora News emocionet e takimit të fundit me shkrimtarin Dritëro Agolli.

Kumbaro: Hera e parë e takimit ka qenë shumë herët kur unë kam qenë studente, por unë nuk mund të harroj herën e fundit që ishte pikërisht në ditën e ditëlindjes së tij, ku përveçse një moment shumë emocional për mua dhe të dashur, ruaj një kujtim dhuratë prej tij të cilën besoj e kam si një ndër gjërat më të çmuara që Dritëroi pati dëshirën dhe nderimin që më bëri duke më falur librin e tij të fundit me dorën që i dridhej dhe një mbishkrim fantastik. Secili nga ne ka një kujtim shumë të bukur, një varg, një poezi, një tekst prej Dritëro Agollit dhe personazhin me humor. Secili ka kujtimin e vet.

Për Kumbaron, Agolli ishtë një figurë shumëdimensionale.

Kumbaro: Dritëro Agolli është një personazh multidimensional, nuk është vetëm njeriu i letrave. Është dhe një personazh i cili shpesh herë ka ndikuar jetën kulturore por jo vetëm, edhe hetën sociale me mendimet e tij, opinionet e tij por dhe ironinë e tij, aktivitetin politik. Ai ka shenjuar dhe një periudhë shumë origjinale me të mirat dhe të këqiat e veta që është periudha e realizimit socialist. Po ashtu ka qenë një shkrimtar prodhimtar edhe pas viteve ’90, duke treguar se nuk ishte shkrimtar i një periudhe por shkrimtar i talentit. Dritëroi ka qenë edhe një përkthyes nga më origjinalët sa i përket stilit të vet. Unë besoj se mbahet mend si një figurë shumë popullore me të gjitha dimensionet e veta.

 

META: BOTA SHQIPTARE, ME E VARFER

“Pas këtij lajmi sot, bota shqiptare është më e varfër dhe dhimbje pa dyshim e jashtëzakonshme dhe e pamatshme. Si kryetar i kuvendit dhe si mik i tij shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Dritëroit, Sadijes, Elonës dhe Tanit,” tha Meta.

Kreu i Kuvendit u shpreh se Dritëro Agolli ishte dhe do të mbetet një figurë e rendit të parë, reformator i letërsisë shqipe dhe politikës shqiptare.

“Dritëro Agolli ishte dhe do mbetet figurë e rendit të parë në zhvillimin e letërsisë…reformator historik i letërsisë shqipe. Reformator i jashtëzakonshëm edhe i politikës shqiptare me një kontribut historik për proceset demokratizuese. Burrë shqiptar me rrënjë të thella dhe karakter të fortë. Referencë e zhvillimit tonë shpirtëror. Njeriu i kohëve moderne që jetoi me filozofinë naimiane për t’u ndritur mendjen të tjerëve,” u shpreh Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *