Piluri, që njihet ndryshe si ‘Ballkoni i Bregut’ ose ‘Porta e Maleve’. Është vetëm një nga perlat që ofron jugu për turistët, ku ndërthuret deti, mali dhe historia. Edhe pse çdo vit tërheq rreth vetes me mijëra turistë, deti nuk është i vetmi aset turistik në jug të vendit.
Shumë pak njohin natyrën dhe traditën mikpritëse që ofrojnë fshatra më në thellësi të bregut si Vranishti, Tërbaçi, Kuçi, Dukati apo Piluri. Në Pilur na pret Kristo Çipa, pronar i njërës prej shtëpive pritëse.
“Ka klimë malore detare. I pres me polifoni”, thotë Kristo.
Si çdo gur në këtë fshat edhe kjo shtëpi e ka një histori…
“Kemi një dhomë që e quajmë dhoma e djemve, aty kanë lindur 15 djem dhe nëse kanë pak psikologji shqiptare është edhe dhoma e çiftit për të lindur djalë”, shton ai.
Një projekt i qeverisë gjermane ka nisur të zbulojë një nga një thesaret e fshehura të Jugut, për të nxitur zhvillimin e turizmit edhe këtu.
“Diçka që më habiti kur erdha këtu dhe pashë këto perla. Ishte e çuditshme që askush nuk i njihte. Ndodh shumëçka në det, por shumë pak në fshat. Duhet të ishin zhvilluar prej 10 vitesh, por janë në një gjendje gjumi, po përpiqemi t’i zgjojmë”, deklaron Hans Cassens, Drejtor i GIZ
10 bujtina janë trajnuar që nga mënyra sesi duhet të mobilojnë shtëpitë pritëse deri tek shërbimi që ofrojnë për turistët. Janë gjetur shtigjet në të cilat mund të zhvillohet ngjitje dhe biçikletë në mal pa lënë jashtë vëmendjes edhe informacionin turistik për 15 fshatra. Të gjitha këto nën një logo, South.
“Këto ngjyra përfaqësojnë elemente të ndryshme të jugut, Bluja detin, jeshilja natyrën, e kuqja kulturën dhe e verdha traditën. Produktet lokale janë një tjetër mundësi për të përfituar të ardhura, banorët i shesin në paketim jo të përshtatshëm ndaj mendojmë që me përdorimin e këtyre shisheve me logo për rakinë, vajin e ullirit apo mjaltin e fshatit, turistët me siguri do të duan ti blejnë pasi do të duan të marrin dicka me vete nga vendi ku kanë kaluar pushimet, kjo mbart identitetin e jugut”, shton Cassens./TCH