Rauf Fico lindi në Jemen, pinjoll i familjes Fico të Gjirokastrës, e nip i derës së dëgjuar të Buzove të Beratit.
I ati, kadiu gjirokastrit i Sanës u transferua në Shkodër, dhe kështu Raufi e kreu arsimin fillor në Mejtepen e Shkodrës.
Shkollën e mesme e kreu në Stamboll. Po në Stamboll kreu edhe studimet e larta, në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mekteb-i Mülkiye-i Şahane”. Gjatë qëndrimit në Stamboll hyri nën influencën e ideve të rilindësve, e veçanërisht të Naim Frashërit.
Në korrik të vitit 1903, Fico përfundoi studimet e larta me Diplomën shkëlqyeshëm dhe hyn në librin e artë të shkollës së bashku me kryeministrin e mëpasshëm të Turqisë dhe Presidentin e dytë të Republikës së Turqisë, İsmet İnönü.
Ishte në lidhje të ngushtë me atdhetarët shqiptarë Bajo Topulli, Memduh Zavalani, Qamil Panaritin, Sali Butkën e të tjerë, me të cilët kryente veprimtari atdhetare. Në nëntor të vitit 1908, Rauf Ficoja së bashku me Bajo Topullin përfaqësuan Gjirokastrën në Kongresin e Manastirit.
U njoh dhe krijoi miqësira me gazetarët anglezë filoshqiptarë Henry Brailsford, Henry Nevinson, me Lordin Noel Buxton, diplomatët Edward Boyle, Charles Roden Buxton, lord Dickinson dhe veçanërisht me deputetin dhe kolonelin Aubrey Herbert, Merry Edith Durhamin.
AMARCORD-i i sotëm i kryeministrit i kushtohet pikerisht atij.
Rama shënon se më 1923, Marubi shkrepte foton zyrtare të prefektit të emëruar të Shkodrës, dekoruar me kryqin e oficerit të Urdhërit të Franc-Jozefit të Austro-Hungarisë dhe dekoratën e oficerit të Palmave akademike të Francës.
Ky prefekt sipas kryeministrit, ishte personaliteti i shquar, shërbyesi i shtetit dhe diplomati patriot, gjirokastriti Rauf Fico. “Me këto premisa, me një zyrë të pajisur bukur në një godinë të spikatur ndërtuar nga francezë dhe austriakë, prefekti i ri, dëshmi se nga jugu në veri Shqipëria ishte e pandarë dhe një, ishte një angazhim i gjallë për ecjen e vendit kah Europës edhe pse në nivel lokal”,- thotë Rama ndër të tjera.