U hap zyrtarisht Pavijoni Shqiptar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, edicioni i 57-të në Venecia 2017 , ku Ministria e Kulturës prezanton Shqipërinë me projektin e titulluar ‘‘Ndodhi në kohën e tashme’’, propozuar nga Leonard Qylafi (Artist) dhe Vanessa Joan Müller (Kuratore).
Në ceremoninë e hapjes, zhvilluar në ambientet e Pavijonit Shqiptar në Arsenale merrnin pjesë kuratorë, kritikë arti dhe gazetarë.
“Jemi së bashku në këtë ‘Ndodhi në kohën e tashme” e cila gjen rastin të na kujtojë që Shqipëria nuk është vetëm klishe por,edhe vlerë artistike. Nuk është thjesht një emër në titujt e kronikës së zezë por,një stacion artistik ku ndalen kritikët, artdashësit, mediat e kulturës. Pavijoni ynë është pavijoni i një vendi me histori të vështirë, të ndërlikuar që secili prej nesh e mbart mbi shpinë edhe kur i rëndon, por shumë prej nesh e kthejnë në vlerë të shtuar sepse e dine që vetëm mbi të, dhe jo pa të, mund të ndërtojnë të ardhmen”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Pavijoni Shqiptar u vizitua nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u shprehu vlerësimet e tij më të mira kuratores dhe artistit Leonard Qylafi.
“Ndodhi në kohën e tashme” prezantohet nga një artist që ka aftësinë të risjellë historinë e së shkuarës me një këndvështrim, kërkim dhe praktikë kontemporane.
Ministrja e Kulturës, ishte pjesëmarrëse në hapjen zyrtare të Pavijonit të Kosovës, i cili përfaqësohet nga artisti Sislej Xhafa, “Lost and found” (E humbur dhe e gjetur), i cili shprehet se Kosova e tij “E humbur dhe e gjetur”, ka shumë çështje vazhdojnë të jenë aktuale, duke përfshirë shkeljen e të drejtave të njeriut, kufizimet e sfidat që ka shoqëria e një shteti të ri të pavarur .
Sipas kuratores së këtij edicioni, Christine Macel “Viva Arte Viva është një thirrje, një shprehje pasioni për artin dhe për figurën e artistit. Është një bienale me artistë, nga artistë dhe për artistë, përmes formave që ata propozojnë, pyetjeve që shtrojnë, praktikave që zhvillojnë, mënyrat e jetesës që zgjedhin”.
ARTISTI SHQIPTAR
Leonard QYLAFI (datëlindja 1980) është artist kontemporan shqiptar që punon në mediume të ndryshme si: video, fotografi, muzikë dhe pikturë. Ai ka studiuar Atelieri Pikturë, në Akademia e Arteve, Tiranë, Shqiperi. Ai punon dhe jeton në Tiranë, Shqipëri.
Kuratorja Vanessa Joan Müller, Drejtore e Departamentit të Dramaturgjisë në Kunsthalle Vjenë, ka studiuar histori arti dhe teori filmi në Ruhr University Bochum dhe mban një PhD në Histori Arti. Ajo ka publikuar shumë ese dhe artikuj mbi artin bashkohor dhe teorinë e tij. Vanessa Joan Müller punon dhe jeton në Vjenë, Austri.
Komisioner i Pavijonit: Mirela Kumbaro, Ministër i Kulturës
Vendi : Venue Arsenale, Sale d’Armi, kati parë, ndërtesa A
Hapja zyrtare e Pavijonit: 11 maj 2017, ora 2 pm
Data : 13 Maj – 26 Nëntor 2017
Pavijoni qëndron i hapur nga ora: 10 am – 6 pm
E premte / E shtunë 10 am – 8 pm deri më 30 shtator, 2017
“Viva Arte Viva”- “Jetë të gjatë artit”, kjo është tema e Bienales së Venecias 2017
Gjatë prezantimit që i bëri presidenti Paolo Baratta, u shpreh se “Edicioni i 57-të sjell risi që projektohen nga tema e ekspozitës, duke nënkuptuar një dialog me artistët.
“Këtë vit është menduar si një manifestim i arteve për të prezantuar vetë ekzistencën e artistit dhe perspektivën e hapësirës së ekzistencës sonë, u shpreh ndër të tjera Baratta”. Ndërsa Christine Macel e konsideron si një ekspozitë të frymëzuar nga humanizmi.
“Sot kemi të bëjmë me një botë plot konflikte dhe arti nuk mund të shërbejë si një predikues. Ky lloj i humanizmit nuk është i përqendruar në një ideal artistik, thjesht për ta ndjekur atë, por është një festë e ekzistencës së qenies njerëzore, kjo lidhet me manifestimin e njerëzimit si qenie që mund të dominojë rrethinat e veta.