Nga Ermal Gjinaj
Përtej referendumit për Brexit, që ka dominuar agjencitë e lajmeve, mediat e shkruara dhe ato online në mbarë botën, dje nuk kaluan pa u vënë re edhe dy lajme, të cilat kishin të përbashkët pikërisht Turqinë. Nga njëra anë, Rexhep Erdogani i kishte dërguar Vladimir Putinit një letër, me anë të së cilës, më në fund pas shumë muajsh, i kërkonte ndjesë për rrëzimin e avionit luftarak rus në kufirin turko-sirian, në muajin shtator. Lajmi tjetër ishte se Turqia dhe Izraeli ishin ulur në tryezën e bisedimeve, dhe kishin mbërritur në një marrëveshje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Këto dy kthesa të forta të “të fortit të Stambollit” kanë habitur shumëkënd, por me siguri jo ata që me laps në dorë, kanë llogaritur këto kohë të gjitha humbjet, sidomos ekonomike, që ka vuajtur Turqia, prej kursit të ndjekur në marrëdhëniet si me Rusinë, ashtu edhe me Tel Avivin.
Ngjarja e shtatorit 2015, kur avioni gjuajtës turk rrëzoi avionin rus, dhe reagimi i mëpasshëm i Erdoganit, i përkeqësoi së tepërmi marrëdhëniet mes të dy vendeve, aq sa në atë kohë, shumëkush nisi të thotë se po frynin erërat e një lufte. Reagimi i Putinit, ndonëse jo luftarak, ishte njësoj i fuqishëm. Sanksione, dëbime, dhe frenim i turistëve rusë, ishin të gjitha masa që rënduan shumë mbi ekonominë e një vendi si Turqia, e cila mbështetet fort tek sektori i turizmit.
Me shumë gjasë, Rexhep Erdogani ka bërë llogaritë e tij. I akuzuar nga shumëkush për mbylljen e njërit sy përballë kontrabandës së naftës dhe armëve, të kryer nga Shteti Islamik përmes kufijve të Turqisë, kontrabandë për të cilën në akuzë është vënë deri dhe djali i tij, Sulltani i kohëve moderne me siguri është vetëdijësuar se kostoja që po rëndonte mbi Turqinë, si ekonomike, ashtu edhe politike, po bëhej pak nga pak, e papërballueshme.
Situatën e tij nuk e ndihmonte aspak edhe fakti që prej kohësh marrëdhëniet e Turqisë me aleatin e dikurshëm, Izraelin, kanë qenë të ngrira. Që nga koha kur një komando izraelite hipi në një anije turke që shpinte ndihma për në Rripin e Gazës dhe vrau tetë persona në bord, rrugët e dy fuqive rajonale, dikur aleate mes tyre, ishin ndarë. Me siguri nuk ka qenë rastësi që, pikërisht në ditën kur i dërgonte letrën e ndjerë Putinit, në Romë po firmosej marrëveshja dypalëshe për rivendosjen e normalitetit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dy ngjarje në dukje të shkëputura mes tyre, por që kanë potencialin e madh të ndryshojnë rrënjësisht ekuilibrat në atë rajon të trazuar.
Por përtej frikës nga përkeqësimi i pasojave ekonomike mbi vendin që udhëheq, Erdogani ka dashur me siguri të lëshojë sinjale pajtimi jo vetëm ndaj Rusisë dhe Izraelit, por edhe ndaj SHBA dhe komunitetit ndërkombëtar, për të treguar se Turqia ka ndërmend të rikthehet e të jetë faktor politik i domosdoshëm për ndërmjetësimin në rajon. Erdogani e di mirë se akuzat për ujdi me Shtetin Islamik janë një pengesë e pakapërcyeshme për rifitimin e këtij statusi, kështu që, ai ka dashur që lëvizjet më të fundit të Turqisë, të shihen edhe si një shenjë se tashmë do jo vetëm t’i kthejë shpinën, por edhe ta luftojë Shtetin Islamik. Këtë herë me të vërtetë.
Eshtë një sinjal që me siguri dje e kanë marrë Rusia, Izraeli, SHBA, Europa, i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Por “mesazhin” e ka marrë me siguri edhe Shteti Islamik. I cili, sipas të gjitha gjasave ka nxituar të dërgojë xhevap, pa kaluar as 24 orë, ashtu si vetëm ai di të bëjë… Si për të treguar, se kjo është nga ato lloj vallesh, nga e cila është pothuaj e pamundur të dalësh./Bota.al