Trashëgimia Kulturore pa Kufij në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillimin Urban, Beograd organizojnë trajnimin e parë vullnetar “Ndihma e Parë për Trashëgiminë Kulturore në Ballkan”. Trajnimi një javor do të zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës nga datat 13-19 mars 2016.
Ky kurs do t’iu mundësojë pjesëmarrësve mjetet e nevojshme për t’u ballafaquar me emergjencat që përfshijnë trashëgiminë kulturore. Pjesëmarrësit do të mësojnë në lidhje me përgatitjen paraprake në raste emergjencash, vlerësimin e dëmit për sitet/objektet e trashëgimisë, protokollet bazike për trajtimin e koleksioneve, si dhe strategjitë për të menaxhuar sigurinë dhe qendrueshmërinë e trashëgimisë në rrezik. Deri në fundin e trajnimit, pjesëmarrësit do të kenë fituar njohuritë e nevojshme për të dhënë ndihmën e parë në raste emergjente, kur përmbytjet, zjarri, tërmeti ose konflikti, kanë dëmtuar apo kërcënojnë të dëmtojnë trashëgiminë kulturore.
Përgjatë një jave pjesëmarrësit do të ndjekin një program rigoroz që kombinon teorinë – përmes ligjëratave dhe prezantimeve – me praktikën që do të udhëhiqet nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë me pjesëmarrësit dijen dhe përvojën e tyre. Ligjëruesit që do të marrin pjesë vijnë nga Qendra Ndërkombëtare për Studimin dhe Restaurimin e Pasurive Kulturore (ICCROM), Fondacioni për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Egjipt si dhe ekipe ekspertësh nga SHBA-të, India dhe Turqia.
Themelimi i Korpusit të Vullnetarëve
Pas kursit, pjesëmarrësit do të ftohen të bëhen pjesë e rrjetit të vullnetarëve të “Ndihmës së Parë për Kulturën në Ballkan” (B-Care). Qëllimi i këtij Korpusi është të shndërrohet në vijën e parë të mbrojtjes të trashëgimisë kulturore të kërcënuar nga fatkeqësitë/krizat. Anëtarët do të jenë aktivë në emergjenca sa i përket trashëgimisë në Ballkan, do të shkëmbejnë përvojat e tyre në lidhje me përgatitjen dhe reagimin në rast emergjence, dhe do të lajmërojnë njëri-tjetrin në rast të ndonjë fatkeqësie. Institucionet kulturore do të kenë gjithashtu mundësinë të kontaktojnë vullnetarët më të afërt në mënyrë që të trajnohen për gatishmërinë dhe për të patur ndihmën e tyre në rast emergjence.
Ky trajnim organizohet nën patronazhin e ICCROM-it si pjesë e projektit “Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan – Balkan Cultural Aid Response for Emergencies (B-CARE). Projekti financohet nga Fondi Prince Claus nëpërmjet programit Reagimi ndaj Emergjencave Kulturore. Trajnimi dhe projekti B-CARE janë frymëzuar nga dy kurse të ICCROM-it: Ndihma e Parë për Trashëgiminë Kulturore në Kohë Krizash dhe Menaxhimi i Rrezikut të Fatkeqësive të Trashëgimisë Kulturore.