Ndahet nga jeta kantautori Françesk Radi, u sëmur rëndë një javë më parë

Ka ndërruar jetë vetëm pak minuta më parë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, kantautori Françesk Radi.

Këngëtari i mirënjohur ishte i shtruar prej një jave në reanimacionin e QSUT­-së, pas një hemorragji cerebrale.

Radi ishte 68 vjeç.

Françesk Radi  kreu Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë.

Për një periudhë të gjatë kohe punoi në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor.

Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj periudhe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet shqiptare.

Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar.

Ishin pikërisht dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.

Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *